EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-trajnerit kampion, Gega: Partizan i brishtë, ja çfarë u duhet “demave” (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2024 | 23:20

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-trajnerit kampion, Gega: Partizan i brishtë, ja çfarë u duhet “demave” (E PLOTË)

Partizani dhe Dinamo sfidohet për herë të parë që nga viti i largët 2008 si dy ekipe që luftojnë për titullin. Për shumë sezone të kuqtë militonin në ligat e ulëta e më pas erdhi radha e bluve, por tashmë të dy janë kthyer në majën e futbollit tonë.

skender-gega-770x430

Në një intervistë për “Panorama Sport”, derbin e së shtunës e ka analizuar trajneri i njohur, kampion me “Demat”, Skënder Gega. Ish-mbrojtësi pret një derbi të bukur, teksa analizon edhe elemente që mungojnë te të dyja ekipet, duke u ndalur më shumë te nënkampionët.

Profesor, si i gjen Partizanin dhe Dinamon ky derbi?

Të dyja janë ekipe që e meritojnë të jenë në vendet e para, jo vetëm për nga cilësia, por edhe nga historia që përfaqësojnë. Të paktën deri më tani, i shoh si dy ekipe pretendente për atë që kanë treguar.

Që nga 2008-a këto dy klube nuk luftonin së bashku për titullin. Sa ju kënaq rikthimi i kësaj konkurrence?

Absolutisht është gjë e bukur dhe shumë e rëndësishme për futbollin shqiptar dhe njerëzit që kanë kontribuar për të dy klubet, aq më tepër Dinamon, që kishte vite në hije. Kjo i ndodhi edhe Partizanit para shumë kohësh. Kthimi i Dinamos në këto nivele është shumë e rëndësishme, sepse kjo është pasuria e futbollit tonë. Këta janë klube që mbajnë futbollin në nivele të larta.

Por nga ana tjetër Tirana është në situatë krejt ndryshe. Si i shihni zhvillimet te bardheblutë?

Nuk më pëlqen të hyj në mënyrën e menaxhimit apo politikave të klubeve, por personalisht jam dashamirës i çdo klubi, investitori apo presidenti që sakrifikon në mbështetje të futbollit. Ky sport që nga vitet ’90 nuk ka asnjë suport, të paktën në anën ligjore. Por kur këta njerëz bëjnë këto sakrifica dhe nga ana tjetër duhet të mbajnë këtë presion nga krahu tjetër, të vjen keq. Sot i ndodh Tiranës, nesër mund t’i ndodhë dikujt tjetër. Shpresoj që Tirana ta gjejë mënyrën për të dalë nga kjo situatë dhe të shkojë ku meriton. Një kampionat pa bardheblutë, Dinamon apo Partizanin është thjesht hija e vetvetes. Është një klub pa një fushë. Diçka e paprecedentë në historinë e futbollit shqiptar që një klub kryeqyteti të degdiset sa në një qoshe, në tjetrën. Nuk e di kush i ka fajet, por kjo është e papranueshme.

Për tu kthyer te derbi i së shtunës, si i krahasoni organikat e dy ekipeve?

Me ardhjen e Ilirit (Dajës), por edhe të disa lojtarëve shumë të mirë dhe me eksperiencë e bëjnë Dinamon shumë solide dhe pretendente. Megjithatë, të gjithë ekipet kanë treguar një nivel aty-aty. Është ekip i mirë. Kurse Partizani është një ekip në grup, një klub që funksionon krejtësisht ndryshe krahasuar me klubet e tjera për fatin e mirë. Sot i ka bërë edhe kushtet. Hotelet dhe ambientet janë të mrekullueshme, çka është një ndërmarrje shumë e fuqishme për nivelet e futbollit tonë dhe ka të gjitha mundësitë për të pasur stabilitet në ecurinë e vet. Mënyra e lojës dhe filozofia është çështje e trajnerit pastaj, por si një ndërmarrje, Partizani është superior. Fusha pastaj kërkon kohën e vet. Por klubi i kuq është shembull për tu marrë në ambientin tonë.

Çfarë përshtypjeje ju ka lënë trajneri Veselinoviç?

