EKSKLUZIVE/ “Si mora apartament pas golit nga goditja e dënimit”, Sul Mema: Zhvendosa topin prej barrikadës dhe qeshi gjithë stadiumi
Sulejman Mema ka qenë një mesfush or i talentuar, vizionar, organizator dhe me shpirt të madh. Fillimisht te Shkëndija dhe më pas te 17 Nëntori (sot KF Tirana), ai ka qenë mjeshtri absolut i goditjes me hark. Një ekzekutues i rrallë i “gjethes së thatë”.
Një stadium, një tifozëri, teleshikues, radiokronistë, të gjithë në ankth kur për 17 Nëntorin jepej një goditje dënimi në kufijtë e 16 metrave dhe pranë topit afrohej Mema. Veli Rada, i mirënjohuri i mikrofonit, para një momenti të tillë direkt në valët e radios, do të shprehej: “Tek topi është Sulejman Mema, unë vë bast që do të shënojë! Ja teksa gjuan dhe… gol!”.
Por si i rikthehet sot historisë së viteve 80-të vetë Sulejman Mema. Mjeshtri i asaj goditje magjistrale, që në një moment të jetës, i shërbeu për diçka të madhe dhe të veçantë për të dhe familjen e tij, tregon për “Panorama Sport” historinë e rrallë. Si përfitoi një apartament pas golit kundër Lokomotivës dhe jo vetëm.
Zoti Mema, si ndodhi që të erdhi një propozim i tillë, pra të merrje dhuratë një apartament nëse shënoje?
Ka qenë mars i vitit 1982. Ishim para një ndeshjeje me Lokomotivën në Tiranë. Të grumbulluar te Hotel “Drini”, ngjitur me Komitetin Ekzekutiv, po qëndronim jashtë, ndërsa aty po kalonte Kryetari i Komitetit Ekzekutiv, Jashar Menzelxhiu, i shoqëruar nga trajneri Enver Shehu. Unë isha fejuar dhe do të martohesha, ndërsa pata bërë një kërkesë për shtëpi në atë kohë. Sa i pashë, i bëj me shenjë trajnerit Shehu që a mundet ta takoj kryetarin?
Çfarë të tha i ndjeri Shehu?
Menjëherë e takova kryetarin, për më tepër ai ishte shumë tifoz. “Mema, do fitojmë sot”, më pyeti vetë Jashari. “Shpresojmë”, iu përgjigja. “Çfarë shpresojmë, ne do fitojmë patjetër…!”, ma kthehu ai. “Shoku kryetar”, i them unë – kam bërë kërkesë për shtëpi dhe pres përgjigje”. “Shiko, po fituat kundër Lokomotivës dhe t’i shënon, e ke të sigurtë shtëpinë”, ishte reagimi i kryetarit. Pas këtij premtimi u ndamë.
Një takim i rëndësishëm me Lokomotivën dhe ju realizoni gol, si e kujtoni?
Ka qenë e dielë, 20 mars 1982. Luhej faza e dytë në “Qemal Stafa” dhe stadium ishte mbushur plot me spektatorë. Arbitër ishte Kristaq Peqini nga Elbasani. Para takimit në dhomën e zhveshjes, u them shokëve se “kryetari Jashar Menzelxhiu më ka premtuar shtëpi nëse fitojmë”. Gjatë lojës e shihja kryetarin që e ndiqte takimin me ankth nga tribuna qëndrore. Fillimisht shënuam ne me Agustin Kolën në minutat e para.
Në fillim të së dytës, ka barazuar Ballgjini për 1-1. Kujtoj nga mesi i pjesës së dytë, kur arbitri dha një goditje dënimi për ne, kam realizuar golin e dytë, atë të fitores 2-1. Ishte një ekzekutim me topin mbi barrikadë, në këndin e djathtë nga porta veriore. Madje portieri i Lokomotivës, Vladimir Ajazi, që martohej atë fundjavë, në tentativë për ta pritur topin, u përplas me shtyllë. Shkova dhe e pyeta se mos ishte dëmtuar, ai mu përgjigj me shaka: “ik mos më…”. Pas golit kam vrapuar nga tribuna, për t’i treguar kryetarit se e mbajta premtimin, ndërsa ai më bënte me shenjë: “eja nesër”.
Dhe më pas vërtet e morët apartamentin…?
Të hënën me biçikletë duke shkuar në shkollën e mesme bujqësore në Qytetin e Nxënësve, ku dhe jepja mësim, ndalova para Komitetit. Takoj Gjergjin, përgjegjësin, për t’u informuar se kur vjen Kryetari. Kur ai me tregoi dy zarfa, njërin për mua dhe tjetrin për Entin e Banesave. E hapa me shpejtësi, teksa brenda ishte autorizimi i shtëpisë që kam edhe sot e kësaj dite.
Për kohën marrja e një apartamenti ishte privilegj shumë i madh. Në atë sezon jeni edhe në listën e golashënuesve… Në renditjen përfundimtare u shpallëm kampionë me 37 pikë, duke lënë pas Flamurtarin me 33 pikë. Në listën e shënuesve, i pari ishte vlonjati Vasil Ruci me 12 gola, Agustin Kola me 10, dhe me nga 8 gola Dali Faruku e Ferid Rragami. Në kuotën 7 golave isha unë, shkodranët Vukatana e Luçi, si dhe Sefedin Braho i Luftëtarit.
Rikthehemi pak tek ajo goditje. Sa besim kishte skuadra tek ju në të tilla raste?
