EKSKLUZIVE/ “Së shpejti luaj në ligat e mëdha”, rrëfehet Matondo: Partizani për titull, Hadroj më i miri (E PLOTË)
Nëse tifozët do të donin të kthenin një “ish” te Partizani, me siguri ai do të ishte në krye të listës. Po flasim për Masanga Matondon, një nga mesfushorët më të mirë të viteve të fundit në Kategorinë Superiore, aktualisht pjesë e Hatajsporit në Superligën turke.
Kongolezi shkëlqeu te Partizani për një vit e gjysmë dhe më pas me shumë polemika arriti të largohet nga të kuqtë dhe të transferohet në kampionatin turk, ku e gjeti veten shumë shpejt dhe ka kontribuar shumë për ekipin. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Matondo flet për eksperiencën në Turqi, transferimin e radhës, Partizanin e ri dhe shokët e vjetër. Mesfushori shprehet se të kuqtë tashmë janë ekip i ri, por mbartin ende cilësi që mund ta shpallin sërish kampion. 25-vjeçari është një nga afrimet më të goditura të Partizanit në sezonet e fundit.
Masanga, si ndiheni në Turqi? Keni gjetur ambientin e duhur te Hatajspori?
Ndihem shumë mirë, kam gjetur ambient të ngrohtë dhe më kanë pritur me qasje pozitive. Ju po luani si titullar që nga transferimi në verën e vitit të kaluar.
Ju po luani si titullar që nga transferimi në verën e vitit të kaluar. Jeni i kënaqur me paraqitjet e zhvilluara?
Jam i kënaqur me mënyrën sesi e kam nisur dhe vazhduar ecurinë time këtu te Hatajspor, por jam i vetëdijshëm se mund të bëj shumë më mirë se kaq për të ndihmuar ekipin dhe veten.
Si ka nisur ky sezon i ri? Cilat janë objektivat e klubit?
Nuk e nisëm sezonin mirë, kemi hasur disa vështirësi, por jemi vetëm në fillim të këtij edicioni dhe duhet të vazhdojmë të punojmë fort. Nëse e bëjmë këtë, mund të kemi një sezon të mirë. Objektivi i këtij sezoni është mbijetesa në Superligën e Turqisë.
Sa gjatë e shihni veten si pjesë të Hatajsporit? Mund të shohim një transferim tjetër së shpejti?
Për momentin jam lojtar i Hatajsporit dhe vëmendja ime është te kjo skuadër. Megjithatë, nuk kanë ndryshuar ambiciet e mia për të luajtur një ditë në kampionatet më të mëdha të Europës.
Ka pasur oferta gjatë verës, por për momentin kam vendosur të qëndroj te Hatajspori, ndoshta deri në janar ose deri në fund të sezonit. E rëndësishme është që unë kam marrëdhënie shumë të mirë me klubin, ata më besojnë dhe unë gjithashtu. Besimi reciprok është gjëja më e rëndësishme për mua.
Cili është objektivi juaj më i madh në karrierë?
Siç e thashë edhe më lart, është që të luaj në kampionatet më të mëdha dhe të përballoj sfidat e të luajturit në të tilla nivele. Shpresoj që t’ia dal dhe më ndihmën e Zotit të kem një karrierë të gjatë dhe pa dëmtime.
A e keni ndjekur Partizanin? Si duket ish-skuadra juaj?
Nuk e kam të mundur ta ndjek rregullisht, por kam parë disa ndeshje. Për shembull, e ndoqa në ndeshjen e fundit kundër Egnatias, ku arriti të fitojë. Nuk arrij të bëj një analizë të thelluar rreth Partizanit, por ajo që mund të them është se i shoh si një ekip i ri me mjaft cilësi në organikë.
Pas largimit me polemika, si është marrëdhënia juaj me Partizanin tani?
Nuk ka një marrëdhënie. Rrugët tona janë ndarë dhe nuk kam asnjë kontakt.
Me cilët nga ish-shokët e skuadrës ruani ende kontakte?
Kam mbajtur marrëdhënie të mira me të gjithë. Flas me Skukën, Bintsukën, Mensahun dhe lojtarin më të mirë të Partizanit, Hadrojn. Me të flas përmes Skukës, ma kalon në telefon sa herë dua ta përshëndes.
Mendoni se Partizani mund ta fitojë sërish titullin në këtë sezon?
Sigurisht që po, ata kanë cilësinë e duhur për ta arritur këtë, aq më shumë kur të pranishëm janë edhe lojtari i 12-të, “Ultras Guerrils”. Tifozët janë motiv i madh për Partizanin.
A ju duket se i mungon Partizanit një lojtar si ju? Ata kanë shfaqur probleme në mesfushë…
Të gjithë që kanë veshur fanellën e Partizanit dhe i kanë shërbyer klubit me zemër dhe me paraqitje të mira, do t’i mungojnë Partizanit. Por me kohën kjo kalon, hapet një faqe e re, njësoj siç ka ndodhur me ata që kanë qenë para nesh. Unë i uroj suksese të mëdha klubit, lojtarëve që kanë ardhur pas nesh dhe djemve që kanë luajtur me mua dhe janë ende aty!
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"