EKSKLUZIVE/ Rrëfehet portieri Sali: Sulmuesit më të fortë i kam në ekip, ja “sekreti” i penalltive (E PLOTË)
Dinamon vjen në derbin me Tiranën pas 4 rezultateve pozitive radhazi, 2 fitore dhe 2 barazime. Blutë mund të kenë ndonjë “peng”, por edhe këto 8 pikë të marra janë mirë në këtë moment.
Barazimi në Laç u konsiderua si rezultati më i drejtë nga trajneri Ilir Daja, edhe pse skuadra e tij humbi disa raste të pastra shënimi, por edhe mund të ishte ndëshkuar, nëse portieri Edmir Sali nuk do ta kishte pritur penalltinë e Melos. “Gardiani” vlonjat i portës blu, në një intervistë për “Panorama Sport” flet për atë moment, ku ai rezultoi vendimtar për skuadrën, për derbin e së shtunës me Tiranën dhe ecurinë objektivat e Dinamos. Sali ka munguar vetëm në tri ndeshje të këtij kampionati për shkak të një dëmtimi muskulor.
Sali, si e përjetuat momentin e penalltisë së pritur me Laçin, që rezultoi vendimtare për atë ndeshje?
Ishte një moment vërtet i gëzueshëm për mua personalisht, por edhe për gjithë ekipin, sepse pritja e penallti rezultoi vendimtare në atë ndeshje. Kemi marrë një pikë në atë transfertë, që besoj se na vlen.
Cili është “sekreti” i një portieri te penalltitë, nëse mund të na e tregoni?
Sekreti për mendimin tim qëndron te parapërgatitja që mund të bësh, te studimi i lojtarëve të ekipit kundërshtar përpara ndeshjes. Këtë gjë te Dinamo e bëjmë bashkë me trajnerin e portierëve, Ilir Bozhiqi, dhe kolegun tjetër, Teqja.
Si e shihni ndeshjen me Tiranën, a është gati Dinamo për të shijuar fitoren e parë në një derbi këtë sezon?
Derbi besoj se do të jetë një ndeshje, ku të dyja skuadrat do të luajnë fort për objektivat e tyre. Kam bindjen se do të jetë edhe një ndeshje e bukur, kështu që do të doja të ftoja tifozët dinamovitë të vinë në stadium dhe të na përkrahin për të arritur atë që duam të gjithë, fitoren. Parashikime nuk di të bëj, ndaj le t’ia lëmë gjithçka fushës. Ne do të mundohemi të bëjmë maksimumin në këtë sfidë të rëndësishme.
Kujt i druheni më shumë te Tirana nga lojtarët sulmues, apo edhe të tjerët?
Unë respektoj çdo lojtar kundërshtar njësoj, i vlerësoj që të gjithë. Por do të thosha se sulmuesit, të cilëve do t’u druhesha më shumë, janë në ekipin tim, te Dinamo.
Si po ndiheni këtë sezon me mbrojtjen “e re”, ku në qendër po luajnë tashmë Dita dhe Aliji?
Mbrojtja mendoj se po funksionon mirë, ashtu si e gjithë skuadra. Në mbrojtje kemi pasur jo pak dëmtime, siç kanë qenë Hoxha dhe Muzek. Profesori është detyruar të përshtatë lojtarë të tjerë në këtë repart dhe siç e kanë treguar edhe ndeshjet javë pas jave, loja mbrojtës e Dinamos po funksionon.
Me atë që po tregon Dinamo deri tani, çfarë mund të arrijë në fund të këtij sezoni?
Me atë që po tregon… Nuk di çfarë të them, mbetet për t’u parë, sepse jemi ende në gjysmën e parë të sezonit. Ne jemi optimistë se do të arrijmë objektivat që ka klubi.
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"