EKSKLUZIVE/ “Nuk e mendoja një start të tillë nga Vllaznia”, legjenda Zmijani: Fitorja mbyll gjithçka, por nuk më kënaq loja (E PLOTË)
“Mjeshtri i Madh”, Hysen Zmijani, një prej ikonave të futbollit shkodranë e atij shqiptar, ka vlerësuar rezultatet e ekipit të Vllaznisë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai shprehet se Vllaznia nuk ka shkëlqyer me lojërat e zhvilluara, por ka qenë tepër racionale në rezultatet e marra, duke marrë me shumë meritë vendin e parë.
Ai, përmes të tjerave, ka kërkuar që ekipi të zhvillojë një lojë më bindëse, pasi në këtë drejtim nuk ka qenë në pritshmëritë e duhura.
Zmijani, Vllaznia e para pas pesë javësh. Si ju duket ekipi?
Është një kënaqësi që t’i shikosh aty. Kur ke rezultate, shumë gjëra nuk shikohen, por unë sërish nuk jam i kënaqur me lojën e zhvilluar. Rezultati është i pari, por përsëri loja të lë për të dëshiruar. Por tani kanë mundësi për luajtur dhe për ta shtruar më shumë topin. Shikoj se ka ende probleme në këtë drejtim. Mesfushën s’e kemi të keqe për të bërë një gjë të tillë. Tani duhet që të bindim edhe me lojë, pavarësisht se rezultati duket sikur mbyll gjithçka. Ne duam spektaklin, por goli dhe fitorja mbyllin gjithçka.
E kishit pritur një start kaq efektiv nga skuadra e Brdariç?
Të them të drejtën, jo. Nga një herë edhe shansi të buzëqesh dhe nga njëherë shkon tek ai, që investon më shumë.
Javën e ardhshme luajnë me Bylisin. Si e prisni këtë ndeshje?
Kemi pasur një kalendar shumë të vështirë në këtë start. Por ne po tregojmë se jemi një ndër ekipet më të forta, pasi mundëm Egnatian me shumë meritë dhe shumë potencë. Mund të them pa asnjë diskutim se Vllaznia ka cilësitë për të mposhtur Bylisin.
Entuziazmin e kemi dhe me mbështetjen e tifozerisë mund t’ia dalim. Por mendoj se nuk duhet që të jemi euforik, pasi janë vetëm javët e para. Nëse do të jemi serioz dhe pretendues deri në fund, atëherë mund të pretendojmë edhe më shumë. Por këtë do ta tregojë koha.
E shihni Vllazninë si favorite për titullin në fund të sezonit?
Nisur nga fitorja ndaj Egnatias, mendoj se po. Pash një Vllazni dominuese dhe një Egnatia shumë larg asaj që jemi mësuar të ndjekim. Prandaj e shikoj Vllazninë favorite. Për katërshen them se pa diskutim do të jetë pretendente. Megjithatë përkrah aftësive është edhe mos shansi dhe shpresojmë që ta kemi edhe fatin me vete. Është pjesë e lojës.
Duket sikur të gjitha skuadrat kanë luhatje. Prisni sezon të fortë?
Mund të them se po. Pashë edhe Laçin, një ekip, që drejtohet nga miku im, Armando Cungu. Ekipi tregoi shumë në takimin me Partizanin. Pavarësisht se nuk po i dalin në pah rezultatet, po tregon një lojë shumë të mirë me gjithë “gërshetimet” që ka. Pra të gjithë po bëjnë mirë në këtë sezon, pavarësisht rezultateve.
ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"