EKSKLUZIVE/ “Të dyja me lojtarë mesatarë, pres lojë pa frikë mes Partizanit dhe Dinamos”, Redi Jupi: Derbi favoritësh, por luhet një kampionat i cilësisë së ulët
Partizani dhe Dinamo të shtunën ndeshen së bashku në derbin më të barabartë mes këtyre skuadrave pas më shumë sesa një dekade.
Një nga lojtarët më të shquar, që gjatë karrierës ka kontribuar me të dyja këto fanella të rënda të futbollit tonë, është Redi Jupi. Ish-mesfushori, tashmë zotërues i një prej komplekseve më të mëdha në vend, njëkohësisht një nga analistët më me vlera në Shqipëri, i bën një “skaner” derbit, por edhe nivelit të Superiores gjatë një interviste ekskluzive për “Panorama Sport”.
Redi, si i gjen Partizanin dhe Dinamon ky derbi?
Është hera e parë që këto dy skuadra, pra Partizani dhe Dinamo vijnë me pretendime, me skuadra të ndërtuara relativisht mirë, me lojtarë cilësorë, me staf të plotësuar, por edhe me pikët dhe entuziazmin e duhur për të luftuar deri në fund për fitimin e titullit kampion.
Ndryshe nga Daja, Veselinoviçin e njohim pak. Çfarë përshtypjeje ju ka lënë trajneri i Partizanit?
Nuk është se kam krijuar ndonjë përshtypje për trajnerin e Partizanit. Ndoshta është pak herët, gjithsesi unë gjithnjë kam qenë kundër trajnerëve të huaj në kampionatin shqiptar. Ne kemi pak skuadra dhe kemi shumë djem që janë të pajisur me licenca dhe kanë kapacitetet e duhura për të drejtuar ekipe në elitë. Kjo ligë përveçse promovon lojtarë apo skuadra, duhet ta bëjë këtë edhe për trajnerët. Kemi disa të huaj në kampionatin tonë, çka bën që trajnerë shqiptarë me kapacitet për të drejtuar, të mos kenë vend. Ai mund të jetë trajner shumë i mirë, por unë mendoj se ne duhet të kemi trajnerë shqiptarë në drejtimin e skuadrave tona.
Si i shihni organikat e dy skuadrave në këtë sezon, çfarë u mungon?
Organikat e të dyja skuadrave në raport me kampionatin mendoj se janë të plota. Të dyja kanë një bazë të mirë lojtarësh për të luftuar deri në fund për titullin kampion. Pastaj sesi shfaqen ata javë pas jave me ulje-ngritjet e tyre e të tjera, janë gjëra që nuk i parashikojmë dot. Por gjithnjë ka vend për lojtarë të mirë, që mund të futen në skuadër dhe të plotësohen dhe mendoj se do të ndërhyjnë në janar për të bërë ndonjë plotësim.
Te Partizani janë 2-3 lojtarë të nivelit të mirë. Kush i ka përmbushur dhe kush jo pritshmëritë tuaja?
Kjo cilësia e lojtarëve të kampionatit tonë të bën të dukesh ekzigjent dhe nganjëherë edhe cinik në vlerësimin e tyre. Unë mendoj se kemi një cilësi shumë të ulët të lojtarëve të kampionatit tonë. Nuk kemi lojtarë që të shtyjnë të blesh biletë për të shkuar t’i shohësh në stadium. Të gjithë ata tifozë që shkojnë, e bëjnë sepse i shkojnë skuadrës mbrapa. Nuk ka lojtarë të atij niveli, nuk ka gjeste teknike, nuk ka performanca të nivelit të lartë. Kjo është çështje këndvështrimi, juve mund t’ju duket se ka 2-3 lojtarë atje, por mua më duken mesatarë futbollistët e të dyja ekipeve.
Mendoni se Partizani për financat dhe organizimin që ka duhej të kishte krijuar një cikël në vitet e fundit?
Ciklin e ndërton klubi dhe klubet këtu janë shumë të brishta dhe të pandërtuara mirë, në konceptin tim. Me lojtarë, të cilëve u mbaron kontrata për një vit apo dy vite dhe nuk u dihet vlera kur vijnë. Vetëm gjatë rrugës kuptohen cilësitë që kanë individualisht. Në këtë mënyrë është pak e vështirë të ndërtosh cikle. Kjo bëhet me lojtarë, të cilët ti i ke për disa vite në klub dhe një brez që të vijnë nga ekipet “zinxhir”. Këtu prurjet nga akademia janë pothuajse zero. Nuk ka lojtarë të ardhur nga poshtë si pronë dhe punë e klubit. Kjo e bën shumë të vështirë të ndërtosh cikle. Cikli ndërtohet me 12-14 lojtarë që të jenë aty dhe i shtohen të tjerë rrugës për të bërë një skuadër të fortë në 5-6 sezone.
