EKSKLUZIVE/ Prapaskenat me Vuthajn, sulmuesi donte patjetër formacionin. Ja çfarë thotë drejtori i Egnatias
Është bërë zyrtar tashmë largimi i Dardan Vuthajt nga Egnatia, pavarësisht se klubi kampion në fuqi nuk ka bërë asnjë njoftim.Sulmuesi është kthyer në Itali dhe rrogozhinasit, të paktën deri në janar, do të kenë një lojtar më pak në repartin e avancuar. Klejdi Zenelaj, drejtori sportiv i Egnatias, ka pohuar për “Panorama Sport” se marrëveshja mes klubit dhe lojtarit është mbyllur para kohe.
“Po, e kemi mbyllur me konsensus marrëveshjen me sulmuesin Dardan Vuthaj dhe ai është larguar”, ka thënë Zenelaj për gazetën, pa dhënë detaje të mëtejshme.
PRAPASKENAT – Krisja mes palëve, sipas burimeve të gazetës, ndodhi që në ndeshjen me Tiranën, kur Vuthaj e pa veten në stol dhe u aktivizua në 20 minutat e fundit nga trajneri Tetova. Vendimi nuk u prit mirë nga lojtari, i cili kishte qenë titullar gjatë gjithë ndeshjeve të mëparshme. Vuthaj kërkoi me ngulm që të vazhdonte të luante titullar dhe në këtë pikë klubi nuk ka hapur rrugë, për më tepër që nuk ka qenë shumë i kënaqur nga rendimenti i sulmuesit.
Me situatën e krijuar është diskutuar për ndërprerjen e mundshme të kontratës mes tyre dhe më pas është gjetur gjuha e përbashkët. Fakt është që drejtuesit e Egnatias kishin të tjera pritshmëri për Vuthajn, i ardhur në Rrogozhinë për të bërë goleadorin, por që shënoi vetëm 2 gola në 12 ndeshje të luajtura. Kundër Vllaznisë ai nuk ishte pjesë e skuadrës, pasi e mbylli shumë shpejt aventurën shqiptare, vetëm pas tre muajsh. Vuthaj është kthyer në Itali dhe sipas shtypit sportiv në vendin fqinj, ai ka zgjedhur Kietin për të vazhduar karrierën.
SULMI – Me largimin e Vuthajt, sulmuesi i Egnatias mbetet në duart e Bakajokos, Xhoelit, Kasës (i dëmtuar aktualisht) dhe të riut Jahaja. Trajneri Tetova duhet t’i përballojë ndeshjet e mbetura të këtij viti kalendarik me këta lojtarë në ofensivë. Problemi i momentit për të është se Bakajoko tani ka filluar të luajë pas dëmtimit dhe nuk ka kapur formën optimale, kurse Jahajës i mungon eksperienca për të qenë faktor në Superiore. Me siguri drejtuesit e klubit kanë nisur kërkimet për të bërë ndonjë afrim cilësor për sulmin në merkaton e janarit, ku tregu nuk është se afron shumë alternativa. Për sulmin stafi teknik i rrogozhinasve preferon të aktivizojë edhe mesfushorët e avancuar si Lushkja dhe Ujka. Në 13 javë kampionat kampionët kanë shënuar shumë pak gola me sulmuesit, 2 me Vuthajn dhe 1 me Xhoelin.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"