Elbasani është gati të tregojë muskujt në Korçë, tifozët fillojnë të organizohen për tranfertën me Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2024 | 12:00

Elbasani është gati të tregojë muskujt në Korçë, tifozët fillojnë të organizohen për tranfertën me Skënderbeun

Elbasani është duke vijuar përgatitjet në kuadër të ndeshjes së parë zyrtare të këtij sezoni, ku kalendari i ka rezervuar transfertën në Korçë përballë Skënderbeut.elbasaniOptimizmi në kampin verdheblu është i madh, duke marrë parasysh se vijnë pas një faze përgatitore me intensitet dhe mbi të gjitha pas disa takimeve miqësore, ku ekipi ka treguar cilësi dhe rritje. Gjendja e skuadrës duket optimale, ndaj verdheblutë do të tentojnë maksimumin, edhe pse përballë është një prej ekipeve që vitin e kaluar zuri një vend në “Final 4” dhe për më tepër luan në shtëpinë e vet.

MUSKUJT – Pritshmëritë për skuadrën e Elbasanit janë të mëdha këtë edicion, pasi bëhet fjalë për një nga klubet me financat më të shëndosha, që ka kryer shumë lëvizje në merkato. Jo më kot në Elbasan pretendojnë të dalin me trofe këtë edicion. Për këtë arsye, ndeshja e parë në Korçë është një test i vërtetë “muskujsh” për ekipin e Roberto Bordin, i cili tani ka për detyrë të tregojë potencialin dhe punën e bërë përgjatë kësaj faze përgatitoreje. Një trepikësh në Korçë do të jetë edhe një sfidë e hapur për rivalët e tjerë këtë edicion, me verdheblutë që duan të eliminojnë sa të munden inferioritetin që mund të ketë një ekip i sapongjitur në elitë. Elbasani do të luajë për gjithçka në transfertën korçare për të treguar që në fillim se e ka marrë shumë seriozisht këtë sezon.

MBËSHTETJA – Edicionin e kaluar në Kategorinë e Parë Elbasani theu thuajse të gjitha pritshmëritë sa i përket mbështetjes në shkallët e stadiumit, duke pasur më shumë se ekipet e Superiores. Edhe ky sezon duket se do të jetë i tillë. Në takimet miqësore të zhvilluara në Elbasan kanë qenë afro 1 mijë të pranishëm, të cilët kanë sfiduar edhe temperaturat e larta. Për në Korçë ka nisur që tani organizimi i tifozërisë për të qenë sa më e shumtë në numër dhe për t’i dhënë mbështetje maksimale ekipit. Edhe pse luhet ditën e hënë, orari i mbrëmjes duket se i favorizon disi elbasanasit të udhëtojnë drejt Korçës sa më të shumtë në numër për të përkrahur skuadrën e tyre tanimë në Superiore.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"