Erzeni dhe derbi tregojnë forcën e ekipit, “fati” i sezonit të Dinamos mësohet në vetëm 5 ditë
Shtyrja e ndeshjes me Erzenin e ‘prishi’ disi planin e stafit të Dinamos, që më pas u detyrua të krijonte një strategji të re për këtë ndeshje. Blutë kaluan në dy seanca stërvitore në ditë, duke shfrytëzuar kohën në dispozicion për rregullimin e defekteve që kanë pasur deri në këtë pjesë të sezonit.
Trajnerit Dritan Mehmeti i është plotësuar grupi i lojtarëve me rikuperimin e plotë të Andonit, Bardhit dhe së fundit edhe të Smaçit, Në këtë mënyrë, kryeqytetasit pritet të prezantohen me formacionin më të mirë të enjten ndaj shijakasve.
Kompletimi i grupit është shumë i rëndësishëm në këtë moment për stafin teknik, kur kalendari është ngjeshur shumë. Trajneri Mehmeti duhet të menaxhojë forcat për 7 ndeshjet që ka deri në fund të këtij viti kalendarik, por ai nuk do të kursejë asgjë që nga sfida e radhës.
SEZONI NË 5 DITË – Nga e enjtja e deri të hënën e ardhshme, pra në harkun kohor të 5 ditëve, Dinamo do të mësojë shumë se çfarë sezoni do të luajë më pas. Janë 180 minuta me një rëndësi të veçantë për blutë, sidomos ndeshja e radhës me Erzenin, ku është edhe përqendrimi i skuadrës dhe drejtuesve.
Nëse Dinamo kalon me sukses këto dy sfida zjarri, do të lërë pas krahëve startin zhgënjyes dhe do të përfshihet në grupin e skuadrave që do të luftojnë për 4- shen e parë. Në të kundërt, blutë do të mbeten në vendnumëro, një skuadër që thjesht do të luftojë për të mbijetuar në Superiore.
Vërtet merkatoja e dimrit mund të zgjidhë ndonjë problem dhe mund ta forcojë skuadrën, por nëse ajo nuk grumbullon pikët e nevojshme deri atëherë, do ta ketë të pamundur për të qenë në ‘vallen’ e pretendentëve.
Kampionati i deritanishëm është i tillë, që dy fitore radhazi të katapultojnë lart, ndaj dhe në kampin blu besojnë se do të largohen shpejt nga fundi.
ERZENI – Dinamo gëzon një formë të mirë, vjen pas 3 rezultatesh pozitive radhazi dhe ndaj Erzenit ka shumë arsye për të marrë 3 pikët. Të gjithë e dinë fort mirë specifikën e kësaj ndeshjeje, se sa mund ta karikojë skuadrën para derbit me Partizanin një fitore e mundshme të enjten.
Trajneri Mehmeti dhe gjithë lojtarët gjykojnë se e kanë kaluar momentin e vështirë dhe tani Dinamo duhet të njohë vetëm rritje. Por në çdo rast është fusha ajo që vendos, ndaj dhe kjo ndeshje po përgatitet me shumë kujdes në çdo detaj për të marrë 3 pikët. Nëse ndodh kështu, blutë mund të çliroheshin përfundimisht nga makthet e javëve të para dhe do të fillonin një tjetër sezon.
FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"