Festat e nëntorit bëhen shkak, Shkëndija pret tifozët nga Shkupi: Mirë se vini vëllezër
Shkëndija ka njoftuar se tifozët e Shkupit mund të jenë në stadium nesër, për ndeshjen që do të luhet në orën 13:00 dhe vlen për kampionatin në Maqedoninë e Veriut.
Prej kohësh tifozët e Shkupit nuk udhëtojnë në Tetovë për të ndjekur skuadrën e tyre. Kjo për shkaqe sigurie pas konflikteve që tifozëritë kishin pasur mes tyre.
Tashmë janë bërë shkak dhe festat e nëntorit, për të pritur këtë takim me peshë në futbollin e Maqedonisë së Veriut.
Njoftimi i klubit të Shkëndijës:
“Kryesia e KF Shkëndija njofton se është pranuar kërkesa e KF Shkupi për praninë e tifozëve të tyre në ndeshjen e xhiros së 16-të të Ligës së Parë, që luhet të mërkurën më 27 nëntor, në ora 13:00, në Stadiumin e Qytetit në Tetovë. Pas një kohe të gjatë, në një duel të rëndësishëm futbollistik do të kemi mundësinë të shohim në tribuna dy tifozeritë shqiptare, “Ballistat” dhe “Shvercerat”, që premtojnë spektakël të jashtëzakonshëm.
KF Shkëndija bën thirrje për një atmosferë festive dhe të dinjitetshme, duke shmangur çdo provokim të panevojshëm në baze etnike, racore dhe religjioze. Futbolli është një festë që na bashkon, dhe kjo ndeshje është mundësia e përkryer për të treguar respektin dhe unitetin tonë si vëllezër. Ftojmë të gjithë të pranishmit të kontribuojnë për mbarëvajtjen e ngjarjes dhe ta shndërrojnë këtë duel në një shembull për futbollin në vend.
Fusha do të vendosë se kush e meriton fitoren, por në tribuna le të shkëlqejë vetëm dashuria për futbollin dhe kombësinë tonë të përbashkët.
Mirë se vini, vëllezër nga Shkupi!”
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"