Fenomeni “Egnatia”, flet Thartori: U ndërtua për sukses, ardhjet e janarit na forcuan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2023 | 18:49

Fenomeni “Egnatia”, flet Thartori: U ndërtua për sukses, ardhjet e janarit na forcuan

Në skenë gjithnjë del trajneri, por dihet se stafi i tij është një element shumë i rëndësishëm, pa të cilin nuk mund të bëhet. Pas suksesit të Edlir Tetovës, renditet edhe Eduart Thartori, zëvendëstrajneri i Egnatias.

Egnatia trajneret

I njohur për qetësinë që i reflekton skuadrës, Thartori ka qenë shumë i rëndësishëm në prapaskenë dhe suksesi i skuadrës tregon qartë se ndihmësi i Tetovës i ka bërë detyrat shumë mirë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Thartori tregon mbi arritjen e madhe të rrogozhinasve, që kanë siguruar kualifikimin në Europë dhe finalen e Kupës së Shqipërisë.

Si e vlerësoni ecurinë e Egnatias në këtë sezon?
Egnatia e këtij sezoni u ndërtua për të qenë një nga tri vendet e para. Ky objektiv ka qenë gjatë gjithë kohës në fokusin tonë. Mendoj se arritja e këtij synimi dy javë para fundit të kampionatit është një sukses i madh.

Cilën periudhë do të veçoni si më të mirën e këtij sezoni?
Çdo periudhë ka vështirësitë e saj. Ajo që them me bindje të plotë është se skuadra, në asnjë moment të këtij sezoni nuk e ka vënë në diskutim potencialin e saj.

Cilat janë pritshmëritë për finalen e Kupës ndaj Tiranës?
Në këtë edicion kemi bërë mirë në gjithë rrugëtimin në turet e luajtura, ku nuk njohim asnjë humbje. Finalja sigurisht ka tjetër përgjegjësi. Këtë sezon uroj ta mbyllim duke arritur një sukses historik, që Kupa të vijë në Rrogozhinë.

Jeni një skuadër që shënoni shumë dhe pësoni pak. Si e shihni këtë tregues?
Kjo që ka ndodhur me ne tregon se Egnatia është një skuadër e konsoliduar, e cila ka ditur të shënojë sistematikisht, por edhe të mbrohet mirë. Veçanërisht në periudhën pas merkatos së janarit, arritjet në këtë drejtim janë më të prekshme. Sepse edhe ardhjet ishin vërtet cilësore. Në të dyja frontet, kampionat dhe Kupë, angazhimi ka qenë i njëjtë, serioz dhe me plot risi.

Përveç titullarëve, kanë luajtur rol edhe lojtarët e stolit. Jeni i kënaqur me këtë pjesë të skuadrës?
Është normale që disa lojtarë do të luajnë më shumë e disa më pak. E kemi përgatitur çdo ndeshje në varësi të kundërshtarit. Egnatia ka një grup futbollistësh shumë të mirë dhe fakti se në stol ka disa emra, që nuk dallojnë me pjesën tjetër të formacionit, e tregon më së miri kompaktësinë, që e ka treguar secili në aktivizimet në fushë.

Cilat janë synimet tuaja në ndeshjet e mbetura me Teutën dh Kukësin?
Nuk pres të ndodhë asgjë e veçantë, për ne Teuta dhe Kukësi janë dy kundërshtarë të radhës dhe të vlerësohen si të tillë.

Si është ndërtimi strukturor i instancave të klubit? Ju kanë ndihmuar të arrini këtë sukses?
Merita së pari shkon për presidentin Agim Demrozi. Me thjeshtësinë në komunikim dhe mbështetjen konkrete të tij, Egnatia ka bërë atë që deri dje quhej e paarritshme. Drejtuesit kanë punuar dhe vijojnë të punojnë me pasion dhe përkushtim absolut. Ky shembull organizimi e bashkëpunimi mes gjithë faktorëve e ka sjellë Egnatian këtu ku është.

Jeni nga Rrogozhina dhe ju e “testoni” nga afër edhe përjetimin e tifozëve për situatën në ekip. Një konstatim për këtë?
E shoh që vëmendja për futbollin në Rrogozhinë është tashmë 24 në 24. Tifozët kanë të drejtën e tyre të gëzohen për sa është bërë deri tani e madje presin edhe më tepër. Përjetimin që ata kanë, është vështirë të përshkruash, sado fjalë që të thuhen për ta.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"