Erzeni në zonën e rrezikut, shijakasve u mungojnë 7 pikë nga vjet
Tri fitore, katër barazime dhe pesë humbje, që do të thotë 13 pikë të mbledhura. Këto janë shifrat e Erzenit deri më tani, teksa pas 12 javësh kampionat e sheh veten në vendin e shtatë. Qartësisht një zonë e rrezikshme, ku ndiqet me diferenca të vogla nga Vllaznia, Teuta e Dinamo.
Me këtë të fundit shijakasit kanë përballjen direkte të dielën në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës, teksa blutë janë pritës. Ndërkohë, në krahasim me sezonin e kaluar, ndryshimet janë evidente, sepse statistikat flasin për një tjetër Erzen. Në 12 javë gjatë sezonit 2022-2023, Erzeni merrte pesë fitore, pesë barazime dhe vetëm dy humbje, pikërisht 20 pikë.
Pra, në krahasim me vjet mungojnë plot shtatë pikë, por gjithsesi performanca e skuadrës deri më tani ka qenë e mirë. Organizimi i klubit ka qenë sërish në momentet e fundit dhe kjo e ka penalizuar skuadrën më shumë se viti i kaluar.
Trajneri Alfred Deliallisi ka vënë theksin te mungesa e një qendërsulmuesi të mirëfilltë, një rol që deri më tani e ka bërë Redon Mihana. Ndeshja ndaj Dinamos në Durrës është një shans për të bërë kthesën, për më tepër që luhet në një fushë që shijakasit e kanë pasur si shtëpi. Këtë herë një ndihmë e madhe do të jetë edhe tifozëria.
ERALD DERVISHI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"