EKSKLUZIVE/ “Tifozët të mërzitur”, Abazaj: Emrat nuk kanë vlerë pa vepra, ëndërr të vendos derbin për Tiranën (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2023 | 8:27

EKSKLUZIVE/ “Tifozët të mërzitur”, Abazaj: Emrat nuk kanë vlerë pa vepra, ëndërr të vendos derbin për Tiranën (E PLOTË)

Kristal Abazaj ëndër ron të jetë heroi i derbit. Sulmuesi i Tiranës, në një intervistë për “Panorama Sport”, pranon se bardheblutë janë të bllokuar te fitoret. Abazaj, nga ana tjetër, tha se sapo të shënojë gol nuk do të ndalet. Në analizën e tij para derbit, sulmuesi është i bindur se Tirana do të ndryshojë dhe do të gëzojë tifozët në sfidën me Partizanin dhe të rikthehet në krye të renditjes.

abazaj latifi

Partizani është ndeshja më e rëndësishme e një faze për ekipin e Tiranës. Si vini ju në këtë sfidë?

Derbi normalisht nuk është ndeshje si gjithë të tjerat. Tirana-Partizani është sfida më e veçantë, prandaj quhet derbi. Deri diku vijmë nga një situatë jo e mirë. Mendimi im dhe i të gjithëve është se ndaj Erzenit kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë. Kundërshtari erdhi vetëm një herë në portë dhe me një goditje shënoi. Ne ishim aty dhe në 90 minuta ne ishim te porta kundërshtare. Ky është fakti që na bën pozitiv në prag të këtij derbi. Jemi shumë mirë. Gjithçka është pozitive dhe na bën që të ndihemi mirë. Fundja ne e dimë shumë mirë rëndësinë e derbit dhe sa peshon kjo sfidë.

 

Përtej lojës së mirë, rasteve të ndërtuara, çfarë ka kjo skuadër që nuk fiton?

Sinqerisht këtë e them haptazi. Në futboll situata e tillë është. Ndonjëherë gjërat marrin për mirë dhe kur marrin për mirë nuk ndalen më. Ndonjëherë tjetër, gjërat marrin për keq. Realisht nuk e kuptoj përse po na ndodh. Po zhvillojmë një lojë shumë të mirë. Besoj se po bëjmë çdo gjë mirë. Besoj se nuk jemi të rënduar psikologjikisht. Këtë nuk ia vlen ta llogarisim fare. Këtë po e tregojmë në lojë. Ka disa ndeshje që na ndodh fenomeni që thashë më parë. Luajmë shumë mirë dhe nuk fitojmë dot ndeshjen. Shihni sfidën me Kukësin, ishim në disfavor dhe për tre minuta ndryshuam rezultatin dhe kthyem gjithçka në favorin tonë. Treguam shpirtin e garës dhe kompaktësinë që kemi në skuadër.

Për këtë sezon, cila është kritika më e madhe që ka Kristali për veten e tij?

Të them të vërtetën në futboll kritikat nuk mbarojnë asnjëherë. Për Tiranën unë e kam treguar se çfarë bëj. E kam treguar që në atë kohë të shkurtër kam luajtur i dëmtuar për katër muaj me radhë arrita të shënoj dhe të kisha performancë të lartë, ndonëse nuk isha në formën më të mirë timen. Tani që ndihem mirë mendoj se loja nuk ka qenë e keqe, por nuk kam arritur dot të shënoj gol. Nuk është çështje psikologjike. Nga kjo anë jam shumë i fortë, sepse kam arritur që të kaloj shumë situata të tilla dhe më të rënda. Besoj se tani është momenti.

Cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të Tiranës dhe Partizanit në këtë kampionat?

Derbi mbetet derbi. Pika e fortë e Tiranës është grupi dhe padyshim tifozëria. Ata janë aty gjithmonë, ndonëse kanë pasur kritika shumë të mëdha ndaj ekipit. Derbi i harron të gjitha, fshin të kaluarën, por gjithmonë nëse fitojmë.

Si e parashikoni këtë sfidë derbi që do të luhet në “Air Albania”?

Takimi i vetëm që nuk ka favoritë dhe me tri rezultatet brenda. Gjithsesi, ne e kemi forcën dhe kualitetin për ta përballuar sa më mirë këtë sfidë dhe për të marrë tri pikët.

Të gjithë duan të jenë heronj në derbi. E mendoni që mund të jeni në këtë derbi?

Sigurisht që e mendoj. Kam më shumë se 10 ditë që stërvitem 100 %, madje dy herë në ditë. Gjithçka po bëj, por goli është çështje kohe. Jam i bindur që pasi të shënoj golin e parë nuk ndalem më.

Ju thatë që tifozët janë pak të mërzitur. Çfarë duhet të presin tifozët në fund të kampionatit?

Si është bërë formula e kampionatit është pak rebus. Ne duhet të marrim ndeshjet një nga një. Të përmirësojmë ato gabimet që mund të bëjmë. Kjo formulë të jep mundësinë që të mësosh, të rikuperosh dhe të përshtatesh me shokët. Deri diku jemi ekip i ri.

Jeni një ekip i ri, kjo nuk ka dyshim. Shumica thonë që Tirana është skuadra më e fortë në letër?

Të gjithë thonë kështu. Ama nga eksperienca ime në kampionatin shqiptar me Luftëtarin mund të them se në atë skuadër ne nuk kishim shumë emra, por kishim grupin. Dhe grupi mposht edhe kualitetin e kundërshtarit, pasi në një skuadër që lufton dhe vrapon më shumë. Mbulon shokun dhe bllokon kundërshtarin nuk gabon. Kjo është frymë që do kohën e vet. Siç e thatë edhe ju, emrat janë. Kualiteti është, por në fund është e rëndësishme që këta emra të tregojnë nëse janë të vërtetë. Pra këto emra e kanë ende peshën dhe të mos jenë thjesht emra në fanellë.

Pyetja e fundit në këtë intervistë. Çfarë do t’i hiqnit Partizanit në këtë derbi?

Të jem i sinqertë. Asgjë. Heqja e njërit apo tjetrit nuk ndryshon gjë dhe nuk është problem. Ne jemi Tirana, unë jam Kristali. Kundërshtari ka emrin dhe personalitetin e tij. Problemi nuk është tek emrat dhe cilët do të jenë në fushë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"