EKSKLUZIVE/ Nis “fshesa” te Flamurtari, vjen “divorci” i klubit vlonjat me mesfushorin brazilian
Nis operacioni “fsh esa” te Flamurtari. Pas Elvi Berishës, ikën edhe Mateus Indio nga kuqezinjtë. “Panorama Sport” e kishte paralajmëruar se “divorci” do të vinte më shpejt nga sa pritej dhe kështu ka ndodhur. Braziliani nuk është paraqitur në seancën e fundit stërvitore duke i dhënë fund kështu aventurës në Vlorë. Largimin e tij e konfirmon zyrtarisht për gazetën edhe vetë klubi.
Mesfushori ka “ngrohur” stolin më së shumti gjatë këtij sezoni dhe ndaj drejtuesit dhe stafi teknik kanë dalë në këtë konkluzion. Edhe pse erdhi te kuqezinjtë me pompozitet të madh dhe pritshmëritë për të ishin të mëdha, ka rezultuar një dështim total.
Në Vlorë kanë konstatuar se 27-vjeçari ka pasur mungesë impenjimi të theksuar gjatë përgatitjeve, por edhe ndeshjet zyrtare. Kjo ka bërë që ai në total të marrë vetëm 212 minuta në total. I aktivizuar vetëm në 6 ndeshje, pjesën tjetër e ka ndjekur sa nga pankina aq edhe në tribunë.
Lojtari i lindur në Rio de Zhaneiro ka luajtur për shumë skuadra në kampionatin brazilian e portugez, ndërkohë që ka një eksperiencë edhe në Oman me skuadrën e Al Nasr. Indio është mesfushor qendre, por mund të përshtatej si në krahë dhe në sulm. E megjithatë, te Flamurtari nuk është se ia panë… hairin.
PENALITETI
Mateus Indio nuk do ta kalojë paq. Ndaj tij pritet që të ketë edhe penalitete. Të njëjta burime konfirmojnë se braziliani do të duhet të ndëshkohet me një gjobë që kap 30% të vlerës së kontratës që ai ka nënshkruar gjatë verës.
KIRURGJIA
Janari do të jetë edhe më “i ethshëm” në Vlorë. Dhjetori me sa duket do të jetë muaji i fundit për një pjesë të mirë të lojtarëve. Me emërimin e trajnerit Dritan Resuli, klubi ka bërë gati edhe planin për merkaton.
“Panorama Sport” zbulon se mbi 50% e futbollistëve aktualë do të dalin jashtë planeve. Ka qenë vetë administratori Sinan Idrizi që e ka paralajmëruar këtë gjë, gjatë mbledhjes së zhvilluar me drejtorin Alfred Ferko.
Numri një i klubit i ka lënë detyrë Ferkos që të mos përsëriten më të njëjtat skena sikundër ndodhën në Ballsh, ku futbollistët u konfliktuan me njëri-tjetrin.
“Nuk ka më! Në janar do të bëj kirurgji dhe ti drejtor e di mirë se çfarë bëj unë kur them kirurgji. Do të ketë largime, nuk bëhet më kështu. Merru me ekipin, të mos merrem unë! Të mos ndodhin më skena si në Ballsh se nuk do të ketë tolerime. Do të largohet kushdo që krijon konflikte”, është shprehur Idrizi.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"