EKSKLUZIVE/ “Skënderbeu s’ka lider”, legjenda Jani Kaçi: Të rinjtë janë me kujtimet e vitit të kaluar, trajneri serb e shpall kampion Partizanin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2024 | 22:25

EKSKLUZIVE/ “Skënderbeu s’ka lider”, legjenda Jani Kaçi: Të rinjtë janë me kujtimet e vitit të kaluar, trajneri serb e shpall kampion Partizanin (E PLOTË)

Jani Kaçi nuk e konsideron si krizë momentin e keq që po kalon Skënderbeu në kampionat.Jani Kaçi Legjenda e futbollit korçar, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, theksoi se problem më i madh i skuadrës është vetëkënaqësia e lojtarëve të rinj që bën mirë në sezonin e kaluar, si dhe fakti që Skënderbeut i mungon një lider në fushë. Ish-portieri foli edhe për nivelin e kampionatit, ndërsa preku edhe fakti që Silvinjo nuk merr lojtarë nga Superiorja. Në fund Kaçi bëri një koment edhe për ishskuadrën e tij, Partizanin.

Profesor, Skënderbeu duket në krizë rezultatesh në fillim të këtij sezoni. Si e keni parë ekipin në 8 javë kampionat?

Nuk mund të them që Skënderbeu është në krizë. Mendoj se lëvizjet e disa lojtarëve dhe zëvendësimi i tyre me të tjerë, krijon boshllëk, por jo shumë të madh. Koha do të mundësojë ambientimin e këtyre lojtarëve me kërkesat e trajnerit Ivan Gvozdenoviç. Në këto 8 javë, Skënderbeu nuk ka bërë keq si skuadër, por është ndëshkuar në ndeshje të veçanta nga gabime individuale të lojtarëve, që akoma nuk kanë fituar eksperiencën e duhur.

Sipas jush, çfarë i mungon Skënderbeut në këtë kampionat?

Më duhet të theksoj edhe një fakt, që në ekip janë shumica lojtarë të rinj, të cilët edhe në kampionatin e kaluar bënë paraqitje dinjitoze dhe natyrshëm shfaqën shenja vetëkënaqësie. Rezultatet pozitive duhet të shërbejnë për një punë më specifike në skuadër, ku stafi teknik ua kërkon, por puna individuale është më e rëndësishme. Këto bëjnë atë që gabimet mos t’i kushtojnë lojtarit dhe skuadrës. Veç këtyre, në skuadër brenda fushës mungon lideri për ta udhëhequr.

Edhe skuadra të elitës europiane kanë probleme në fillimet e sezoneve, por e rëndësishme është që të përpiqesh të rregullosh këto situata, jo t’i hiperbolizosh për keq. Presidenti Takaj dhe trajneri Gvozdenoviç mendoj se i arsyetojnë me qetësi dhe realizëm këto probleme.

Edhe futbollistët jam i bindur që besojnë te kthesa dhe do të reagojnë për të bërë më të mirën në vazhdimësi. Sjellja e futbollistëve, për të cilët unë kam shumë respekt, do të bëjë që këtyre djemve t’u japin mbështetje në fushën e lojës. Tifozëria korçare është e shkëlqyer dhe do ja u dhurojë këtë stimul për vazhdimësinë.

A i ka shërbyer pushimi i kampionatit Skënderbeut, në mënyrë që trajneri Gvozdenoviç të rregullojë mekanizmat e duhur të lojës?

Pushimi për të gjitha ekipet është domosdoshmëri për të bërë rregullime në planin fizik, teknik dhe taktik, por natyrisht edhe kohën e rikuperimit. Këtë mësë miri po e bën edhe Gvozdenoviç me stafin, me prezencë edhe të Takajt. Kjo sigurisht ngjall optimizëm.

Si e shikoni kampionatin në tërësi, kur jemi në fundin e fazës së parë?

Kampionati nuk më duket me diferenca të mëdha në lojë dhe pikë. Pra, 3 pikë të çojnë lart dhe një humbje të zbret poshtë. Nivelin e kampionatit e ngrenë lojtarët. Nuk ka lojtarë që spikatin. Janë lojtarë me nivel mesatar dhe të ulët. Pjesëmarrja e tifozërisë në numër të vogël dhe mospërfshirja e asnjë lojtari nga Superiorja në kombëtare, e tregon atë që unë përmenda.

Natyrisht, Silvinjo tenton të përfshijë nga kampionati, por duket se më parë i heq, sepse i shikon që nuk vlejnë. Futbollistët shqiptarë duhet të kenë ambicie për të qenë pjesë e këtij ekipi kombëtar, që po bën kaq mirë, bashkë me tifozërinë e shkëlqyer të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Aq të stimulon kjo kombëtare, sa unë në moshën 72-vjeçare do të doja të isha pjesë.

Në fund një koment për Partizanin, që ka ndryshuar trajnerin dhe udhëheq tabelën e klasifikimit?

Unë jam me Skënderbeun dhe dua ta shikoj lart, por Partizani është skuadra që më ka dhënë lavdinë dhe sot më nderon e respekton. Mendoj se Partizani meriton të jetë kampion dhe trajneri serb do të dijë ta udhëheqë drejt titullit këtë sezon. Është klub me traditë dhe me investime në infrastrukturë dhe cilësi.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"