EKSKLUZIVE/ Nga Meksika te Flamurtari, rrëfehet Gonzales: Pas tri javësh do të jemi më të fortë dhe… (E PLOTË)
Anibal Gonzales për pesë vite ka stërvitur Kombëtaren e Meksikës. Me eksperiencë si përgatitës atletik në Portugali te Porto, në Spanjë dhe Japoni, ai ka ardhur në Vlorë për të dhënë më të mirën e tij.
Dora do t’i ndihet gjatë 20 ditëve të qëndrimit në Turqi. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Gonzales rrëfen edhe “sekretet” e fazës së Flamurtarit. Ditët e Turqisë për futbollistët do të shoqërohen me regjim të fortë të jetës, aktivitet dhe ushqim. Gonazales premton se Flamurtari do të jetë në nisje të kampionatit një skuadër e frikshme.
Kush është Anibal Gonzales?
Te Flamurtari unë vij pas një eksperience të gjatë në shumë skuadra të njohura futbolli, ku kam pasur detyrën e trajnerit të fitnesit. Kam punuar te Porto në Portugali, Rajo Vajekano në Spanjë, në skuadra në Japoni dhe Meksikë. Për 5 vite kam qenë trajner fitnesit i Kombëtares së Meksikës.
Sa e rëndësishme është faza përgatitore për një skuadër?
Kjo fazë përgatitore, e cila do të zhvillohet në Turqi, është tepër e rëndësishme për ekipin dhe për lojtarët. Është një fazë për t’u trajnuar së bashku të gjithë futbollistët. Por për mua është tepër i rëndësishëm edhe regjimi.
Çfarë kërkoni në këtë aspekt?
Skuadra do të ketë një regjim të plotë. Me rëndësi do të jetë edhe kontrolli i ushqimit. Futbollistët do të ushqehen me një program strikt. Jemi shumë rigorozë në këtë drejtim. Por edhe trajnimi në palestër dhe në fushë kanë rëndësinë e tyre. Faza përgatitore është tepër e rëndësishme për të startuar kampionatin në një kondicion më të mirë.
Jeni i kënaqur ju me gjendjen aktuale që ka skuadra?
Gjendja e lojtarëve deri tani është shumë e mirë. Unë i kam trajnuar ata tashmë prej dy javësh e pak ditë. I kam trajnuar në palestër, në fushë, me vrapime. Në këtë moment që flasim, gjendja fizike e tyre është më e mirë se thuajse tri javë më parë. Faza përgatitore është tepër e rëndësishme, sidomos për pjesën e parë të kampionatit. Trajnimi i lojtarëve është shumë i rëndësishëm për të ndikuar te puna si dhe në menaxhimin e emocioneve të tyre. Duhet që të punojmë edhe në aspektin psikologjik. Ne, stafi teknik, duhet që të jemi edhe psikologë.
Sa e fortë është kjo skuadër për të përballuar me sukses kampionatin?
Me afrimet në merkato, Flamurtari është ekip shumë i fortë. Por pas tri javësh do të jetë edhe më i fortë.
Si e parashikoni performancën e skuadrës gjatë garës?
Për sezonin që do të nisim, shpresoj ta startojmë si duhet. Më pas, çdo ndeshje do të bëhemi akoma edhe më e fortë. Shpresoj që ne të arrijmë fitore pas fitore.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