Mendoj se po e bën mirë punën e vet. Nuk dua të hyj në aspekte të tjera, por flas në mënyrë sportive. Çdo njeri që vjen te Partizani, ndodhet në një pjacë të madhe, në klub me histori, që luan çdo vit edhe në arenat ndërkombëtare. Jam i sigurt që çdokush që vjen, kërkon të bëjë një hap të sigurt, sepse ka benefite të jesh trajner i Partizanit. Shoh një situatë të mirë atje, pa presion, dhe shpresoj të shkojë kështu.

Siç e thatë, Partizani është mbi klubet e tjera në shumë aspekte, por përse nuk e ndërton dot një cikël fitues?

Në kushtet tona Partizani është më mirë se të tjerat, por klubet tona nuk mund të heqin dorë nga disa gjëra, siç është mospranimi i të qenit i dyti. Nuk pranohet lehtë humbja dhe ndoshta jo në mënyrë profesionale marrin vendime radikale, që kryesisht bien mbi trajnerët. Por ky është futbolli, trajnerët i pranojnë vendimet dhe marrin përgjegjësi sfida që nuk e dinë ku do t’i nxjerrin. Është shumë e rëndësishme që mes klubit dhe trajnerit të ketë gradë besimi. Java e dhjetë nuk të humbet titullin, por as të nxjerr kampion. Varet shumë sesa presion vihet mbi trajnerin dhe sa besim kanë klubet tek ata. Nga ana tjetër, ka trajnerë që i kthehen problemeve dhe kjo s’është e mirë. Duhet të ngrenë zërin dhe të pozicionohen qartë në qëndrimin e tyre.

Folëm për organikat e Partizanit dhe Dinamos, teksa këta të fundit vijnë pas një fitoreje 5-0. Kush është favorit të shtunën?

Dinamon e pashë në vështirësi kundër Bylisit, por më pas në Elbasan u shfaq komplet ndryshe. Luajtën më thjeshtë, më të fokusuar dhe të kontrolluar. E goditën Elbasanin ku ka pikat e dobëta. Partizani e ka vrullin, i ka mundësitë dhe përgatitjen fizike, por unë mendoj se janë të brishtë, duket se i mungon eksperienca. Hyjnë lehtë nën presion dhe kjo mendoj se vjen nga eksperienca. Janë djem të rinj dhe ndoshta duhen 2-3 veta që të marrin më tepër përgjegjësi. Jo kur e kanë topin, por në aspektin e përgjithshëm duhet të kenë më tepër përgjegjësi. Kanë pasur shansin t’i mbyllin ndeshjet shumë herë. Por nëse nuk luan në grup dhe je larg ambicies apo egoizmit individual, gjërat ndërlikohen. E shoh si ndeshje shumë të balancuar. Shpresoj të bëhet ndeshje e bukur.

Si ish-mbrojtës, ka ndonjë lojtar të këtij reparti që ju ka bërë më së shumti përshtypje?

Unë mendoj se është lojë në grup dhe kur dy qendërmbrojtës bashkëpunojnë si duhet dhe i përshtaten cilësive të njëritjetrit, del si dyshe. Nuk e di ekzakt, sepse disa ekipe po sajohen me lojtarë që nuk luajnë në rolin e vet, por te Vllaznia do të veçoja Stojanoviç. Nuk ka asnjë lojtar të pagabueshëm, sepse është futboll, por me atë që kam parë më duket një lojtar me eksperiencë dhe atletikisht i përgatitur. Më duket qendërmbrojtës i mirë. Te Partizani, Preka në javët e fundit ka rritje. Në muajt e fundit ka luajtur edhe më kombëtaren Shpresa dhe kjo duhet se i ka dhënë edhe personalitet, çka po e shfaq ndeshje pas ndeshje në fushë. Shpresoj të rritet sa më shumë! Te Teuta më bën përshtypje Jazxhi. E shikoj si lojtar shumë të rëndësishëm. Mënyra si del përpara dhe mbështet ekipin, është shumë i fortë në ajër. Te Dinamo është Bruno Dita, me shumë eksperiencë. Janë disa lojtarë, që kanë rol të veçantë tek ekipet e tyre dhe kanë dhënë shumë kontribut. Te Korça në bashkëpunim shoh Prençin dhe Dumfur, që janë një nga dyshet më të forta. Korça ka problemet e veta, por kjo dyshe janë pikë e fortë e ekipit të Skënderbeut.

DENI LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"