EKSKLUZIVE/ “Në derbi duam vazhdimësinë”, Bregu pas fitores me Elbasanin: Ndeshja më e mirë, golat dua t’i shërbejnë ekipit (E PLOTË)
Dejvi Bregu ka dhuruar ndaj Elbasanit një nga ato performanca që meriton edhe duartrokitjet e tifozëve kundërshtarë.
Me dopietë golash dhe asistesh, vlonjati pohon në intervistën për “Panorama Sport” se kjo ishte një nga ndeshjet në të mira të Dinamos këtë edicion. Mesfushori pohon se nuk kishte presion para kësaj ndeshjeje, por kërkon vazhdimësi edhe në vijim.
Bregu ka besim se ndaj Partizanit do të bëjnë një performancë të mirë, duke shpresuar edhe në një prani të madhe të spektatorëve. Si një futbollist që di t’i bëjë mirë të dyja, golat dhe asistet, nuk di të zgjedhë se kush i shijon me shumë, pasi për të rëndësi ka që skuadra të arrijë suksesin.
Bregu, ishit ju shumë mirë, apo Elbasani shumë dobët?
Nuk mund të them nëse ishim ne shumë mirë apo Elbasani shumë dobët. Kam respekt për ekipin e Elbasanit, pasi ka treguar një ecuri shumë të mirë. Në radhë të parë duhen përgëzuar njëherë për tifozët që kanë në stadium, jo për faktin se na duartrokitën ne sot (dje), por në të gjitha ndeshjet kanë pasur atmosferë. Ishte një ditë e mirë për ne, i shfrytëzuam të gjitha mundësitë, patëm qarkullim topi që e kishim kërkuar në të gjitha ndeshjet dhe sot (dje) arritëm ta bënim me sukses.
A ishte kjo ndeshja më e mirë e këtij sezoni për Dinamon?
Mund ta themi këtë, sepse deri në këtë moment nuk kishim bërë të tillë lojë dhe të tillë rezultat. Më e rëndësishmja është vazhdimësia dhe nëse nuk ke vazhdimësi, kjo tregon se ka qenë thjesht sporadike. Duke qenë se çfarë lojtarësh kemi në ekip, mendoj se i kemi të gjitha mundësitë të bëjmë të tilla performanca edhe në vazhdim.
Ishit nën presion para kësaj ndeshjeje, duke qenë se vinit pas tri barazimesh?
Jo, aspak. Nuk ka arsye që të ishim në presion. Besoj se pikët që kemi marrë, i kemi të gjitha të merituara. Nuk kemi pasur presion, kjo ishte mënyra që zgjodhën për të zhvilluar ndeshjen dhe i zbatuam mirë detyrat.
Ndeshja e radhës me Partizanin, si e prisni?
Është një derbi, normalisht që është e rëndësishme. Do të jetë një ndeshje e luftuar, ku shpresoj që të ndiqet nga ana e spektatorëve për të dyja ekipet.
Pas dopietës me Elbasanin, shpresoni të shënoni edhe në derbi?
Çdo gol ka rëndësinë e vet. E rëndësishme për mua është golat e mi apo asistet t’i japin pikë ekipit. Ky ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë synimi im. Normalisht performancat e mira janë ato që mbajnë në vazhdimësi lojtarin dhe shpresoj të jem akoma edhe më në rritje.
Çfarë ju kënaq më shumë, të shënoni apo asistoni?
Trajneri më ka dhënë një rol në fushë, që edhe të asistoj dhe të shënoj. Siç e përmenda më lart, më kryesorja është të jem i rëndësishëm për ekipin.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"