EKSKLUZIVE/ Partizani “bastis” Tiranën, firmos me vëllezërit Martiro
Partizani i volejbollit të meshkujve duket se do të jetë sërish protagonisti kryesor në sportin e rrjetës edhe për sezonin 2024-2025.Të kuqtë e Ylli Tomorrit kërkojnë të vijojnë dominimin absolut që treguan në edicionin e kaluar për të mbrojtur trofetë e fituar, mbi të gjithë titullin kampion. Pasi e shkurorëzuan Tiranën në atë seri spektakolare finalesh, ku fituan 3-2 për t’u shpallur kampionë, “demat” kanë bërë një goditje të dyfishtë nga rivalët e qytetit. Partizani ka afruar në skuadër as më pak e as më shumë, por kapitenin dhe liderin e Tiranës, Ledion Martiro.
Një nënshkrim i bujshëm, pasi bëhet fjalë për një prej lojtarëve më të mirë të kampionatit shqiptar gjatë këtyre viteve. 30- vjeçari luan në rolin e diagonalistit, ndërsa realizoi gjithsej 376 pikë gjatë kampionatit të kaluar, duke qenë shënuesi i tretë më i mirë i sezonit pas Asmend Kulës (418) dhe Nikolin Qafarenës (394). Ai ka spikatur edhe me shërbimet, duke bërë më mirë se të gjithë në kampionat, me 39 “ace”. Gjithashtu ka shkëlqyer edhe në bllok, me 52 blloqe fituese, duke ndarë vendin e dytë me Raul Sabliqin. Për Martiron ky do të jetë një rikthim te Partizani, pasi ai ka qenë pjesë e të kuqeve edhe në sezonet 2016- 2017 dhe 2017-2018. Gjithashtu i kuq është veshur edhe Krist Martiro, i cili tashmë do të mbrojë ngjyrat e Partizanit.Një tjetër afrim me vlera për kampionët në fuqi, ndërsa edhe për Krist Martiron bëhet fjalët për një rikthim, pasi edhe ai ka qenë pjesë e Partizanit për dy sezone nga viti 2016 deri në 2018-ën. 27- vjeçari, i cili aktivizohet në pozicionin e qendrës, në edicionin e kaluar ishte lojtari me numrin më të lartë të blloqeve fituese në kampionat, me 55 të tilla. Me largimin e vëllezërve Martiro, Tirana humbet pikat kyçe në boshtin vendor, pasi bëhet fjalë për dy nga volejbollistët më të rëndësishëm të ekipit në sukseset e shumta që bardheblutë kanë shënuar gjatë viteve të fundit. Një rol të rëndësishëm në këtë largim të dyfishtë nga Tirana ka luajtur situata e paqartë që mbizotëron në klubin bardheblu.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"