EKSKLUZIVE/ Revolucion në merkato, zyrtari i Partizanit: Si çështja “Diarra” prek futbollin shqiptar, ja çfarë ndryshon me klubet tona (E PLOTË)
Merkatoja e futbollistëve në Europë pritet të pësojë një ndryshim rrënjësor në të mirë të lojtarëve dhe në njëfarë mënyre në dëm të klubeve.
Është çështja e Lasana Diarra ajo që i ka hapur rrugën një revolucioni të madh në transferimet e futbollistëve. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport” në lidhje me këtë temë ka folur sekretari i përgjithshëm i Partizanit, Gerald Burba. “I regjur” prej shumë vitesh me çështjet kontraktuale dhe rregulloren e FIFA-s, Burba shpjegon hollësisht çështjen “Diarra”, por edhe efektin e saj në futbollin europian dhe shqiptar. Sipas tij, klubet nuk do të mund të kërkojnë më shifra të mëdha për të lënë të lirë lojtarët e tyre. Kjo mund të të kthehet kundër, por edhe pro.
Çfarë është çështja “Diarra”, e shpjeguar me terma të thjeshtë?
Rasti i Lasana Diarra është një prej momenteve më të rëndësishme në futbollin ndërkombëtar, që ka vënë përballë rregullat e FIFA-s për stabilitetin kontraktual dhe të drejtën e lirë të lojtarëve për punë brenda Bashkimit Evropian. Ky rast, i etiketuar edhe si Bosman 2.0, ka krijuar një precedent që mund të ndryshojë mënyrën sesi trajtohen kontratat dhe transferimet e lojtarëve në të ardhmen.
Si nisi kjo “luftë” ligjore, cili është historiku i saj?
Në gusht 2014, Lasana Diarra nënshkroi një kontratë me klubin rus, Lokomotiv Moska. Pas konflikteve të vazhdueshme me drejtuesit dhe trajnerin e klubit, Diarra vendosi të largohej dhe të përfundonte në mënyrë të njëanshme kontratën e tij me Lokomotivën, për ta vijuar karrierën në një klub tjetër. Lokomotiva e sfidoi këtë vendim, duke kërkuar një kompensim të lartë prej 10.5 milionë eurosh, bazuar në rregullat e FIFA-s për prishjen e njëanshme të kontratave. Në mars 2015, FIFA vendosi në favor të Lokomotiv Moska, duke dënuar Diarran jo vetëm me një gjobë të rëndë, por edhe me ndalim për të luajtur për një vit.
Dhe Diarra e vazhdoi betejën ligjore?
Pikërisht, ky vendim shkaktoi një reagim të madh, pasi Diarra përmes ekipit të tij ligjor sfidoi këtë vendim në Gjykatën Europiane të Drejtësisë (ECJ), duke ngritur një padi në lidhje me përputhshmërinë e rregullave të FIFA-s me ligjin evropian për lëvizjen e lirë të punëtorëve
Cilat ishin pretendimet e Diarra dhe ekipit të tij ligjor?
Çështja u paraqit në Gjykatën Europiane të Drejtësisë në prill 2016, ku Diarra argumentoi se rregullat e FIFA-s që kërkojnë kompensim të madh për prishjen e kontratës ishin në kundërshtim me të drejtën e tij për të lëvizur lirshëm dhe për të punuar në vendet e BE-së. Ai pretendoi se këto rregulla ndëshkojnë lojtarët në mënyrë disproporcionale dhe krijojnë barriera të padrejta për lojtarët që kërkojnë të largohen nga një klub nëse nuk janë të kënaqur me kushtet e punës.
Dhe përse ky gjyq kthehet të bëhet çështje pas disa vitesh?
Pas gati 8 viteve, më 4 tetor 2024, Gjykata Europiane e Drejtësisë shpalli vendimin, duke përmbyllur një nga çështjet më të diskutueshme në futbollin ndërkombëtar. Ky organ i drejtësisë vlerësoi se disa aspekte të rregullave të FIFA-s për transferimin e lojtarëve dhe kompensimin financiar, si dhe ndëshkimet sportive të imponuara ndaj klubeve dhe lojtarëve në rastin e prishjes së kontratave pa “shkak të ligjshëm” janë të papajtueshme me garantimin e lirisë së lëvizjes së punëtorëve dhe ligjin e konkurrencës në BE.
Pra, Gjykata Europiane e Drejtësisë po pozicionohet përballë FIFA-s?
