EKSKLUZIVE/ “Nuk lejohen më luhatje”, ish-sulmuesi Kapllani: Silvinjo u bind nga Tuci, si ndryshoi Kombëtarja në Gjeorgji (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2024 | 23:59

EKSKLUZIVE/ “Nuk lejohen më luhatje”, ish-sulmuesi Kapllani: Silvinjo u bind nga Tuci, si ndryshoi Kombëtarja në Gjeorgji (E PLOTË)

Kombëtarja shqiptare luajti dy ndeshjet e këtij muaji në kuadër të Ligës së Kombeve, një humbje në Çeki ndaj vendësve dhe një fitore në transfertë kundër Gjeorgjisë.

kapllani

Për analizën e paraqitjeve të këtyre dy takimeve dhe më tepër, “Panorama Sport” ka zhvilluar një intervistë me ish-futbollistin e Kombëtares shqiptare, Edmond Kapllani. Ish-sulmuesi thotë se çfarë ndryshoi në kaq pak ditë, çfarë problematike has ende në ekip dhe gjithashtu komenton ndryshimet në formacion dhe debutimin si titullar të Tucit.

Kapllani, çfarë ndodhi brenda pak ditësh, nga një humbje në Çeki vjen ajo kthesë kundër Gjeorgjisë, çfarë ndryshoi në Kombëtare?

Ç’është e vërteta, Çekia ishte një ndeshje për t’u harruar dhe ekipi ynë kombëtar nuk funksionoi nga fillimi deri në fund, përveç atyre 5-6 minuta të rastit që pati Asani. Të them të drejtën nuk është se bëmë një ndeshje që të bindnim për një rezultat pozitiv, prandaj them ishte një ndeshje për tu harruar dhe siç u tregua pas tri ditësh në Gjeorgji, parashikoj që Silvinjo nuk është marrë shumë me ndeshjen me Çekinë, por më shumë me Gjeorgjinë, sepse ishte kohë e shkurtër.

Ndeshja me Gjeorgjinë ishte një fitore morali, impenjimi ishte i duhur dhe kishim më shume episode, prandaj e fituam këtë ndeshje. Vuajtëm 20 minutat e fundit, por të them të drejtën vuajtëm për fajin tonë sepse kishim mundësi për ta mbyllur ndeshjen pas 1-0, kishim momente të mira para portës kundërshtare, duhet t’i kishim shfrytëzuar më mirë. Është një fitore e vuajtur, por e merituar.

Edhe pse fituam, sërish dua të di se çfarë problematike shikon ende nga jashtë një ish-futbollist i Kombëtares si ju?

Problematika është që duhet të jemi më konstant ndeshje mbas ndeshjes, nuk duhet të kemi këto luhatje siç kishim tani me Çekinë apo me Gjeorgjinë në Tiranë. Duhet të jemi më konstantë, duhet të kemi pak më shumë prezencë te zona e tretë, te zona e kundërshtarit, si goli që bëmë me Gjeorgjinë, që ishte një gol model, por mos të harrojmë që ishim me 5 lojtarë në zonën kundërshtare, duhet që gjithmonë të jemi të rrezikshëm për kundërshtarin.

Kjo më ka munguar, edhe me Gjeorgjinë luajtëm, por nuk patëm shumë raste, edhe Gjeorgjia na kundërsulmoi, mund të dilte edhe ndeshja barazim. Unë do të kisha dëshirë që Bajrami, Asani, Asllani, Laçi të bëjnë metra me topin, të luajmë me më shumë personalitet, të besojmë te dyluftimet, si me top edhe pa top. Edhe ne pardje fituam shumë metra me topin, bëmë dy-tri aksione model.

Për këtë kemi nevojë, ekipi ka nevojë për frymëmarrje, dhe këtë frymëmarrje nuk e patëm në Çeki, duke mbajtur topin në stacione, edhe kundërshtarin e vendos në vështirësi. Pra, do të uroja të ishim më konstantë dhe me personalitet, sepse kualiteti është aty. Kushdo të jetë kundërshtari, ne kemi mundësi të fitojmë sa më shumë duele, sepse futbolli është i tillë, kush fiton më shumë duele, ka probabilitet më të lartë për të marrë një rezultat pozitiv.

