EKSKLUZIVE/ “Stadiumi nuk mbushet duke bërë një lojë të dobët”, shpërthen presidenti Halili: Lojtarë të mbivlerësuar, janë shumë larg asaj që presim
Presidenti i Tiranës, Refik Halili, shpërthen pas ndeshjes me Kukësin. Edhe pse skuadra e tij fitoi, Halili shigjetoi skuadrën. E tha hapur që e kishte me lojtarët dhe ata duhet t’i vënë gishtin kokës për performancën në fushën e lojës.
Si e patë takimin me Kukësin. Një fitore me zemër në dorë…
Prisja që skuadra të bënte diçka më mirë se çfarë bëri në fushën e lojës. Për ne e rëndësishme ishte fitorja dhe tri pikët. Unë personalisht kisha besim se ekipi do ta merrte trepikëshin, por mënyra se si luajtëm na vuri në vështirësi shumë të madhe. Megjithatë, shpresoj që skuadra nga dita në ditë të bëjë ndryshimin dhe duhet ta bëjë.
Pse jeni i bindur që skuadra do ta bëjë ndryshimin?
Janë një kontingjent shumë i mirë lojtarësh si emra. Gjithsecili e di vetë se çfarë emri ka. Dhe për emrin që ka i duhet të japë më shumë se çfarë i takon. Janë futbollistët më të vlerësuar nga ana financiare të kampionatit shqiptar. Kjo është e padiskutueshme sepse ne e dimë shumë mirë se me çfarë financash paguhet çdo sportist. Për t’u krenuar nuk është dhe të dalim e të themi se çfarë bëjmë ne, por unë e kam direkt me lojtarët. Dhe nëpërmjet kësaj interviste po ua rithem mesazhin që u kam dhënë, po ua them edhe ju. Po e them troç. Sportistët janë të mbivlerësuar. Për sa i përket lojës që duhet të na kënaqë ne dhe që të marrin rezultate pozitive janë shumë larg asaj që presim nga fillimi i kampionatit dhe që vazhdojmë të presim.
Kjo që thoni ju duket si situatë e pashpresë?
Unë personalisht kam besim se çdonjëri nga ata futbollistë, them se do ta bëjnë ndryshimin dhe do t’i thërrasin mendjes e do të punojnë do e do të përqendrohen që të bëjnë më të mirën për të shkuar përpara.
Cili shpëton nga kritikat tuaja?
Me qetësi shumë të madhe unë them se po të shihnim me kujdes lojtarët, ata u munduan që të bënin më të mirën për skuadrën. Për ta marrë fitoren. Në veçanti po të shohësh, vlerësoj si specialist dhe tifoz që Patriku i solli një qetësi skuadrës dhe punoi me zgjuarsi dhe puna e tij solli fitoren.
President, këto ishin fjalë të rënda për yjet e skuadrës që t’i flasin mendjes?
Është normale. Si çdo njeri duhet të jemi të kujdesshëm për pagën që marrim. Duhet të japim maksimumin dhe jo aq sa marrim, por më shumë që të fitojë edhe kompania apo klubi. E rëndësishme është që të fitojmë dhe të marrim rezultatet e duhura që të sjellim të ardhura dhe tifozët në stadium. Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Nëse lojtarët duan që të mbushin stadiumin duhet të japin më shumë. Stadiumi nuk mbushet duke bërë një lojë të dobët. E kam vetëm me lojtarët. Duhet të punojnë shumë për të rritur performancën e tyre. Lidhur me tifozët, e kthyem skuadrën në “Air Albania”. E bëmë për ekipin, për tifozët. Ja ku i kemi dritat, stadiumin më të mirë në Shqipëri me një kosto shumë të lartë. Dhe nëse bëjmë një kosto shumë të lartë këtu nuk do të ftojmë tifozët me lojën e dobët, ky do të jetë një dëm i madh për ne. Dëmi ekonomik është shumë i rëndë kur bëhet ndeshja në këtë stadium.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"