Përse është kaq e ngushtë gara e Superiores? Prej mediokritetit, apo sepse janë të fortë?
Kemi kampionat shumë mestar, madje nën mesatar, por po mundohem të jem sa më pozitiv në vlerësimin tim. Ka një mesatarizim vlerash shumë të madh dhe kjo bën që diferencat të jenë të vogla edhe nga e para, te e fundit. Edhe Laçi apo Bylis, që janë në fund, zhvillojnë ndeshje të luftuara dhe të barabarta, që vendosen nga detajet.
Cili mendoni se është favorit në derbin e së shtunës?
Derbi Dinamo-Partizani është një ndeshje pa specifikat e Tirana-Partizani, ku edhe pse skuadrat mund të kenë diferencë në pikë dhe cilësi, nuk i dihet sesi shkon. Ky është një derbi më “i paqtë” sa i përket agresivitetit dhe dëshirës për ta nënshtruar kundërshtarin me çdo kusht. Ka qenë gjithnjë derbi i qetë, që nuk ka prodhuar shumë agresivitet, por një rivalitet pozitiv dhe të shëndoshë. Në këto ndeshje fiton ajo skuadër që është më e mirë. Fati ynë dhe i tifozëve është që skuadrat janë në nivel të barabartë dhe kjo mund të prodhojë një ndeshje të kënaqshme, të paktën në aspektin fizik dhe të kërkimit të rezultatit. Shpresoj që skuadrat të mos e luajnë këtë ndeshje për të mos e humbur, por për ta fituar. Sepse edhe me skemën që kampionati ynë ka, favorizohen rezultatet e tilla, ku prevalon frika për të mos e humbur ndeshjen, sesa dëshira për ta fituar.
E prisnit që Daja të ndikonte kaq shumë dhe kaq shpejt te Dinamo?
Patjetër që Daja do të ketë impakt në të gjitha skuadrat ku do të vijë, sepse është një nga trajnerët më të mirë, më të formuar dhe të plotësuar të trajningut shqiptar. Por ne nuk duhet ta ekzagjerojmë impaktin që mund të ketë një trajner në një skuadër. Dinamo ishte një skuadër e mirë, por deri përpara se të vinte Daja nuk kishte garancinë dhe vetëdijen se edhe stafi është në lartësinë e skuadrës. Në momentin që ti ke një staf të mirë dhe nuk ke dyshime se trajneri i përgjigjet nivelit të skuadrës, atëherë edhe skuadra qetësohet, nuk ke dilema e dyshime dhe sheh punën përpara. Daja pastaj është edhe një trajner që i merr më të mirën lojtarëve që ka. Por gjithnjë në raport me cilësinë e organikës do të shihet edhe rezultati që Dinamo do të ketë. Të paktën Dinamo nuk e kthen kokën mbrapa dhe të mendojë se çfarë po bëhet me stafin.
Si një ish-mesfushor i shquar, cili mendoni se është më i miri në këtë rol në Kategorinë Superiore?
Kjo puna e mesfushorit më të mirë të Superiores është në rrjedhën e mendimeve të mëparshme. Duke qenë se ka një mesatarizim të madh të vlerave, nuk sheh një lojtar të mirë në mesfushë. Nëse flasim për mesfushorët e qendrës, nuk sheh ndonjë lojtar që të bëjë diferencën në raport me të tjerët. Ka ditë në të cilën një lojtar është në gjendje më të mirë fizike apo psikomotorike dhe prevalon në raport me kundërshtarin e tij, por në përgjithësi nuk shoh një mesfushor që të dallohet, të marrë skuadrën në kurriz dhe të duket në diferencë në raport me të tjerët. Por një mesfushor i plotësuar mund të jetë Aleksi i Egnatias, që është pikë pasimi e mirë dhe di të bëjë shumë gjëra. Nuk është një lojtar që ka nevojë edhe për dikë tjetër që ta mbulojë në repartin e tij. Pra, i del zot vetes, sepse ne në këtë gradë jemi, të kemi lojtarë që t’i dalin për zot vetes në të gjitha fazat e lojës në zhvillimet e një ndeshjeje. Besoj se Aleksi i plotëson deri diku këto pritshmëri. Ka edhe disa lojtarë të tjerë që janë më ofensivë si Rrapaj apo Zabërgja, por nuk është se janë të plotë dhe nuk i shoh si lojtarë, që ezaurojnë të gjithë vlerësimin që unë kam për një mesfushor.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"