EKSKLUZIVE/ Partizani kërkon të shesë mesfushorin Maget, në lojë futet edhe agjenti i njohur shqiptar
Partizani ka edhe një çështje tjetër të rëndësishme për të zgjidhur, përveç asaj të trajnerit të ri: shitjen e mesfushorit Maget.
Klubit të kuq i intereson ta sistemojë këtë verë lojtarin 21-vjeçar, për të cilin nuk mungojnë ofertat, për të mos e humbur më pas pa fituar gjë. Nga janari Maget ka të drejtën që të kontaktojë me çdo klub që do, kështu që klubit të kuq i intereson shitja e tij sa më parë. Mesfushori në fakt ka qenë në vëmendjen e disa klubeve të huaja, spanjolle dhe italiane.
AGJENTI – Gazeta mëson se në lojë për shitjen e lojtarit të kuq ka hyrë edhe agjenti i njohur shqiptar, Fali Ramadani. Ai ka lidhje të forta me klubet italiane dhe gjasat janë të mëdha që Maget të luajë në vendin fqinj në të ardhmen, me Venecian kandidate potenciale për të nënshkruar me të. Nga sa mësohet, Ramadani ka marrë përsipër të mbyllë shitjen e mesfushorit të Partizanit. Klubi i kuq pritet të përfitojë një shumë të konsiderueshme, rreth 700 mijë euro, por edhe të mbajë një përqindje të kartonit, që mbetet të përcaktohet në marrëveshjen mes dy klubeve.
Partizani do të humbiste në këtë rast një element shumë të rëndësishëm të formacionit, por në anën tjetër do të mbushte arkat për momentin dhe ndoshta edhe në të ardhmen, nëse lojtari shitet nga ekipi ku do të shkojë. Me një agjent si Ramadani në lojë, shitja e Maget mund të konsiderohet e sigurt. Kujtojmë që kompania e Fali Ramadanit, “Lian Sport Group”, menaxhon lojtarë dhe trajnerë të njohur në arenën ndërkombëtare, si Federiko Kieza, Kalidu Kulibali, Luka Joviç, Markos Alonso, Mauricio Sarri, por edhe shqiptarë si Nedim Bajrami, apo binjakët Shpendi.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"