EKSKLUZIVE/ Pjesë e grupit që i ktheu titullin kampion Tiranës. Elton Kale: Fitoren 5-1 ndaj Partizanit nuk do ta harroj kurrë
Elton Kale është i bindur se fitorja 5-1 e Tiranës së tij ndaj Partizanit zor se përsëritet. Braziliani i bardhebluve që luajti dy sezone me 26 herë kampionët, në një intervistë për “Panorama Sport”, flet para derbit me të kuqtë.
Një nga futbollistët më simpatikë te Tirana, analizoi skuadrën, duke pranuar se bardhebluve nuk u ka hije një ekip me emra të rinj, por një grup “të rëndë”. Po kështu, mesfushori rrëfeu sesi çfarë duhet të bëjë skuadra që t’ia dalë të triumfojë në një natë derbi dhe çfarë pret nga ndeshja e së dielës mes Tiranës dhe Partizanit.
Kale luajti dy sezone te Tirana dhe në Superiore shënoi 7 gola me fanellën bardheblu, duke u aktivizuar rreth 3000 minuta. Në fushë ka qenë 46 ndeshje. Në Kupën e Shqipërisë me fanellën e Tiranës dy gola dhe 5 takime në 250 minuta. Në fund mbi 250 minuta në Europë dhe tri ndeshje në Champions dhe Europa League. Në fakt, Kale nuk luajti shumë sezonin e dytë, sepse operoi dy herë shpatullën. Kjo, me sa duket, ishte edhe pika e ndarjes me bardheblutë.
Kale, prej shumë kohësh nuk ju shohim të luani futboll. Me çfarë po merreni në këtë moment që flasim?
Jam mirë. Për momentin jam duke organizuar një projekt të ri. Bëhet fjalë për një akademi që do të rekrutojë dhe prodhojë lojtarë të rinj. Të shohim se çfarë do të ndodhë. Jam entuziast për këtë projekt që kam dëshirë ta zhvilloj.
Gjithsesi, ju kemi parë që postoni foto me ndeshje nga Superiorja. A e ndiqni se çfarë ndodh në kampionatin shqiptar?
Të jem i vërtetë nuk është se e ndjek shumë Superioren. Ndikon edhe largësia apo orari. Për më tepër që tani gjërat kanë ndryshuar dhe shumë lojtarë me të cilët unë kam luajtur e kanë mbyllur me futbollin aktiv.
Me aq sa ke informacion, si e keni parë Tiranën? Pas largimit tuaj bëri mirë, por dy vitet e fundit nuk ka fituar trofe?
Njohurinë e kam se skuadra ka ndryshuar shumë lojtarë. Dhe kur ndërron pothuajse gjithë ekipin është e vështirë të marrësh rezultate me futbollistë të rinj.
Në datën 1 dhjetor luhet derbi mes Tiranës dhe Partizanit. Një ndeshje që e keni luajtur 6 herë. Cili është mendimi juaj?
Në këtë sfidë nuk ka favoritë. Më besoni për këtë. Ndeshja është klasikja e Shqipërisë dhe nuk asnjëherë nuk mund të ketë parashikim të qartë.
Tirana ka ndryshuar filozofi. Ashtu si edhe në vitin e fundit kur ishit ju, largoi veteranët dhe ndërtoi një skuadër të re. Do të ketë sukses?
Këtë nuk e di, por e di me saktësi që kjo është diçka e keqe për tifozët. Këta të fundit nuk e meritojnë një skuadër të tillë, por me emra. Skuadra më e madhe e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet vetëm me lojtarë të rinj apo pa eksperiencë në Superiore.
Keni luajtur 6 takime, në dy nuk keni qenë në fushë, por si fitohet një derbi?
Për të fituar një ndeshje me Partizanin, skuadra së pari duhet të jetë e bashkuar brenda dhe jashtë fushe. Po kështu duhet të jetë 100 për qind e fokusuar. Një skuadër në fushë që të mos gabojë. Më pas do të jenë tifozët që do të bëjnë të tyren dhe do të riparojnë ndonjë gabim të mundshëm.
Ju dhe Tirana që keni luajtur, fituat një derbi pas gjashtë vitesh. A ndikon që tani Tirana fitoren e fundit e ka para dy viteve?
Padyshim që ndikon. Fakt i keq është që nuk fiton një ndeshje derbi. Gjithsesi, lojtari që shkon në fushë nuk duhet të mendojë se skuadra nuk fiton prej dy vitesh, por si të fitojë këtë derbi. Në mendjen e tyre duhet të jetë fitorja.
Siç e përmenda edhe më lart, ju keni luajtur 6 derbe me Partizanin. Cili mbetet i paharruari?
Nuk mendohem fare. Padyshim derbi 5-1 i fituar nga ne. Një ndeshje, që do ta kujtoj përjetë.
Ju jeni aktivizuar me disa skuadra në Shqipëri dhe Kosovë. Cila për ju është më e veçanta?
Tiranën do ta kujtoj gjithmonë, pasi me këtë ekip kam dalë kampion. Edhe te Kukësi kam qenë gjithashtu kampion, por me bardheblutë ishte diçka e veçantë. Kur luajta te Tirana, dija edhe gjuhën shqipe dhe ishte diçka e veçantë dhe shumë më lart.
E fundit, cila është ndeshja më e bukur që keni luajtur ndonjëherë?
Me Tiranën dhe skuadra të tjera kam luajtur shumë ndeshje. Me bardheblutë kam luajtur shumë mirë edhe në Europë. Ama 5-1 i fituar ndaj Partizanit do të jetë përjetë ndeshja më e madhe, më e mirë që kam luajtur. Edhe për tifozët besoj se është e njëjta histori. “Bardhë e blu”.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"