Emocionet e fitores së Botërorit, rrëfehet Mesi: Nuk po i lutesha Diegos te penalltia, me Mbape kam folur vetëm për festimet
Emocionet e fitores së Kupës së Botës do të jenë të paharrueshme për Lionel Mesin. Ylli argjentinas u është kthyer momenteve më entuziazmuese të Botërorit 2022 dhe sigurisht finales së fituar me penallti ndaj Francës, në një rrëfim të gjatë për “Ole”, teksa ka zbuluar disa prapaskena të momenteve drithëruese të penalltive përballë “gjelave”.
“Luftoja gjatë penalltisë së fundit? Thuhet që po i flisja gjyshes apo Maradonës, por nuk ishte ashtu. I kërkova Zotit dhe Montiel të shënonte, që të mos vazhdonte agonia pasi po bëhej e padurueshme”, shpjegoi Mesi ato momentet e fundit para gjuajtës që solli fitoren e Argjentinës.
“E dëshirova shumë atë moment. Pas shumë vitesh në kombëtare, pasi i shkova pranë në vitin 2014. Kam bërë shumë sakrifica, kishte shumë humbje e momente të vështira. Familja ime ndoshta e ka përjetuar më shumë se unë, kam shumë familjarë në Argjentinë dhe kjo pritje po i konsumonte, po vuanin si unë, ndoshta edhe më shumë. E di që kanë kaluar momente të këqija, por tani jemi lehtësuar të gjithë nga fakti që dolëm Kampionë Bote”, theksoi Mesi duke u ndalur te një moment që mund të ndryshonte gjithçka, pritja e Emiliano Martinez ndaj Kolo Muani në sekondat e fundit. “Ishte gjithçka shumë e shpejtë, nuk ia dola as ta jetoja plotësisht atë moment. Kam vuajtur më shumë duke parë videon mbrapa, kam ende ankth kur e shoh”, shpjegoi ai.
Një moment shumë i veçantë i rrugëtimit të Argjentinës ishte edhe ai i festimeve, që shumëkush i cilësoi të tepruara, si ndaj Holandës ku vetë Mesi u kthye nga pankina e kundërshtarëve.
“Kritikat më duken të padrejta, kishim gjithmonë një sjellje shembullore, brenda dhe jashtë fushës. Njerëzit flasin shumë për atë që ka ndodhur ndaj Holandës, por askush nuk thotë gjë për atë që ndodhi më parë, për provokimet gjatë ndeshjes, mungesa e fair play. Por të gjithë flasin për atë që kemi bërë ne”, vijoi “Pleshti”, i cili më pas shpjegoi se me Mbape kishte pasur shumë pak komunikim rreth asaj finaleje.
“Kemi folur shumë pak për festimet, si u përjetua gjithçka në Argjentinë. Asgjë më shumë. E kam humbur edhe unë një finale, e kam parë veten në atë krah dhe nuk desha të flisja më shumë. E kuptoja dhe nuk dëshiroja të prekja atë temë. Mes meje dhe tij është gjithçka në rregull”, tha Mesi i cili la gjithçka të hapur për të ardhmen.
“Jam 36 vjeç dhe më duket e vështirë të mendoj për Botërorin e ardhshëm. Unë e dashuroj të luaj futboll dhe derisa të jem në formë e të vazhdoj të argëtohem, do ta bëj. Por nuk ia dal të mendoj deri në Botërorin e ardhshëm. Do të ec përpara, të shoh se deri ku mbërrin karriera ime”, tha ai.
PANORAMASPORT.AL
.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"