EKSKLUZIVE/ Nga presidenca ballkanike te polemikat, flet kreu i shtangës. Gjoza: Carjen po e përdor trajnerja, ja e vërteta…
Nga zgjedhja president në Federatën Ballkanike të Peshëngritjes, deri te rezultatet më të fundit të Kampionatit Europian U-20, Elez Gjoza ka komentuar aktualitetin në shtangën shqiptare.Në një intervistë të gjatë për “Panorama Sport”, kreu i FSHP-së ka folur edhe për polemikat më të fundit që kanë shoqëruar komunitetin e peshëngritjes, në lidhje me çështjen e sportistes së talentuar elbasanase, Enkileda Carja. Gjoza nuk asnjë dyshim, teksa thotë se Carja po përdoret nga trajnerja e saj Eglantina Kalemi. Presidenti i FSHP-së prek gjithashtu edhe tema të tjera, duke nisur nga zgjedhjet në federatë, tek objektivat olimpikë, si dhe projektin “Ekipet Sportive”.
Gjoza, vetëm pak javë më parë u themelua Federata Ballkanike, institucion që do të drejtohet nga ju…
E mora vetë iniciativën që ta rithemeloj Federatën Ballkanike, me mbështetjen e presidentit të Federatës Europiane të Peshëngritjes, Antonio Konfliti, si dhe me iniciativën e presidentit të Federatës Botërore të Peshëngritjes, Mohamed Zhalud. Gjeta përkrahjen e këtyre dy personave dhe jam munduar prej një viti, duke bërë kontakte me shpenzimet e mia me të gjitha federatat ballkanike dhe më së fundmi arritëm të kurorëzonim gjithçka me sukses. Kështu, erdhi kjo ditë e madhe për peshëngritjen në Ballkan, që tashmë do të ketë një federatë. Të gjithë presidentët kanë votuar me 100% të votave që unë të drejtoja këtë federatë, pasi siç dihet kam shumë kontribute në Federatën Botërore të Peshëngritjes, dhe në atë Europiane.
Çfarë avantazhesh do të ketë peshëngritja shqiptare nga Federata Ballkanike?
Kjo ka shumë avantazhe, e para presidenti është nga Shqipëria. E dyta, zyrat do të jenë në Shqipëri, burimet njerëzore do të jenë nga vendi ynë. Shqipëria do të përfitojë më tepër bazë materiale, pasi Federata Ballkanike do të ketë buxhetin e saj të përcaktuar nga Federata Botërore. Kam marrë garanci që do të jetë një grant mjaft i mirë për të ndihmuar Federatën Ballkanike. Sportistët tanë do të kenë edhe tri aktivitete shtesë. Shpenzimet janë më të reduktuara, pasi vendet janë më afër njëri-tjetrit dhe ne do të marrim me numër më të lartë sportistësh pjesë në këto gara. Do të ketë një bazë materiale që do t’i dedikohet Ballkanit nga Federata Botërore e Peshëngritjes dhe absolutisht një pjesë të mirë të kësaj baze do ta përfitojë edhe Shqipëria dhe unë për këtë jam shumë krenar. Gjithashtu sportistët do të marrin edhe shpërblime deri në 20 milionë lekë të vjetra.
Një koment për bilancin e Europianit U-20, ku Shqipëria fitoi një medalje ari dhe dy argjendi me Kofshën, si dhe mori 3 vende të katërta me Ferrën…
Para Europianit ne vinim nga një aktivitet në Greqi me moshat U-17, ku fituam dhjetë medalje. Filozofia 4 vjeçare e imja si president, por edhe e federatës, ka qenë zëvendësimi i brezave. Ne kemi një shtet fqinj si Greqia, që ka 17 vjet që nuk po arrin të bëjë riciklimin e brezave, ku nga një ekip kampion Europe dhe bote është katandisur që nuk futet as në 15-she të Botës dhe as në 10-she të Europës. Por kjo nuk ndodh me ne, pasi kemi bërë një ekip kombëtar fantastik me të rinjtë. Rezultatet u dhanë para 3 muajve në Greqi me 10 medalje dhe tashmë në Europian me Kofshën, i cili për një kg i merrte të tria medaljet e arta, si dhe Ferra, i cili zuri 3 vende të katërta. Këto rezultate nuk janë rastësi, pasi federata i ka grumbulluar këta sportistë gjatë të gjithë vitit, me trajtime, me negociata me restorantet, duke iu ofruar mëngjesin, drekën dhe darkën. Pra, është investuar si asnjë herë më parë te këta të rinj dhe për këtë kanë ardhur edhe rezultatet. I trajtojmë me fizioterapi, me vizita, me kontrolle mjekësore dhe absolutisht edhe me vitamina. Unë kam një projekt që do ta bëj realitet dhe këta sportistë do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike “Los Anxhelos 2028”. Këta do të jenë medalistët e ardhshëm, pasi kemi edhe katër vite të tjera. Kofsha, Mullisi, Lagja, Rrasa, Ferra, Carja dhe shumë të tjerë. Kemi një grup të rinjsh që janë në start për të dhënë rezultate maksimale.
