EKSKLUZIVE/ Titull me Elbasanin dhe Tiranën, rrëfimi unik i Çapjas: Si luaja me dy fanella… (E PLOTË)
Rikthimi i Elbasanit në Kategorinë Superiore dhe për më tepër me një skuadër pretendente të ngjall kujtimet e dy sezoneve të arta si nënkampion dhe kampion në sezonet 2004- 2005 dhe 2005-2006.
Ajo periudhë lidhet ngushtësisht me rivalitetin me Tiranën, jo vetëm në fushë, por edhe në tribuna. Një duel që rikthehet sërish të luhet këtë të hënë në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”.
Hetlen Çapja është njëri nga ata që luajti me të dyja skuadrat, madje u shpall kampion, por sigurisht ai titull me Elbasanin nuk ka të krahasuar. Ish-mesfushori flet ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke kujtuar me nostalgji ato vite, duke filluar nga ngacmimet që kishte kur iu bashkua bardhebluve.
Sa i përket skuadrës aktuale, Çapja e ka të vështirë ta krahasojë me atë të vitit 2005-2006, por ka besim se mund ta përsërisë atë sezon historik. Në fund, ai beson se Elbasani mund të fitojë të hënën në kryeqytet, duke mos iu dhënë shansin bardhebluve të luajnë futboll që duan, si dhe të japin shpirtin në fushë.
Hetlen, si e ke pritur rikthimin e një klubi si Elbasani në Superiore?
Normalisht të gjithë në Elbasan e kanë pritur këtë rikthim mes më të mirave të futbollit shqiptar. Duke parë ecurinë dhe atë që po tregojnë deri më tani, mendoj se do të jenë ndër ekipet pretendente. Duket nga ambiciet e stafit dhe interesimi i drejtuesve, të cilët duan ta dërgojnë emrin e këtij klubi aty ku i takon.
Pas katër javëve të para kanë marrë kryesimin, e prisnit?
Të them të drejtën, e prisja. Vërtet është ekip i ri, por janë ambiciet e mëdha. E kam thënë edhe më herët në intervistat me ju dhe gjërat duket se po ndodhin ashtu, për shkak të ambicies që kanë drejtuesit.
Shihni ngjashmëri me vitet 2005-2006 kur u shpallën kampion?
Të jem i sinqertë, jo se kam qenë unë pjesë e ekipit të atyre viteve dhe mund të kem nostalgji për atë kohë, por ka diferenca shumë të mëdhaja nga ajo periudhë. Po e përsëris, ndoshta edhe më duket mua, ngaqë kam qenë pjesë e atij ekipi, por është diçka që e kanë thënë edhe të tjerët. Ka diferenca, si në lojtarë edhe në mentalitetin e fituesit. Ne krijuam një grup ku në çdo ndeshje hynim për fitore dhe në fund e arrinim.
A mund të përsëriten sërish ato vite te Elbasani?
Nëse do vazhdohet me këtë punë, metodë dhe përkushtim, besoj se shumë shpejt do të shkojmë tek titulli kampion.
Të hënën luan me Tiranën, si e shihni?
Them se do të jetë një ndeshje e luftuar fort nga të dyja ekipet dhe ai që do të gabojë më pak do të fitojë. Duke parë ecurinë pozitive të ekipit të Elbasanit këto javë të para, ku edhe atë humbje e pësuan në fund, mendoj se nuk do të dalin pa pikë.
Na tregoni një moment që nuk do ta harroni asnjëherë kur kishit rivalë Tiranën?
Nuk mund ta harroj ndeshjen në “Selman Stërmasi”, ku fituam me shifrat 3-2 dhe aty hipotekuam edhe titullin kampion. Deri në atë moment kishin shënuar gol të gjithë lojtarët e ekipit në kampionat, përveç portierit Kotorri. Në atë ndeshje morëm penallti dhe shënoi edhe Kotorri për të fituar më pas titullin.
Çfarë do të thotë për Elbasanin të mundi një kundërshtar si Tirana?
Në atë periudhë dihet që Tiranën kemi pasur rivalin kryesor, për më tepër që bëhet fjalë për një klub të madh dhe nuk ishte e lehtë të konkurroje në ato vite. Në përballjet me Tiranën barazuam në një rast në kryeqytet dhe fituam tre të tjerat.
Pasi u shpallët kampion me Elbasanin, shkuat tek Tirana dhe fituat aty sërish titullin. Si ju pritën në klubin bardheblu?
Të them të drejtën, unë kalova dy vite shumë të bukura edhe tek Tirana, por sërish, nuk ka si qyteti yt, aty ku jam rritur si futbollist… Elbasani është diçka ndryshe. Kur vajta aty, unë isha pak nostalgjik, si djalë Elbasani, “provincial”. Isha ende euforik për Elbasanin. Megjithatë, më duhet ta pranoj, u ndjeva shumë mirë edhe tek Tirana. Është një klub i madh, ekipi me më shumë trofe, bëhej fjalë për një klub profesionist
Na thuaj ndonjë ngacmim që kishit në atë kohë?
Kur bëja stërvitje me Tiranën, poshtë fanellës kisha edhe një tjetër të Elbasanit dhe shpesh i ngacmoja drejtuesit. Sa herë shënoja në stërvitje hiqja bluzën dhe shihnin atë poshtë të Elbasanit (qesh). Madje më thonin: “O katunar tani je me Tiranën, nuk je më me Elbasanin, por hiqe atë bluzë’. Por, kuptohet që gjithçka në kuadrin e shakave dhe personalisht ia kam kaluar shumë mirë atje.
Si mendon se del kjo ndeshje e së hënës?
Nëse do jemi kompakt si në ndeshjen me Teutën, ku Elbasani bëri ndeshje të mirë dhe nëse luftojmë për topin e parë dhe mos i hapim rrugë, nuk do dalim pa pikë. Duke parë edhe tifozërinë që do jetë e shumtë, do jetë një plus dhe unë kam shumë besim, sepse kjo ndeshje vjen pas fitores me Laçin, që ishte shumë e rëndësishme.
Nëse një ekip i luan fort Tiranës dhe nuk e lë të luajë futboll, e kanë shumë të vështirë, diçka që e kam përjetuar kur kam qenë vetë aty tek Tirana. Ky ekip mundet me luftë sportive. Unë shpresoj të shënoj një nga djemtë elbasanas dhe pse jo, të jetë Arsen Kasa, duke parë edhe performancën që bëri në ndeshjen e fundit.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"