Elbasani është gati për Superioren, Bordin ka boshtin e skuadrës para startit
Elbasani i këtij sezoni ka kryer shumë investime, me synimin për të qenë menjëherë pretendent. Praktikisht kanë afruar në skuadër një formacion të tërë, edhe pse kuptohet se jo të gjithë do të luajnë titullarë, pasi verdheblutë e kishin një ekip të ngritur nga edicioni i kaluar.
Ajo që bie në sy përgjatë kësaj faze përgatitoreje është ngritja e një boshti, me lojtarët që për momentin duket se do të rrotullohet skuadra e Bordin. Më saktësisht, bëhet fjalë për tre: Bruno Lulaj në mbrojtje, Kristian Dros në mesin e fushës dhe portugezi Ze Gomesh në repartin e sulmit.
BOSHTI – Kapiteni Bruno Lulaj, i kthyer shumë shpejt në një lider, ku jo më kot i është dhënë edhe shiriti në krah. Mbrojtësi ka treguar siguri në prapavijë dhe nuk ka pasur asnjë mëdyshje për teknikun që ta hedhë në fushë nga minuta e parë.
I dyti është Kristian Dros. Një lojtar që italiani e njeh mjaft mirë, pasi e ka pasur në radhët e Kombëtares moldave. Një mesfushor difensiv tipik, i cili në çdo miqësore ka treguar personalitet në fushë, duke e bërë të pazëvendësueshëm në rolin e tij. Për këtë arsye, Bordin i ka dhënë shumë besim.
I treti është sulmuesi Ze Gomesh. Bëhet fjalë për një nga lojtarët me karrierë më të pasur dhe në Elbasan ka ardhur për të treguar cilësitë e tij. Sapo erdhi në skuadër u integrua menjëherë me skuadrën në fushë dhe sulmi është kthyer pronë e tij. Golat i kanë munguar, por mbi të gjitha ka si detyrë të shërbejë dhe krijojë hapësira për shokët e ekipit. Tri afrime të verës që duket se janë përshtatur shumë shpejt me ekipin e ri.
TË TJERËT – Elbasani dhe Bordin ka luksin të ketë në skuadër edhe të tjerë futbollistë që për momentin janë parë shumë të rëndësishëm për skuadrën. Duke nisur nga portieri Totoshi, mbrojtësit Telushi apo Lila e Musta. Mesi i fushës është një klas më vete me Hilën, Hasanin apo Kasën, pa harruar as Lleshin me Grecën në sulm që janë gjithnjë aty për të shënuar.
Listës më pas i shtohen edhe Hakaj, Qose apo Qaqi që ka ardhur së fundmi në skuadër. Gjithsesi, ajo që ka rëndësi lidhet me faktin se Bordin tanimë ka krijuar një skuadër pretendente.
VLADIMIR MEMA -PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"