Elbasan “i blinduar”, trajneri Bordin ka të plotësuar çdo pozicion
Me afrimin e portierit dhe sulmuesit, të cilët ishin kërkuar me ngulm në këtë merkato vere nga ana e trajnerit Roberto Bordin, mund të thuhet me plot gojën se verdheblutë janë të kompletuar.Për fat të keq, elbasanasit do të duhet t’i bëjnë llogaritë pa mbrojtësin malazez Emir Azemoviç që ka këputur ligamentin në stërvitje dhe për shumë muaj do të qëndrojë jashtë. Një mungesë jo pak e rëndësishme, por të paktën tani shpresohet që të rikthehen në fushë të gjithë futbollistët që kanë pasur probleme fizike dhe nuk kanë mundur të jenë në shërbim të skuadrës përgjatë tri ndeshjeve të para të kampionatit.
FORMACION I BLINDUAR – Në fakt, edhe pse me disa mungesa në skuadër, Elbasani ka treguar në këto javë të para se ka pasur mundësi për t’i zëvendësuar. Tani që pritet të rikthehen të gjithë, mund të flasim për një skuadër të dubluar dhe “blinduar” në të gjitha rolet, me Bordin që tani do të ketë edhe luksin të bëjë përzgjedhjet e duhura dhe të luajë ashtu siç do të donte.
“Panorama Sport” i ka bërë një skaner skuadrës që ka tani në dispozicion Elbasani dhe të krijojë një formacion të përafërt në bazë të karakteristikave të lojtarëve. Deri më tani Bordin ka qenë “fanatik” i skemës 3-5-2, por me rikthimin e të gjithë ekipit, nuk përjashtohen ndryshime dhe mund të kalojë në një 4-3-2-1, të cilat mund të sjellin një Elbasan më cilësor. Për ta nisur nga porta, me ganezin Abalora që ka ardhur për të bërë numrin një në portë, me Totoshin dhe Gegën që janë alternativat. Në një mbrojtje me katër, Musta, Telushi, Lulaj dhe Lila, ndërkohë që të gatshëm në këtë repart janë Hakaj, K. Kasa, Qaqi, Zaimi dhe Lajthia. Dros, Hasani dhe Hila në qendër të mesfushës, me Qosen, Gavën dhe A. Kasën që shihen si alternativat e tyre.
Për të vijuar më pas me Grecën, Ze Gomesh dhe Tsague në majën e sulmit, ndërsa Leo Melo, Lleshi dhe Gjoni janë të gatshëm për teknikun Bordin. Me pak fjalë, një skuadër e kompletuar në të gjitha repartet dhe me alternativat po në nivelin e atyre që shihen si titullarë, ku mbetet për t’u parë në fund se cilët do të preferojë italiani nga minuta e parë. E rëndësishme është që për momentin deri në muajin janar verdheblutë e shohin veten të plotësuar, ku mbeten për t’u parë rezultatet në fushë.
V.MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"