Ndërkohë, për Europianin U-20 që u mbajt pak ditë më parë në Poloni nuk kanë munguar as polemikat. Trajnerja Kalemi ka akuzuar federatën që nuk u dërgua Enkileda Carja për të garuar…
Në fakt kisha vendosur që më mos prononcohesha për këtë, por gjithsesi po e shpjegoj. Federata ka një kriter, ka një bord ekzekutiv që përcakton ekipin që do të përfaqësojë Shqipërinë në çdo aktivitet ndërkombëtar. Në këtë kuadër është përcaktuar që në Europian të shkojnë sportistët që renditen nga vend i parë deri në vendin e gjashtë, ndërsa në Botëror nga vendi i parë deri në të tetin. Edhe VKM-ja vetë e ka përcaktuar që kanë prioritet dhe Qeveria i shpërblen. Ne jemi shumë korrektë dhe rigorozë në përcaktimin e ekipit. Ne bëjmë aktivitetet kombëtare ku seleksionojmë ekipin për Kampionat Europian apo Botëror një muaj përpara. Të gjitha shtetet rreth një muaj para garave deklarojnë listat finale të rezultateve. Në këtë rast, unë si president kam thirrur trajneren dhe i kam treguar listën. Një listë ku sportistja renditej në vend të 12-të, duke u referuar rezultateve të dy aktiviteteve të fundit. Aq më tepër që vajza do të konkurronte me moshën U-20, kur ajo është vetëm 16- 17 vjeçare, pra bëjmë një kapërcim nga ana psikologjike. Kështu që kur kam parë në media trajneren jam çuditur, pasi e kisha sqaruar shumë qartë dhe ishte bindur. Ndërkohë, në ditën e garës në Europian, Carja regjistroi rezultate për medalje në palestër… Vajza ngriti 90 kg në palestër në stilin e shkëputjes dhe është një rezultat premtues që unë e vlerësoj jashtëzakonisht, pasi Carja ka ngritur 87 kg para katër vitesh. Është bërë një progres me 3 kg që nuk është i ndjeshëm, por ajo është një sportiste elite. Por e përsëris, ne i referohemi ranglistës, të zezës mbi të bardhë. Tani ne nuk e dimë peshën e vajzës, sa ishte ajo atë ditë në palestër, pasi bëhet fjalë thjesht për prova në stërvitje. Është vetëm një stil dhe ke shumë energji, por sërish e përsëris që këto janë rezultate që në gëzojnë, pasi bëhet fjalë për vajzë të talentuar dhe të edukuar, e cila premton shumë. Por për një vajzë të tillë nuk duhet të ekzistonin këto problematika me trajneren, e cila siç dihet ka qenë kandidate për presidente në zgjedhjet e kaluara me mua në garë. Besimi për federatën mu dha mua dhe jo asaj. Ajo është e hapur dhe le të vijë dhe të kandidojë sërish në zgjedhje. Por që të hedhësh baltë pa të drejtë mbi federatën është shumë e dëmshme.
Pra, sipas jush në këtë rast trajnerja po e përdor sportisten?
Absolutisht që po. Ajo po përdor sportisten, pasi i gjithë opinioni publik në raste të tilla është gjithmonë jo me federatën, por me sportisten. Edhe unë vetë jam me sportisten dhe të gjithë e perceptojnë në këtë formë, por është e dëmshme për një sportiste që manipulohet nga kushdo trajner. Ne duhet të jemi të gjithë bashkë, sportistë, trajnerë dhe federatë dhe jo të përdorim këto metoda, pasi e theksoj që FSHP-ja është e vetmja federatë në Shqipëria që ka marrë 26 medalje ndërkombëtare dhe nuk na kanë ardhur nga qielli.
Një tjetër pretendim i Kalemit është prezenca e dy sekretareve në federatë. Si qëndron e vërteta?
Nuk është vërtetë që në FSHP janë dy sekretare, pasi njëra është asistente. Sekretarja e zgjedhur me vendim të bordit është bërë nënë në muajin janar dhe ka marrë lejen e lindjes, kështu që federata ka marrë një asistente për ta zëvendësuar, e cila për pak kohë punoi bashkë me sekretaren dhe e “thithi” shpejt punën. Pra, edhe ky pretendim i saj është një mashtrim me keqdashje. FSHP-ja është e vetmja federatë ku të gjithë vijmë në orën 8 në punë dhe largohemi në orën 4, kështu që nuk duhet t’i përgojomë këto vajza.
