EKSKLUZIVE/ Tirana përgatit një tjetër goditje, futbollisti i Shpresave lë Holandën për bardheblutë
Agan Mjaki, lojtari i ekipit Shpresa të Shqipërisë, pritet të largohet nga FC Groningen dhe do të firmosë me Tiranën në Superiore. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se mbrojtësi që luan në Holandë pritet të vijë në formë huazimi te bardheblutë. Mjaki është një nga lojtarët më të talentuar të Shpresave dhe pjesë e ekipit të Bushit. Gjithsesi, ai ka dëshirë të luajë në Shqipëri. Kanë qenë mediat holandeze që bëjnë me dije një fakt të tillë.
POZICIONI – Mjaki luan në krahun e djathtë të mbrojtjes, pozicion që Tirana ka shumë nevojë. Me shumë gjasa ai do të jetë një mundësi për Shehin, që kërkon lojtarë pikërisht në fashën e djathtë. Përveç Mjakit, në lojë për një pozicion në krahun e djathtë janë edhe Gurishta, Doka, Trumçi. Kujtojmë që në këtë moment që flasim, Tiranës i janë larguar disa lojtarë, duke përfshirë, Visar Bekajn, Kristijan Toshevskin dhe Zhozelin Behiratçen.
E KALUARA – Agan Mjaki që luan në Holandë, kaloi te Shqipëria po nga moshat e Maqedonisë. Ai u grumbullua për herë të parë në nëntor 2022 me kuqezinjtë. 19-vjeçari më herët ka qenë pjesë e Maqedonisë së Veriut. Shqiptari këtë sezon ka qenë në fushën e lojës 18 ndeshje, duke shënuar një gol dhe me 443 minuta. Ai ka luajtur në kampionatin e 21- vjeçarëve të Holandës. Mjaki ka luajtur katër takime me Shpresat e Shqipërisë dhe katër me ato të Maqedonisë së Veriut. Tirana pritet të afrojë të paktën 7 lojtarë në këtë merkato.
STËRVITJA – Tirana do të marrë pjesë në turin e parë të Europa Konferencë Ligë. Për këtë qëllim, drejtuesit e Tiranës kanë vendosur që stërvitja të nisë shumë shpejt. Bardheblutë do të jenë në fushë në datën 12 qershor. Mund të ndodhë që skuadra të stërvitet jashtë vendit, por çdo gjë do të vendoset në ditët në vazhdim. Nga ana tjetër, skuadra deri në datën 12 qershor duhet të jetë plotësuar, ashtu siç ka kërkuar Orges Shehi.
OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"