EKSKLUZIVE/ “Në dy javë dolën kaq shumë probleme”, Shehi: Të detyruar të ndërhyjmë, duhen afrime nga mbrojtja në sulm (E PLOTË)
Partizani nuk ia doli dot të kalojë turin e dytë në Ligën e Konferencës, me humbjen e ndeshjes së parë në Gjeorgji, që i kushtëzoi jo pak për kualifikimin në “Elbasan Arena”.
Tani për të kuqtë nis një tjetër detyrë, të ndërtojë skuadrën që do të marrë pjesë në Superiore. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes me Iberian, tekniku Orges Shehi “qan” mungesën e golit, ndërsa nuk i harron lehtë katër golat e pësuar kundër Marsaslokut dhe Iberias. Sa i përket merkatos, ai sheh emergjencë në të gjitha repartet, sidomos në mesin e fushës, ku situatat që rrodhën dhe po rrjedhin mund të bëjnë që të jetë pa tre lojtarët e këtij reparti që deri para pak ditësh ishin titullarët e skuadrës.
Çfarë i mungoi ekipit që nuk arriti përmbysjen apo të paktën një gol?
Goli, ai na mungoi. Nëse do të shënonim dhe do të kishim penalltinë që nuk u akordua në minutën e dytë, situata do të ishte ndryshe. Kur ne nuk arrijmë të shënojmë, kundërshtari vjen pas një rezultati 2-0 që me kalimin e minutave fiton besim, kurse skuadra vazhdon gjithë kohën kërkon golin. Nëse do të kishim shënuar, do të ishte një tjetër situatë.
Sa ju kondicionoi dalja e Taipit?
Ka qenë e vështirë, sepse vinim në këtë takim me mungesa. Dy të paktën nga takimet e fundit me Muratajn dhe Rrapajn. Më pas, dalja e Hadrojt në mëngjesin para ndeshjes që nuk ishte në gjendje për të luajtur, ku dihet se çfarë rëndësie ka në skuadër.
Me daljen e Taipit në minutën e 15-të bëhen katër lojtarë që kanë shumë cilësi, lojtarë që shpërndajnë lojën dhe janë të mirëorientuar në fushë. Kjo gjë pastaj patjetër që e vështirëson, por Taipi na dogji edhe një ndërrim dhe nuk patëm mundësi për të bërë zëvendësim tjetër.
Cili është pengu juaj nga këto ndeshje në Europë?
Golat e pësuar. Janë katër gola dhe mund t’i cilësoj si pengu më i madh, sepse i kemi pësuar për gabimet tona dhe jo për ndonjë meritë të madhe të kundërshtarit.
A do të ketë ndërhyrje në merkato për të qenë gati në Superiore?
Gjatë këtyre javëve na dolën shumë problematika. Largimi i Mutarajt, dëmtimi i Hadrojt, Prekës apo Taipit. Nuk dimë situatën e Magetit si do të shkojë, ndaj na del për detyrë që të futemi sërish në merkato dhe kemi përparësi për të marrë tre ose katër lojtarë.
Cilët janë repartet ku do përforcoheni?
Jemi të detyruar të bëjmë ndërhyrje. Kërkojmë sulmues anësor, e kemi shprehur edhe po shohim. Duam mesfushorë, sepse imagjinoni, Murataj ikën, Taipi nuk e dimë sesa qëndron jashtë dhe Maget mund të lëvizë. Bëhen tre lojtarë në mesfushë, në një kohë që nuk dimë dëmtimin e Prekës. Pra, edhe një lojtar tjetër në mbrojtje. Ndaj, na duhen njerëz për të mbyllur këto problematika që na dolën këto dy javë.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"