Elbasani, i fiksuar me lojtarët e kombëtareve/ 15 futbollistë kalojnë nga përfaqësueset, zbuloni emrin me më përvojë ndërkombëtare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2024 | 19:40

Elbasani, i fiksuar me lojtarët e kombëtareve/ 15 futbollistë kalojnë nga përfaqësueset, zbuloni emrin me më përvojë ndërkombëtare

Ngjitja në Superiore detyroi klubin e Elbasanit të bëjë një “revolucion” në merkato. Verdheblutë duan të jenë konkurrues në elitë që në sezonin e tyre të parë dhe e vetmja mundësi për të hyrë në rangun e pretendentëve dhe synuar “Final 4”, ishte ndërhyrja në merkato. Deri më tani elbasanasit kanë kryer plot 12 afrime nga porta në sulm.

ELBASANI LULAJ

Ende nuk mund të thuhet me siguri nëse do të ketë afrime të tjera, për aq kohë sa do afro një muaj që të mbyllet merkatoja dhe “dhuratat” për teknikun Bordin mund të mos mungojnë.

LOJTARËT NË KOMBËTARE

Ajo që bie në sy në Elbasanin e këtij viti lidhet me “fiksimin” e klubit për të afruar lojtarë që ose janë pjesë e Kombëtareve, ose kanë luajtur më herët aty. “Panorama Sport” i ka bërë një analizë ekipit aktual dhe vihet re se janë plot 14 lojtarë që kanë provuar të veshin fanellën e përfaqësuesve ku bëjnë pjesë, duke nisur nga moshat, por edhe tek ekipi i parë. Ai me më shumë eksperiencë dhe që aktualisht vijon të pjesë e Kombëtares së tij, është moldavi Kristian Dros.

Mesfushori ka luajtur plot 15 ndeshje me Moldavinë dhe shihet si një nga afrimet më me eksperiencë. Sa i përket atyre që kanë luajtur në Kombëtaret A, veçohet Kristi Qose me tre ndeshje dhe Esin Hakaj me dy të tilla për kuqezinjtë. Në këtë listë mund të futet edhe Bruno Telushi, që ka qenë i grumbulluar me kuqezinjtë, edhe pse nuk ka bërë dot debutimin me ta.

ELBASANI PERBERJA

KOMBËTARET E MOSHAVE

Lista pastaj sa i përket Kombëtareve të moshave është më e gjatë, ku sigurisht “ylli” në këtë aspekt është portugezi Ze Gomesh, i cili ka luajtur me luzitanët plot 13 takime me Portugalinë U-20, pa llogaritur që ka milituar rregullisht në të gjitha skuadrat e moshave të kësaj Përfaqësueseje. Tek Shqipëria U-21 janë dy lojtarë që kanë spikatur në moshën e tyre, respektivisht Orgest Gava me 21 ndeshje dhe Bruno Lulaj me 20 të tilla për Shpresat tona.

Me Kuqezinjtë e vegjël kanë luajtur edhe Edon Hasani, Harallamb Qaqi apo Xhonatan Lajthia. Më pas, lista për tek moshat më poshtë është ende më e gjatë, çka tregon se verdheblutë në njëfarë mënyre janë kujdesur që të mbledhin futbollistë që kanë qenë edhe në lupën e ekipeve Kombëtare. Ajo eksperiencë e marrë më herët, shpresohet që t’i shërbejë edhe në Elbasan këtë sezon.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"