EKSKLUZIVE/ “Unë dhe shumë tifozë duam ekip potent”, ish-futbollisti Bërsheni: Vllaznisë i mungon ADN-ja shkodrane (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2024 | 21:00

EKSKLUZIVE/ “Unë dhe shumë tifozë duam ekip potent”, ish-futbollisti Bërsheni: Vllaznisë i mungon ADN-ja shkodrane (E PLOTË)

Ka qenë një prej futbollistëve më të talentuar shkodranë dhe jo vetëm të viteve ‘80-90, kur pasi mahniti me fanellën kuqeblu mori edhe ftesën nga Kombëtarja shqiptare.bersheniFjala është për Lulzim Bërsheni, i cili prej vitesh jeton në Greqi, por ekipin e zemrës e ndjek gjithmonë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-mesfushori flet për Vllazninë aktuale dhe situatën e shkodranëve. Ai thekson mes të tjerash se skuadra e ka rritur nivelin e saj nga ndeshja në ndeshje dhe shpreson shumë që në fund të sezonit ta shohë Vllazninë kampione të vendit. Bërshemi vlerëson punën e trajnerit Brdariç, megjithatë shprehet se Vllaznisë i mungon ADN-ja shkodrane.

Bërshemi, 8 ndeshje dhe 14 pikë për Vllazninë. I kënaqur nga kuqeblutë, apo jo?

Duke parë rritjen e nivelit nga ndeshja në ndeshje, nuk është aspak keq. Por unë dhe shumë tifozë të tjerë duam patjetër një Vllazni gjithmonë potente, që siguron fitore nga java në javë dhe që kryeson Superioren.

Po i mungon kësaj Vllaznie ndonjë gjë, në syrin tuaj?

Vllaznisë i mungon ADN-ja shkodrane. Me këtë dua të them stili super sulmues i skuadrës. Që na kënaq ne duke e parë nga televizori, apo nga stadiumi, pavarësisht se Brdariç duket se ka rregulluar diçka për sa i përket këtij aspekti në radhët e kuqebluve. Ekipin e shoh në ngritje, edhe pse dy javët e fundit ku nuk ka fituar. Megjithatë, besoj se Vllaznia mund të meritonte më shumë në ndeshjet kundër Elbasanit dhe Dinamos.

Mendoni se ky ekip mund të ecë përpara në këtë sezon?

Për momentin nuk dua të jap një mendim të nxituar. Dua ta shikoj edhe disa javë për të pasur një mendim konkret. Plus dua të shoh nëse u ka premtuar gjë ndokush andej nga federata, meqë ishin për vizitë në Shkodër së fundmi (qesh).

Ka ndonjë lojtar në skuadër që ju bën përshtypje?

Është Balaj që spikat, një element “puro” i akademisë së Vllaznisë. Por edhe disa djem të rinj më kanë pëlqyer së fundmi. Uroj që këta futbollistë të kenë mbështetje në vazhdimësi gjatë kampionatit.

Një parashikim për transfertën që Vllaznia do luajë kundër Laçit?

Nga ajo çfarë kam pasur mundësi të shoh, mundësitë janë për një fitore në Laç. Por kam frikën e ndonjë barazimi, pavarësisht se unë dua që Vllaznia vetëm të fitojë. Dhe në fund të edicionit të jetë aty ku duam, por nuk e them, sepse nuk dua të ndjell ters (qesh).

Së fundmi ndalemi te talentet shqiptare në Greqi, ku ju jetoni prej shumë vitesh. Disa zgjedhin të përfaqësojnë Shqipërinë e disa Greqinë. Çfarë këshille keni për ta?

Unë jam krenar që jam shqiptar, malësor që kam veshur fanellën kuqezi të Kombëtares. Ashtu duhet ta ndiejnë veten edhe ata që luajnë me Kombëtaren tonë. Niveli i ekipit tani është rritur dhe ka nevojë për talente nga e gjithë bota kudo ku janë. Pse jo të mos fitojmë edhe ne një Europian si Greqia, apo të marrim pjesë në një Botëror? Talente shqiptare ka kudo, ne e kemi në gjak futbollin, prandaj po i them këto fjalë me kaq optimizëm.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"