EKSKLUZIVE/ Quajeni Dinamo e Durrësit, blutë do të luajnë ndeshjet e mbetura në “Niko Dovana”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2023 | 8:10

EKSKLUZIVE/ Quajeni Dinamo e Durrësit, blutë do të luajnë ndeshjet e mbetura në “Niko Dovana”

Ndeshjet e mbetura të këtij sezoni si skuadër pritëse Dinamo do t’i luajë në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Deri tani blutë kanë luajtur në Elbasan, por klubi ka vendosur të ndryshojë “shtëpi” dhe të kalojë në Durrës.GFT

Nuk ka të bëjë kjo lëvizje me çështjen e përfolur gjatë se Dinamo do të spostohet në Durrës. Vendimi i klubit është marrë me qëllimin për të afruar sa më shumë tifozë pranë skuadrës. Deri tani, në pamundësi për të luajtur në kryeqytet si skuadër pritëse, blutë i kanë zhvilluar ndeshjet në “Elbasan Arena”, ku numri i tifozëve ka qenë shumë i vogël. Gjatë fundjavave, kur luhen kryesisht ndeshjet e kampionatit, Durrësi është një qytet që tërheq më shumë njerëz dhe rrjedhimisht mund të ndikojë si një shtysë më shumë edhe te tifozët e Dinamos për të ndjekur nga afër ekipin e zemrës. Po ashtu, edhe qytetarët durrsakë që janë futbolldashës kanë mundësinë për të parë më shumë ndeshje në stadiumin “Niko Dovana”, veçanërisht familjarët dhe miqtë e lojtarëve durrsakë që Dinamo ka në përbërje, si Rustem Hoxha dhe Lorenco Vila. “Elbasan Arena” nuk është se u ka sjellë shumë fat bluve, tani mbetet të shihet çfarë do të ndodhë në “Niko Dovana”, duke nisur nga ndeshja e radhës me Erzenin, që luhet të dielën, në orën 17:00.

SITUATA Tri ndeshjet e fundit kanë qenë pozitive për Dinamon, edhe pse në Kukës ishin të gjitha mundësitë për të marrë diçka më shumë se barazimi. Tri rezultate pozitive radhazi kanë rritur besimin në radhët e futbollistëve dhe niveli ka filluar të ngrihet nga java në javë. Një tregues i qartë ishin 20 minutat e fundit në Kukës, kur skuadra e Mehmetit e dominoi totalisht kundërshtarin dhe krijoi rastet për golin e fitores, por nuk pati fatin t’i konkretizonte. Për sfidën me Erzenin stafi teknik ka më shumë kohë në dispozicion, ndërkohë që edhe grupi i lojtarëve pritet të jetë më i plotë. Mesfushori Andoni, për aq sa luajti ndaj Kukësit, tregoi se mund të jetë shumë i rëndësishëm për skuadrën. Këtë herë ai mund ta nisë nga minuta e parë dhe kuptohet që për stafin është diçka pozitive, sepse nuk ka nevojë të improvizojë. Smaçi është drejt rikuperimit nga dëmtimi që pësoi ndaj Skënderbeut dhe ndaj Erzenit mund të jetë i gatshëm në stol. Danaj dhe Bardhi mund të jenë mungesat kësaj here për trajnerin Mehmeti, nëse kjo javë shkon pa probleme në këtë drejtim.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"