EKSKLUZIVE/ Smajli: Vllaznia më cilësorja, historia ia kërkon titullin! Luftën e ka kundër… (E PLOTË)
Geralb Smalji po spikat në kampionatin e futbollit në Kosovë. Mbrojtësi i transferuar nga Vllaznia te Ballkani gjatë merkatos së verës është shndërruar në titullar fiks dhe po shkëlqen me kampionët e Kosovës.
Për “Panorama Sport” ai ka folur për këtë ecuri të tijën e po ashtu objektivat e skuadrës. Gjithashtu 22-vjeçari nuk harron as Vllazninë, me kuqeblutë, që gjithmonë ngelin në zemrën e tij.
Smajli, një përshtatje e menjëhershme në Kosovë. Nuk ndryshon aq shumë sa futbolli në Shqipëri apo jo?
Po, jam shumë i kënaqur që jam përshtatur mjaft shpejt. Për këtë dua të falënderoj shokët e skuadrës, drejtuesit dhe trajnerët me të cilët kam punuar këtu. Më kanë mirëpritur shumë mirë dhe jam ndjerë siç i thuhet, si në shtëpi. E kjo patjetër e ka bërë më të lehtë përshtatjen time. Sa i përket kampionatit nuk ka shumë ndryshime me atë të Shqipërisë. Ndoshta në Kosovë luhet një futboll më teknik e në Shqipëri më taktik.
Katër asiste deri më tani në kampionat, do të vijë shpejt goli i parë?
Është e vërtetë që kam bërë 4 asiste dhe dua të bëj sa më shumë në çdo ndeshje. Kjo për të ndihmuar skuadrën drejt rezultateve pozitive. Por do të doja ta provoja edhe shijen e golit sa më shpejt me fanellën e Ballkanit (qesh).
Objektivi i Ballkanit mbetet i njëjti? Pra titulli kampion?
Kjo është një skuadër që ka bërë historinë në futbollin kosovar. Përveç trofeve vendorë ka marrë pjesë dy herë dhe në grupet e Ligës së Konferencës. Në Kosovë në këtë edicion skuadra ka vetëm një objektiv dhe ai është titulli kampion. Gara këtë sezon duket se do të jetë më “e egër” se në ato të shkuarit.
Mund të jetë kjo skuadër një trampolinë e rëndësishme për ju?
Më parë skuadra ka shitur lojtarë në klube të njohura europiane… Ballkani është një ekip që ka shitur shumë lojtarë në disa ekipe të rëndësishme në Europë. Edhe unë shpresoj në një të ardhme të afërt të kem fatin e tyre. Por momentalisht jam i përqendruar vetëm te skuadra. Gjatë verës kisha disa oferta, por zgjodha të jem pjesë e Ballkanit, sepse kjo është një skuadër me projekt ambicioz dhe një hap i rëndësishëm në karrierën time.
E keni ndjekur Superioren, si ju janë dukur skuadrat?
Këtë vit me sa kam parë në Superiore duket se është një kampionat shumë i fortë. Ka disa skuadra që pretendojnë të hyjnë në “Final 4”. Ka një barazi të vlerave për çdo ekip. Megjithatë në qoftë se ka dy ekipe që mund t’i veçoja: Vllaznia dhe Partizani. Të dyja skuadrat i shoh pak para të tjerave dhe i shoh në finalen e kampionatit në fund.
Vllaznia në veçanti, ju mungojnë kuqeblutë?
Më mungon, sepse është ekipi im, aty ku u rrita dhe hodha hapat e parë si profesionist. Kam kaluar 3 vite të mrekullueshme si lojtar i ekipit të parë, pa llogaritur vitet kur kam luajtur tek akademia. Por kështu e ka futbolli, unë kisha nevojë për eksperienca të reja dhe që mund të më ndihmojnë të përmirësohem akoma më tepër.
A mund të jetë ky sezoni i duhur ku skuadra mund të fitojë titullin?
Vllaznia e ka në “ADN” fitimin e trofeve dhe historia ia kërkon. Është e çuditshme që titulli mungon prej kaq shumë vitesh në Shkodër duke ditur se çfarë prodhon ai qytet dhe ajo skuadër. Sezonin e kaluar nuk shkuam në finalen e kampionatit, por uroj ta bëjnë këtë edicion, sepse e meritojnë. Dhe patjetër dua që Vllaznia të jetë kampione e Shqipërisë në fund të edicionit.
Kush mund të jenë rivalët që do të kenë shkodranët në rrugën e tyre?
Vllaznia është e vetme gjithmonë në kampionat, sepse ka kundërshtarë dhe faktorë të ndryshëm përballë. Përveç Partizanit, them se edhe Egnatia e Dinamo mund të jenë të fortë gjatë rrugës. Por në mendimin tim kuqeblutë kanë ekip më të mirë sesa skuadrat e lartpërmendura.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"