Besimi total nga trajneri, lojtarët dhe tifozët. Të gjithë e dinin që goditjet në kufijtë e zonës, sidomos nga krahu i djathtë, ishin të miat. Nuk afrohej askush! Vetëm kur faulli ishte nga e majta, alternoheshim me Agustin Kolën, pasi edhe ai godiste mirë nga ai krah. Unë e aplikoja sistematikisht në stërvitje atë goditje, zakonisht pas përfundimit të saj. Te Shkëndija fillimisht, e më pas te 17 Nëntori.
E kujtoni golin e parë të shënuar me “gjethe e thatë”?
Ka qenë në një miqësore kundër Flamurtarit të Prishtinës në stadiumin “Dinamo”, kur unë luaja me Shkëndijën, në sezonin 1975-1976.
I mbani mend portierët që ke ndëshkuar shpesh nga këto goditje?
Ishte një periudhë që shënoja gola rregullisht. Një gol e kam realizuar në finalen me Flamurtarin në Tiranë. Kujtoj të ndjerin Ilir Luarasi, me të cilin isha shok te Shkëndija. Edhe pse e dinte goditjen time, prapë unë i realizoja. Ndaj Dinamos, në një takim, Iliri u vendos pranë shtyllës dhe mbrojtësi Agron Hazbiu në vijën e portës në krahun tjetër. Topi mbi kokën e tij dhe në rrjetë nga porta e qytetit.
Po nga ndeshjet ndërkombëtare, çfarë kujtoni më shumë?
Janë tre gola, por dy janë ato që nuk i harroj. Në edicionin 1981-1982 në Kupën Ballkanike, ishte finalja e dytë në Tiranë. Të parën 3-0 në Bullgari për Beroen e Stara Zagorës. Edhe në Tiranë humbëm 3-1, ndërsa realizova të vetmin gol në fund të lojës. Ai kundër Hamarbit në Kupën e Kupave në “Qemal Stafa”, ishte goli i fitores 2-1, por u eliminuam pas humbjes 4-0 në Suedi.
Ndryshimi i topave sa ndikonte në atë periudhë?
Sigurisht që ndikonte. Ndryshimi i materialeve, këpucët, topat ndër vite, ndikonte në shpejtësinë dhe saktësinë e goditjes. Topat e përdorur në vitet ‘70-‘80 ishin më të rëndë se ato që u përdorën më pas.
Në këngën e Tiranës, ju quajnë “braziliani Mema”…?
Ka patur edhe të tjerë lojtarë tipikë “brazilianë”, mes tyre i ndjeri Vasillaq Zëri. Sa herë ishim bashkë në mbrëmje argëtuese, kur këndohej kënga dhe dëgjohej shprehja që thoni ju, ai kthente kokën, duke më thënë me shaka: “Nuk e dinë këta se kush ka qenë braziliani i vërtetë, nëse të kisha luajtur edhe unë me 17 Nëntorin”.
Sot duket sikur është mundësia më e madhe për të shënuar, pasi kanë ndryshuar edhe rregullat e lojës…
Sigurisht, pasi në kohën tonë barrikada nuk respektonte distancën. Sot ka është vijëzim në fushë, që të ndihmon. Madje në barrikadë një lojtar shtrihet poshtë pas saj, për të evituar golat tokazi, kur lojtarët e murit kërcejnë. Po nga një goditje dënimi merret edhe një 11-të metërsh, kur topi preket me dorë.
Keni një rast unikal, kur flitet për një goditje dënimi, një veprim të pazakontë tuajin në një ndeshje me Lokomotivën. Na i tregoni…
Në Durrës lihej Lokomotiva-17 Nëntori dhe arbitër ishte shkodrani Tef Prela. Ishte një goditje dënimi dhe unë merrja vrull, ndërsa barrikada afrohej deri në 6 metra. I kërkova arbitrit që ajo të respektonte distancën. Përsëri, e njëjta situatë, unë vrull, ata afroheshin. Atëherë morra topin dhe u zhvendosa 2 metra mbrapa nga vendi i faullit. Pati një reagim plot humor në stadium. Godita, por pa rezultat.
Cilat mbeten sipas jush kriteret para një ekzekutimi të “gjethes”?
Largësia nga porta, pozicioni ku është faulli, ballore apo pak diagonal, lartësia e murit, duke shfrytëzuar pikën më të ulët të tij. Portieri gjithashtu, struktura fizike e tij, i gjatë apo jo, pozicioni, vendosja e tij. Situata, sa është rezultati, minuta e lojës dhe kryesorja përqendrimi i lojtarit goditës. Ankthi i një stadium dhe më pas shpërthimi nëse shënohet. Një kënaqësi që nuk mund të tregohet.
Zoti Mema, nëse do të ishit para një goditjeje dënimi, do të preferonit “folha seca” apo “leaf kick”?
Të parën pa dyshim!
Në fund dalim pak jashtë kësaj teme. Dimë që keni një kujtim të bukur me një personalitet të madh si Xhovani Trapatonin…
Po, është ai me Xhovani Trapatonin, lojtarin e Milanit, trajnerin e njohur të Juventusit, Interit dhe Kombëtares së Italisë. Jemi pas viteve 90-të, saktësisht 1992, nga herët e para që shkoja në Itali. I kërkova një takim klubit të Juventusit. Më ftuan në qendrën e tyre të stërvitjes në Torino. E kam një ndër kujtimet më të bukura dhe emocionante. Edhe për Trapatonin ishte një takim emocionues, plot kureshtje për një vend, futbollin e të cilit nuk e njihnin mirë. Pastaj si juventin që jam, njohjen dhe simpatinë që kisha për këtë klub, ishte një detaj më shumë.
UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"