Si ju dukën ndryshimet e Silvinjos ndeshjen e dytë, duket sikur trajneri u shpërblye?

Silvinjo e ka kuptuar, por ai do që të bindet. Që të futë në lojë një lojtar si Tuci, një djalë i ri, në një ndeshje të vështirë për ekipin kombëtar pas dy humbjeve ai duhet që të bindet. Dhe Tuci duket se ia ka dalë ta bindë gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve që ka luajtur tek ekipi i tij, ndërsa zëvendësimi i Kumbullës me Ajetin, me gjithë respektin për Kumbullën, sepse është një mbrojtës shumë i mirë, por Ajeti ka personalitetin e duhur në këtë lloj ndeshje, siç e tregoi.

Nëse shohim lëvizjen e Hysajt me Balliun, ishte sepse Hysaj nuk ka minuta me ekipin e tij, ai luajti në Çeki dhe ndoshta ka qenë edhe një arsye për të futur një freski me Balliun. Si në pjesën e parë, ashtu edhe të dytën ai doli shumë shpesh pas shpinës së Asanit, ku futi dy tri krosime, pra bëri një ndeshje pozitive. Të tria lëvizjet që ka bërë Silvinjo qëlluan në shenjë, dhe sinqerisht është dhe merita e tij.

Këtë ndeshje nuk pati vend për Hoxhën apo Muçin, me Silvinjon që bëri vetëm dy zëvendësime, pse kaq pak lëvizje?

Unë jam i mendimit që në Kombëtare duhet të jetë konkurrenca pak më e zgjeruar, sepse ne kemi nevojë për konkurrencë. Kur një lojtar nuk është në formën e tij të duhur, atëherë ke dikë tjetër që e zëvendëson. Por, siç thashë ndoshta ai vendosi kështu sepse nuk ishte ndeshja për Arbër Hoxhën, sepse ai është më shumë ofensiv. Silvinjo nuk ka dashur të lëvizë rreshtimin e ekipit tonë kombëtar, sepse deri në atë pikë po ecte mirë.

Mund të bënte një zëvendësim me shumë apo me pak, por ka disa ndeshje që janë delikate në këtë koncept, sepse Shqipëria duhet ta mbante patjetër deri në fund rezultatin dhe është e vështirë për trajnerin të bëjë lëvizje, që ndoshta më mbrapa mund të pendohet. Siç thashë në fillim, duhet konkurrenca më e zgjeruar në ekip, që mos të kemi 13- 14 lojtarë, por të kemi 18 lojtarë.

Patjetër që duhet edhe ai boshti, sepse ekipi ynë pak a shumë e ka krijuar atë boshtin e vet, pastaj lojtarët e tjerë në bazë të formës, mund të tregojnë një performancë akoma më të mirë në ekipin tonë kombëtar. Performanca e lojtarëve është gjithmonë shume e rëndësishme në ekipet ku janë, duke patur performancë të mirë në ekipet ku janë, mund të japin akoma më shumë në Kombëtare.

Si ju duk paraqitja e Indrit Tucit, ishte jashtë listës dhe luajti titullar, mendoni se do të jetë në nëntor?

Duke parë performancën që ai dha në këtë ndeshje, unë mendoj se Silvinjo beson te ky formacion, prandaj dhe Tuci e meriton një vend në ndeshjet e ardhshme. Por, siç thashë duhet parë performanca që bën gjatë kësaj kohe në ekipin ku është. Do të jetë pak e vështirë, por për mua ishte një surprizë e bukur debutimi i Tucit, bëri një ndeshje shumë të mirë, sakrifikoi, plus i dha edhe frymëmarrje shumë ekipit.

Si i shihni shanset për vendin e parë në grup?

Shanset për vendin e parë janë, sepse ne shanset i kemi luftuar. Kjo ndeshje ishte si një çlirim pozitiv i trajnerit dhe lojtarëve, sepse ishte ndeshje me të vërtetë delikate. Për mua ky grup është i barabartë, përveç Çekisë, por edhe atë e kemi mundur para një viti. Çdo skuadër mund të fitojë me skuadrën tjetër, unë mendoj që edhe me Çekinë dhe me Ukrainën, do të shohim dy finale interesante.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"