EKSKLUZIVE/ “Partizani ka ‘uri’, por Dinamo është më favorite”, Allmuça: Blutë punojnë nën rrogoz

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2024 | 22:52

EKSKLUZIVE/ “Partizani ka ‘uri’, por Dinamo është më favorite”, Allmuça: Blutë punojnë nën rrogoz

Nesër nuk është një ditë e zakonshme për futbollin shqiptar, sepse në fushë në orën 19:00 në stadiumin “Arena e Demave” zbresin Dinamo dhe Partizani.

igli allmuca

Para këtij derbi, në një prononcim për “Panorama Sport” ka folur Igli Allmuça, ish-mesfushor dhe lider i të dyja ekipeve. Tashmë trajner i akademisë së tij private, Allmuça i bën një skaner skuadrave dhe sheh një avantazh të lehtë të Dinamos.

Si ju janë dukur javët e para të këtij kampionati?

Skuadrat më janë dukur me oshilacione, përveç Egnatias. Ndoshta kanë ndikuar lëvizjet e trajnerëve dhe lojtarëve për të krijuar një fizionomi loje, që Egnatia e ka tashmë. Mund të jetë kjo, por mendoj se në fund të fazës së parë gjërat do të jenë më të qarta.

Është edicioni i dytë me formulën “Final 4”, e prisni ndryshe këtë sezon prej faktit që skuadrat tashmë ia dinë “hiletë”?

Deri në katërshe është luftë e fortë. Më pas është ndeshje teke, nuk mund të parashikosh gjë dhe nuk ka ndonjë sekret të madh për të mësuar. Nga sezoni i shkuar mësuam se të jesh në dy vendet e para vlen, sepse avantazhi i barazimit rezultoi vendimtar.

Ju duket vendim me rrezik ky ndryshimi i trajnerit te Partizani? U largua Shehi dhe erdhi Veselinoviç, i cili nuk e njeh ekipin…

Çështja e largimit të trajnerit është diçka që i përket klubit dhe ne nuk e dimë sesi ndodhin këto gjëra. Ajo që mund të them është se Shehi ka punuar shumë mirë në të katërta klubet ku ka qenë. Është një trajner që e ka krijuar personalitetin e vet. Dihet që punon mirë, por më pas janë çështje të brendshme të klubit. Sa i përket ndryshimit, zakonisht trajnerët kur vijnë gjatë kampionatit, nëse gjërat shkojnë mirë marrin meritat e veta, në të kundërt dihet që arsyetimi do të jetë: “Ekipin nuk e kam bërë unë”.

Po merkatoja e kuqe si ju duk? Nuk ka marrë emra të konfirmuar, por ka marrë të rinj, që nuk kanë shpërthyer, por mund ta bëjnë tani…

Partizani është trampolinë shumë e mirë. Ka bërë mirë që ka zgjedhur edhe lojtarë që kanë dëshirë dhe uri për të fituar. Nuk fiton dot me lojtarë të ngopur, duhen lojtarë me “oreks”, por nga ana tjetër edhe që i përshtaten fizionomisë dhe objektivave të Partizanit.

Cili nga largimet mendoni se ka lënë më shumë boshllëk?

Nuk ka asnjë diskutim që jo thjesht Mageti, por vetë pozicioni që ai ka mbuluar si numër 6 është shumë i rëndësishëm për një skuadër. Është thyes dhe ndërtues i aksioneve. Plus, Maget ishte lojtar që bënte diferencën në atë rol. Ishte edhe golashënues, një aftësi që e gjen rrallë te lojtarë të këtij roli.

Kush prisni që ta bëjë liderin e skuadrës?

Nuk pres asnjë individ. Padyshim që skuadra ka nevojë për liderë, por veçanërisht në një futboll si i yni, ku nuk ka “yje”, lideri më i madh është grupi. Një individ është kollaj ta neutralizosh në një ndeshje të caktuar, por gjithë skuadrën nuk ia del dot. Për shembull, tek Egnatia nuk ka liderë. Mendonin se pas largimit të hidhur të Duamenës ekipi do të binte, por në fund doli kampion.

Edhe Dinamo bëri rokadë në stol që në fillim, por mori një ekspert si Daja. Si e prisni?

Në këtë periudhë Dinamo nuk ka bërë performanca të këqija. Duke parë përforcimet e ditëve të fundit dhe me ardhjen e Dajës, që nuk ka nevojë t’i bësh lëvdata. Unë mendoj se edhe kur u shkëput dhe merrej me fëmijët, për mua ka qenë një njeri ndryshe në trajningun shqiptar.

Por është herët për të folur, sepse nuk mund të themi se erdhi Daja këtë javë dhe Dinamo do të bëjë çudira me Partizanin. Ardhja e tij është plus i madh dhe Dinamo do të jetë “kockë shumë e fortë”. Dinamon e pres të frikshme. Është vetë natyra e klubit që e bazon çdo gjë nën rrogoz. Ndoshta prandaj është quajtur “Nëndetëse”. Mendoj se do të krijojë stabilitet loje dhe rezultatesh.

Ka arritur të marrë emra të rëndësishëm në merkato. Si e prisni?

Mendoj se do të bëhen një skuadër mjaft e fortë dhe me një fizionomi të qartë loje, por këto 3-4 javë do t’i duhen më së shumti pikët, jo loja. Të gjithë lojtarët e ardhur duhet të përshtaten nga ana tjetër. Por Dinamo është klub që i krijon ngrohtësi lojtarëve. Nëse Bregu do ta humbte penalltinë në një tjetër klub, nuk besoj se do ta gjuante në ndeshjen tjetër, siç bëri te Dinamo.

Duke pasur parasysh performancën në këto javë dhe faktin që vijnë të dyja me trajnerë të rinj, cilën shihni si favorite në derbi?

Sa i përket performancave, e thashë edhe më lart se të dyja kanë pasur luhatje në lojë. Kurse sa i përket trajnerit, shoh më të avantazhuar Dinamon, sepse Daja vërtet nuk ka qenë në Superiore prej dy vitesh, por e njeh këtë kompeticion deri në detajin më të vogël. Gjithashtu njeh edhe Partizanin në pëllëmbë të dorës.

Nga ana tjetër, trajneri i Partizanit është i huaj dhe nuk e ka bagazhin e Dajës për futbollin shqiptar. Derbet asnjëherë nuk i parashikon dot, por unë besoj se Dinamo e ka njëfarë avantazhi në këtë ndeshje. Minusi më i madh i këtij derbi është që luhet në fushë me bar artificial dhe futbollistët nuk i shprehin dot cilësitë e tyre maksimale. Shpresoj të kthehen ndeshjet e bukura në kampionatin shqiptar, të ketë ritëm, sepse skuadrat sa vijnë dhe e rrisin gjendjen në këto javë të para.

Si e shihni garën për katër vendet e para?

Është Egnatia, tri ekipet e kryeqytetit, Vllaznia dhe Elbasani. Mendoj se do të jetë një garë mes këtyre gjashtë ekipeve për katër vendet e para. Të gjitha kanë investuar dhe kanë kontingjentin e nevojshëm për të kapur katërshen. Mund të ketë edhe surpriza, por në këtë moment këto ekipe shoh.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"