EKSKLUZIVE/ Sejdini: Pashë Dinamon më të mirë për 80 minuta kundër Vllaznisë, do të rivalizojë për titull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2024 | 9:05

EKSKLUZIVE/ Sejdini: Pashë Dinamon më të mirë për 80 minuta kundër Vllaznisë, do të rivalizojë për titull

Edhe në ndeshjen e fundit me Vllazninë ishte i pranishëm në stadiumin “Loro Boriçi”.

faruk sejdini

Faruk Sejdini, ish-trajneri i shquar i Dinamos, nuk mungon as në transfertat e skuadrës së zemrës dhe këtë herë ia vlejti lodhja e udhëtimit. Blutë fituan 2-3 kundër Vllaznisë, duke zhvilluar një nga ndeshjet më të mira të sezonit, siç pohon edhe “Xhaxhi” për “Panorama Sport”.

“Isha në Shkodër dhe e pashë ndeshjen nga afër. Mund të them se kam parë Dinamon më të mirë të këtij sezoni për 80 minuta apo pak më shumë. Shënoi 3 gola dhe mund të kishte shënuar edhe disa të tjerë me rastet që krijoi, pastaj në fund u krijua ajo situatë, ku mund të rrezikohej gjithçka. Janë momente paniku, ku ndonjëherë, siç themi ne, “e thith porta”.

Sigurisht, është e mira që të shmangen këto situata, por fitorja ishte plotësisht e merituar për atë që skuadra dha në fushë. Nuk kishte asnjë dyshim. Ishte fitore shumë e rëndësishme ndaj një rivali direkt. Ndoshta ishte Dinamo shumë mirë, por nuk kisha parë ndonjëherë Vllazni aq të dobët, që nuk bënte dy-tri pasime bashkë. Ishte zhgënjim shumë i madh ajo paraqitje e shkodranëve”, ka thënë Sejdini.

ZABËRGJA SUPER – Më tej, duke folur për rritjen e Dinamos si në lojë, ashtu edhe në rezultate, ish-trajneri i bluve evidentoi ndikimin e disa faktorëve, ndërsa nga lojtarët veçoi Baton Zabërgjën. “Patjetër që kanë ndikuar disa faktorë bashkë. Influenca e trajnerit Daja te kjo rritje e Dinamos dihet, por edhe grupi i lojtarëve është vërtet i mirë, i kompletuar.

Unë do të veçoja Zabërgjën, i cili është një lojtar me kualitet që e tërheq skuadrën në sulm. Janë edhe të tjerët, por Zabërgja ka një rol shumë të rëndësishëm në gjendjen aktuale të Dinamos. Nëse ikën që në janar në një kampionat tjetër, do t’i prishë shumë punë Dinamos, vështirë se zëvendësohet. Pastaj, siç e dimë, është edhe garancia financiare që i ofron klubit dhe ekipit presidenti Bardhi. Lojtarët dhe stafi teknik janë shumë të qetë te kjo pjesë, që dihet se ka rolin e vet vendimtar në ecurinë e një skuadre”, ka theksuar më tej Faruk Sejdini.

PRETENDENTE PËR TITULL – Me rezultatet e fundit “Nëndetësja” është afruar në 2 pikë me vendin e parë. Edhe pse me mungesa titullarësh, skuadra e Dajës ka zhvilluar lojëra shumë të mira dhe sipas Sejdinit, shanset për titull janë reale:

“Unë mendoj se skuadra është e fortë dhe mund të rivalizojë për titullin kampion. Ka një grup të mirë lojtarësh dhe nëse nuk do të ketë shitje në janar nga klubi, mund të bëjë akoma më mirë. Sigurisht që klubi do të shikojë edhe pjesën e marketingut, siç ndodh kudo në futboll.

Nuk e shikoj shumë renditjen, sepse me këtë formulë nuk ka shumë rëndësi, aq më tepër për Dinamon që luan gjithmonë jashtë. Nuk është se i prish punë fakti që ato finalet e titullit zhvillohen në kryeqytet apo jo. Është vetëm ajo pjesa e barazimit si avantazh për dy vendet e para. Me këtë ritëm që ka besoj se do të zhvillojë një kampionat të mirë dhe pse jo të mos e finalizojë me trofe. I ka të gjitha mundësitë”.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"