Elbasani, një miks mes “të vjetërve” dhe afrimeve/ Bordin ka gjetur një variant të balancuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2024 | 23:28

Elbasani, një miks mes “të vjetërve” dhe afrimeve/ Bordin ka gjetur një variant të balancuar

Elbasani i këtij viti është një “miksim” mes lojtarëve të sezonit të kaluar dhe atyre të ardhur në merkaton e verës. Verdheblutë afruan në skuadër plot 15 lojtarë, por portieri Xhuzepe Agostino dhe mbrojtësi Emir Azemoviç mund të mos llogariten më, për shkak të dëmtimeve të rënda që kanë bërë të mbyllin sezonin pa e nisur ende atë.

elbasani

Për këtë arsye, kjo listë mund të ngushtohet në 13 afrime, që praktikisht mund t’i shërbejnë trajnerit Bordin dhe ekipit. Me fjalë më të thjeshta, është bërë një revolucion në skuadër, ku 50% i përket asaj që u ngjit në Superiore dhe 50% përbëhet nga afrimet.

Dhe, sipas një vëzhgimi të bërë nga “Panorama Sport”, duket se trajneri Roberto Bordin është “kujdesur” të bëjë një balancim të këtyre lojtarëve në këto tre ndeshje të para të kampionatit, ku nga 19 lojtarë të aktivizuar, 10 prej tyre kanë qenë pjesë e skuadrës dhe 9 vijnë nga merkatoja. Sigurisht, shumë lojtarë kanë vuajtur nga problemet fizike dhe jo të gjithë kanë qenë të gatshëm, por trendi duket se përgjatë gjithë sezonit verdheblutë do të jenë të “miksuar”.

LOJTARËT “E VJETËR” – Nga lojtarët e skuadrës së “vjetër” janë dy prej tyre me minuta të plota, portieri Klevi Totoshi dhe mbrojtësi Klevis Kasa, me nga 270 minuta.

Kjo listë vijon më tej me Bledar Lilën, Edon Hasanin, Ardit Hilën, Leo Melon dhe Bedri Grecën, të cilët janë parë deri më tani si pjesë e rëndësishme e ekipit të Bordin, që i ka aktivizuar si titullarë. Lista mbyllet me Arsen Lleshin, Arsen Kasën dhe Rei Zaimin, që janë përdorur si alternativa nga ana e italianit. Në total, të gjithë këta 10 futbollistë së bashku kanë luajtur plot 1654 minuta në tri takime.

LOJTARËT E MERKATOS – Nga afrimet e bëra në merkaton e verës spikat kapiteni Bruno Luilaj, i cili është i vetmi që i ka minutat të plota (270), duke treguar se është kthyer në një pikë referimi për skuadrën dhe vetë trajnerin italian.

LOJTARET E VJETER DHE TE RINJ

Pas tij është Emiljano Musta më i preferuari dhe Kristian Dros me Harallamb Qaqin, që i kanë nisur të tria ndeshjet si titullarë. Dy sulmuesit, Ze Gomesh dhe Amarildo Gjoni, kanë pasur gjithashtu minutat e tyre në këtë start kampionati, ndërsa kjo listë mbyllet me Xhonatan Lajthinë, Kristi Qosen dhe Endi Halilin. Këta të fundit kanë pasur më pak minuta në këmbët e tyre. Në total këta lojtarë kanë luajtur 1316 minuta në këto 3 ndeshje të para të kampionatit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"