EKSKLUZIVE/ “Presioni për ‘Final 4’ ishte shumë i madh, besoja se mund të dilnim kampion”, ish-trajneri Fagu: Prisja rinovimin me Tiranën…
Erbim Fagu thyen heshtjen dhe flet për aventurën me Tiranën deri në fund të majit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Fagu rrëfen gjithë Tiranën e tij. Flet përse ekipi nuk arriti dot objektivin “Final 4”, zbulon se projekti i këtij sezoni ishte diskutuar më parë me Fagun.
Nga ana tjetër, deklaron se realisht e priste një ofertë për rinovimin dhe të ndërtonte ai skuadrën për sezonin e ri. Gjithsesi, gjërat shkuan kështu dhe nuk ka asnjë peng, pasi gjithçka e ka bërë në më të mirën e mundshme.
Erbim Fagu para pak muajsh mbylli aventurën me Tiranën. Çfarë po bëni në këtë moment?
Përpara se të vendosnim me drejtuesit që nuk do të vazhdonim bashkëpunimin, unë kisha disa oferta në Holandë, të cilat i kisha lënë në pritje për shkak se nuk e dinim akoma se çfarë do të bënim. Në momentin që u ktheva në Holandë, pas një pushimi të shkurtër firmosa me ekipin e ADO Den Haag, i cili është ekipi i Hagës, një skuadër me histori në kampionatin vendas. Aktualisht jam trajner tek akademia dhe mendoj që kam bërë një hap të rëndësishëm profesional në futbollin holandez.
Si kanë qenë këto muaj për Erbim Fagun, i cili ishte në Holandë, vjen në Shqipëri dhe më pas kthehet në Hagë?
Këto muaj i kam shijuar në maksimum, duke pushuar me familjen, pasi kaluam shumë kohë larg njëritjetrit.
Drejtuat Tiranën disa muaj deri në mbyllje të sezonit. Si do ta përshkruanit atë aventurë?
Që në ditën e parë kur vendosa të drejtoja Tiranën e dija që do të ishte një sfidë sa e vështirë, por aq dhe e bukur. Mund të them që çdo trajner kur punon në një klub ka eksperiencat e tij nga të cilat gjithmonë mëson dhe zhvillohet profesionalisht. Personalisht unë jam shumë i lumtur që drejtova Tiranën në ato muaj, pasi dhashë maksimumin me të gjithë stafin për të arritur objektivat. Rruga ishte shumë e vështirë, por gjithsesi arritja e kualifikimit për në “Conference League” bëri që shpëtojë deri diku sezoni i klubit nga ana financiare.
Në gjithë ato javë që ju drejtuat bardheblutë, cili është pengu i Fagut?
Pengu im, sigurisht, që është mos arritja në “Final 4”. Kisha shumë besim se në rast se do të dilnim në “Final 4” kishim potencial të dilnim kampionë. Kemi lënë pikë në disa ndeshje në fundin e kampionatit të cilat na kushtuan, sidomos në ndeshjen me Vllazninë të cilën duhet ta kishim fituar.
Me qetësi duke e menduar, çfarë do të bënte Fagu ndryshe në këtë aventurë?
Nuk mendoj se do të bëja diçka ndryshe në atë aventurë, pasi siç dhe e përmenda më lart, kemi punuar maksimalisht për të “kapur” objektivat.
Po çfarë mendon se s’shkoi në atë ekip që duhet thënë se kishte lojtarët më të mirë të Superiores?
Nuk mund të them saktësisht se çfarë nuk shkoj në atë ekip, pasi unë kam ardhur vonë në skuadër. Ama mund të them që në periudhën që unë erdha, grupi nuk ishte i plotë. Në çdo ndeshje jemi përballur me mungesa prej kartonëve ose dëmtime. Mund të them dhe që presioni për të arritur “Final 4” ishte shumë i madh në ato momente dhe kjo ndikonte negativisht te lojtarët, të cilët ishin gjatë gjithë kohës nën presionin e rezultatit.
Drejtuesit e klubit e shkrinë ekipin e vjetshëm. Kanë bërë mirë apo keq?
Gjithmonë në çdo skuadër kur nuk arrihen objektivat bëhen ndryshime në lojtarë apo staf pas një analize të caktuar. Nëse kanë bërë mirë apo keq kjo do të shihet në sezonin që do të vijë me rezultatet që do të arrihen. Gjithmonë janë rezultatet ato që tregojnë nëse ke bërë mirë apo keq.
Në fund të kampionatit, e prisnit një ofertë nga Tirana për vazhdimin e projektit?
Të them të drejtën e prisja një ofertë. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Ne rast se klubi më besoi në një moment të vështirë duhet të më besonte dhe në një projekt të ri, të cilin unë do ta bëja ashtu siç mendoja unë. Gjithsesi nuk është se ka vend për t’u mërzitur. Unë gjithmonë jam falënderues ndaj njerëzve me të cilët kam punuar.
Ndoshta kjo pyetje është klishe, por a e keni ndjekur skuadrën në Europë?
Po e ndoqa në të dyja ndeshjet. Skuadra është e re dhe do kohën e saj për t’u formatuar. Nuk mund të presësh që një skuadër e ndërtuar nga fillimi për 3-4 javë të bëjë mrekulli. Kundërshtari që kishin përballë ishte skuadër me lojtarë të afirmuar. Gjithsesi, me pak fat dhe me pak kujdes edhe mund ta kishin kaluar atë tur.
Tani duke e parë si specialist dhe pa emocione, ku e shihni ekipin këtë sezon?
Tirana këtë sezon ka zgjedhur një strategji me lojtarë të rinj dhe të panjohur për tregun vendas. Ky projekt është nisur apo diskutuar me drejtuesit që në kohen kur unë isha trajner, pasi Tirana në këto momente ka nevojë për lojtarë që kanë uri për të fituar tituj, për t’u afirmuar apo për t’u transferuar jashtë. Mendoj që objektivi i Tiranës për këtë sezon duhet të jetë “Final 4”, pasi është skuadër e re dhe lufta do të jetë shumë e fortë deri në fund.
OLSI AVDIAJ-PANORAMA SPORT
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"