Erzeni-Valbona, sot ora 13:00/ Kupa, mundësi karikimi për Erzenin. Tropojanët kanë përgatitur edhe penalltitë për suksesin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2024 | 11:37

Erzeni-Valbona, sot ora 13:00/ Kupa, mundësi karikimi për Erzenin. Tropojanët kanë përgatitur edhe penalltitë për suksesin

 

Erzeni është mundur që ta shfrytëzojë maksimalisht ndërprerjen e aktiviteteve dhe sot rikthehet në fushë  ku do të presë Valbonën, takim i vlefshëm për turin e dytë të Kupës së Shqipërisë. Takimi do të luhet në stadiumin “Tofik Jashari” në orën 13:00. Për trajnerin Ergys Luga, grupi i lojtarëve i ka të gjitha mundësitë të dalë nga gjendje e rënduar në kampionat.

ERZENI VORA

Ai mendon dhe beson shumë në grupin që drejton. Erzeni ka zhvilluar këto ditë seanca të rregullta stërvitore dhe lajm i mirë është se Luga do të ketë në dispozicion të gjithë grupin për takimin e Kupës ndaj tropojanëve. Përveçse janë sot kundërshtar në Kupë, Valbona dhe Erzeni janë rivalë të drejtpërdrejtë për mbijetesën edhe në kampionat. Drejtuesit besojnë te një kualifikim i mundshëm në Kupë, pasi do të ndikojë pozitivisht sa i takon anës psikologjike të lojtarëve. Kjo do t’i bëjë të hyjnë të qetë në fushë, ndërsa në fundjavë Erzeni do të udhëtojë drejt Vlorës për sfidën e javës së 13-të në kampionat. Albert Aliko

 

Portieri Marku

“Valbona e përgatitur edhe për penalltitë në Shijak”

Valbona është e gatshme për të dy sfidat e kësaj jave. Ajo ka në projekt dy formacionet për të dalë fitimtare. Tropojanët do të luaj sot në Shijak kundër Erzenit për Kupë dhe drejtuesit ia kanë bërë të qartë futbollistëve se duhet ta kalojnë edhe këtë tur të dytë. Lidhur me takimin kundër Erzenit në Kupë, portieri i skuadrës tropojane, Brajan Marku, për “Panorama Sport” u shpreh: “Skuadra është e përgatitur për të dy takimet e kësaj jave të vlefshme për Kupë dhe kampionat, ku ne do të tentojmë fitoret. Në Kupë e kemi si objektiv kalimin në turin e tretë.

Jemi të përgatitur për të dy takimet, ndaj Erzenit dhe Burrelit në kampionat. Madje, për Kupë ne jemi përgatitur edhe për 11-metërshat, në rast se do ta mbyllim ndeshjen në barazim. Edhe në ndeshjen e kampionatit kundër Burrelit, që luajmë në shtëpi, do të tentojmë fitoren, e cila do të jetë mjaft e rëndësishme për ecurinë e mëtejshme. Jemi në pozitat jo komode dhe të pamerituara në renditjen e kampionatit”.     ABDULLA DUSHKU

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"