Vendimi thekson rëndësinë e prevalimit të ligjit të BE-së edhe në kontekstin e rregullave që rregullojnë sportin. Gjykata argumentoi se kërkesat e FIFA-s për kompensim të lartë dhe ndëshkime për lojtarët që prishin kontratat pa “shkak të ligjshëm” kufizojnë lirinë e lëvizjes dhe krijojnë pengesa në tregun e punës për lojtarët profesionistë.
Cili mendoni se do të jetë hapi i radhës i FIFA-s?
Ky rast, si dhe të tjera të ngjashme, kanë krijuar një presion të fortë mbi FIFA për të rishikuar rregulloret e saj për të shmangur abuzimin nga klubet dhe për të siguruar që lojtarët të mos penalizohen në mënyrë disproporcionale. Tanimë, FIFA ka nevojë të përshtati rregullat e saj për t’u përputhur me ligjet europiane, të cilat mbrojnë lëvizjen e lirë të punëtorëve dhe të drejtën për të prishur kontratat në kushte të caktuara. Nga ana tjetër qeveria e futbollit botëror është në “siklet” në lidhje me mënyrën sesi klubet do të shpërblehen kur një lojtar u largohet.
Më konkretisht, çfarë ndryshimesh mund të pasojnë në futboll?
Reduktimi i kompensimeve disproporcionale. FIFA mund të përcaktojë kritere më të qarta dhe më të arsyeshme për llogaritjen e kompensimeve në rastet e prishjes së kontratave. Kjo do të shmangte kërkesat për shuma të mëdha kompensimi që kanë për qëllim të ndëshkojnë lojtarët në mënyrë të tepruar. FIFA mund të krijojë gjithashtu mekanizma më efektivë për zgjidhjen e konflikteve mes lojtarëve dhe klubeve, duke përfshirë më shumë garanci për mbrojtjen e të drejtave të lojtarëve.
Pra, një lojtar do ta ketë shumë më të thjeshtë për t’u larguar, edhe pse ka një marrëveshje me një klub të caktuar?
Teksa FIFA synon të ruajë stabilitetin kontraktual, ajo mund të ndryshojë rregullat për ndëshkimin e lojtarëve që prishin kontratat, duke ulur penalizimet e tepruara dhe duke vendosur masa më të drejta për të ndaluar largimet arbitrare.
Kush e pëson më shumë nga këto ndryshime që priten të bëhen?
Ndryshimet e pritshme në rregulloret e FIFA-s mbi statusin dhe transferimin e lojtarëve nuk do të kenë vetëm ndikim në klubet e mëdha ndërkombëtare, por do të reflektojnë veçanërisht në klubet e mesme dhe të vogla, përfshirë ato në Shqipëri. Klubet e vogla, që shpesh përballen me buxhete të kufizuara dhe vështirësi në mbajtjen e lojtarëve të talentuar, mund të përballen me sfida të reja dhe mundësi të reja si rezultat i këtyre ndryshimeve.
Çfarë do të ndryshojë në merkaton dhe lëvizjet e lojtarëve në Shqipëri?
Nëse FIFA ul kompensimet e kërkuara për prishjen e kontratave, klubet e vogla mund të humbasin më lehtë lojtarët e tyre kyç, pa pasur mundësi të kërkojnë kompensime të larta, që aktualisht janë shumëfish më të larta se investimet e kryera për një lojtar të caktuar. Kjo mund të dëmtojë stabilitetin dhe investimet që këto klube bëjnë te lojtarët e rinj.
Çfarë masash mendoni se duhen marrë?
Për shkak të rrezikut të humbjes së lojtarëve me kosto më të ulët, klubet e vogla si ato në Shqipëri do të duhet të zhvillojnë strategji më të qëndrueshme të menaxhimit të kontratave, duke vendosur kushte më të qarta dhe më të mbrojtura për prishjet e njëanshme të kontratave. Kjo mund të nxisë klubet që të përmirësojnë qasjen e tyre ligjore dhe financiare në marrëdhëniet me lojtarët. Këto klube do të duhet të përshtaten me realitetet e reja ligjore dhe të forcojnë strategjitë e tyre për mbajtjen e lojtarëve, teksa nga ana tjetër përfitojnë nga një treg transferimesh më fleksibël. Balancimi midis sfidave dhe mundësive do të përcaktojë suksesin e tyre në një treg gjithnjë e më të ndërlikuar të futbollit ndërkombëtar.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"