EKSKLUZIVE/ “Nuk ka diferenca mes ekipeve për titull në Superiore”, Eraldo Çinari pret sfidë golash: Ja sa del Partizani-Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2024 | 20:17

EKSKLUZIVE/ “Nuk ka diferenca mes ekipeve për titull në Superiore”, Eraldo Çinari pret sfidë golash: Ja sa del Partizani-Vllaznia

Pas Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, Eraldo Çinari këtë verë kaloi në Armeni, ku firmosi për Noah dhe fillimi i sezonit ka qenë mbresëlënës për të.cinariIsh-lojtari i Vllaznisë dhe Partizanit ka shënuar gola në kampionat dhe në Europë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 27-vjeçari flet për aventurën armene, për sfidën europiane kundër AEK-ut të Strakoshës dhe për përballjen e së hënës mes dy ish-skuadrave të tij. Çinari pohon se nuk ka parë ndonjë blerje të bujshme nga ekipet e Superiores, që i konsideron aty-aty për nga niveli. Për futbollistin shkodran, Partizani-Vllaznia mund të përfundojë në barazim 2-2, duke dhuruar gola dhe spektakël në fushë.

Çinari, gol në Ligën e Konferencës dhe 2 gola në debutimin tuaj në kampionat me Noah. Duket se jeni përshtatur menjëherë me skuadrën e re, apo jo?
Po, është e vërtetë që i kam bërë një nisje shumë të mirë sezonit me skuadrën e re. Dua që ky të jetë vetëm fillimi, pasi edicioni sapo ka nisur dhe kemi rrugë të gjatë përpara.

Ekipi ku jeni transferuar këtë verë, Noah, është nënkampion i Armenisë. Çfarë pretendon këtë sezon?
Mund të them se është një klub i ri, por plot ambicie. Pretendimet janë maksimale, prandaj janë afruar edhe shumë lojtarë të huaj. Drejtuesit kanë krijuar kushte optimale për futbollistët, ndërsa stafi teknik punon çdo ditë për të përmirësuar çdo detaj të lojës.

Ndalemi pak te ndeshja me AEK-un, që do luani të enjten. Noah fitoi ndeshjen e parë 3-1, tani kthimi në Athinë. Mendoni realisht se mund të kualifikoheni, pse jo dhe të shënoni?
Skuadra e Noah është pranë një arritjeje historike, kualifikimit në “Play Off”-in e Ligës së Konferencës. Jemi shumë afër, por duhet të jemi 100% të përqendruar, pasi do të jemi kundër një skuadre me lojtarë të njohur dhe plot eksperiencë, si AEK-u. Fillimisht dua kualifikimin e ekipit, pastaj pse jo edhe golin, që do ishte një kënaqësi më vete.

Ka diferenca mes kampionatit shqiptar dhe atij armen nga ajo çfarë keni parë deri më tani?
Këtu është një futboll më teknik se sa ai që zhvillohet në Shqipëri. Po ashtu ka më shumë ritëm, në Shqipëri mund të them se është më fizik dhe më taktik.

Një objektiv personal i Çinarit për këtë sezon?
Dua të jap më të mirën në çdo ndeshje. Të luaj dhe të shënoj. Siç e thashë, e kam nisur pozitivisht, por dua të vazhdoj kështu. Kampionati i Armenisë mund të jetë një hap tjetër për karrierën time.

Zhvillimet në kampionatin shqiptar dhe në merkato i keni ndjekur së fundmi? Si ju duken?
Them se nuk ka pasur afrime të bujshme, apo emra të mëdhenj nga asnjë skuadër. Po ashtu, disa nga elementët më cilësorë të kampionatit janë larguar dhe kjo mendoj se nuk është edhe aq pozitive për futbollin shqiptar.

Shikoni ndonjë pretendent të veçantë për titullin kampion sezonin e ri?
Besoj se skuadrat janë aty-aty dhe nuk kanë diferenca. Në qoftë se duhet të them ndonjë ekip konkret, besoj se ato janë Vllaznia, Partizani dhe Egnatia, sepse kanë ruajtur disi bazën e sezonit të shkuar dhe mund të pretendojnë edhe këtë edicion.

Së fundmi, çfarë mendon Çinari për ndeshjen Partizani-Vllaznia në javën e parë të kampionatit? Si e parashikon dhe për kë do të bësh tifo, me që ke luajtur me të dyja skuadrat?
Them se do jetë një ndeshje e balancuar. Të dyja skuadrat më duken të barabarta. Nëse them për një rezultat, besoj se do të jetë një barazim 2-2, besoj se do ketë gola dhe spektakël.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"