Gjithashtu trajnerja Kalemi denoncoi edhe për palestrën, teksa akuzoi federatën se i kishte ndërruar bravën, duke lënë sportisten jashtë…
Palestra në fjalë është e ekipit kombëtar, që do të thotë se është e pajisur me bazë materiale të re, një investim rreth 100 mijë euro bazë materiale. Sportistja ka ardhur bashkë me trajneren dhe ka kërkuar të stërvitet këtu. Sportistja dhe trajnerja kanë qenë në një shoqate private, “Dritan Kalemi”, për interesat e tyre kaluan tek Elbasani, më pas te Tirana dhe tashmë në fund te Teuta. Pra, brenda një viti kanë ndryshuar 4 ekipe dhe për këtë unë bëj autokritikë në emër të federatës që e kam lejuar dhe nuk do të ndodhë më. Megjithatë, duke parë nivelin e sportistes i kemi thënë që të vijë e të stërvitet dhe orari i palestrës është 10:00 deri 12:00 dhe 16:00 deri 19:00. Një orar që vlen për të gjithë sportistët elitarë që grumbullohen. Por trajnerja na kërkon çelës palestre dhe të vijë e të bëjë orar pa orar, kur të dojë ajo. Jo, kjo nuk ka për të ndodhur, pasi e para dëmtohet sportistja dhe e dyta federata. E treta, prishet edhe disiplina dhe rregulli në federatë, me të cilat kemi arritur sukseset. Tani për ironi të fatit, trajnerja del dhe stimulon vajzën duke qarë. Për çfarë? E përzuri njeri nga palestra? Jo. Përdorja e sportistit është shumë e dëmshme, por gjithashtu edhe përdorja e vetë trajneres. Trajnerja le të vijë de të konkurrojë, por me stimulimin e këtyre situatave me sportisten ka bërë një autogol. Për këtë që ka ndodhur unë do të mbledh bordin ekzekutiv dhe asamblenë, pasi nuk duhet lënë me kaq. Kjo gjë duhet bërë shembull për të gjithë trajnerët dhe sportistët, të cilët abuzojnë dhe duan të hedhin baltë mbi federatën.
FSHP-ja, ashtu sikurse shumë federata, duhet t’u drejtohen zgjedhjeve. Kur do të mbahet Asambleja Zgjedhore e peshëngritjes?
Zgjedhjet do të mbahen këtë të diel, më 10 nëntor, në qytetin e Shkodrës. Deri tani jemi dy kandidatura dhe përballë do të kem një legjendë të peshëngritjes, Asim Belinovën. Për herë të parë nuk do të votojnë klubet sportive, por vetëm shoqatat sportive. Gjithçka do të bëhet në mënyrën më transparente, me prani të noterit, me asamblenë që do të drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm, do të jetë e pranishme Ministria, do të ketë të deleguar nga Federata Europiane e Peshëngritjes. Pra, janë marrë të gjithë masat për mbarëvajtjen e asamblesë.
Prej disa vitesh Qeveria po investon miliona euro në projektin “Ekipet Sportive” në shkolla për basketbollin dhe volejbollin. Por, ende nuk po përfshihen sporte të tjera të traditës, ku një prej tyre është edhe peshëngritja. Cili është komenti juaj?
Është e vërtetë që është hedhur goxha lekë për projektin volejboll-basketboll dhe është bërë shumë mirë. Unë nuk kam survejuar dhe nuk e di sesa talente janë përfituar në këto vite nga ky projekt i madh. Por tani edhe me mendimin e Kryeministrit, në takimin që patëm para 2 muajsh, ky projekt do të shtrihet edhe në federatat e tjera dhe një nga federata kryesore është peshëngritja, gjithashtu janë mundja edhe atletika. Mendoj që me këtë projekt palestrat tona do të shumëfishohen me fëmijë, pasi edhe ligji i Qeverisë për shpërblimet është aktualisht ligji më i mirë në botë. Por kjo nuk do të thotë që Qeveria, për të cilën kam kritikë shumë të madhe, gjithashtu edhe për Ministrinë, për çështjen e fondit grant për federatat, jo vetëm për peshëngritjen. Ka federata si çiklizmi, xhudo etj., të cilave u mbaron buxheti që në muajin korrik dhe pastaj nuk shkojnë nëpër aktivitete, kështu që u bie cilësia dhe niveli. Për këtë ne duhet të ngremë zërin dhe unë kam biseduar edhe me presidentin e Komitetit Olimpik, të cilin e kemi një shok shumë të mirë dhe që ka bërë revolucion në KOKSH. Fidel Ylli është në një mendje që ne duhet të futemi në shkolla dhe të përfshihemi në këtë projekt dhe gjejmë elementë nëpër shkolla.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"