EKSKLUZIVE/ “Ndryshimi i trajnerit na ndikoi”, Hoxhallari: Nuk mbrojmë dot bllok, në fund na shihni në “Final 4” (E PLOTË)
Erjon Hoxhallari dek laron se Tiranën e vërtetë të gjithë do ta shohin në fund, por fitoret do të vijnë që në sfidën me Kukësin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi dhe kapiteni i dytë foli për gjendjen e skuadrës. Pranoi krizën e rezultateve, ndërsa pohoi se ekipi nuk ka probleme në repartin e tij, por mënyrën se si mbron. Hoxhallari gjithashtu rrëfeu se largimi i Shehit dhe dëmtimet sollën një pështjellim që po riparohet. Në fund, “Hoxha” paralajmëroi dyshen e kreut se nuk ka rëndësi se cili është i pari tani, por në fund të “Final 4”.
Erjon, Tirana nuk është në vendin ku i takon, pasi ka pasur oshilacione. Është e treta po shumë pas vendit të parë?
Po, është e vërtetë që kemi pasur oshilacione deri tani. Dhe po mundohemi që të bëjmë më të mirën që të krijojmë stabilitet në rezultate. Unë besoj se këto oshilacione vijnë, sepse ekipi është rindërtuar dhe do kohën e vet që lojtarët të harmonizohen me njëri-tjetrin në lojë. Po ashtu dhe dëmtimet e shumta dhe pezullimet nga kartonët na kanë ndikuar pak.
Mungesa e rezultateve gjithashtu është e qartë se ka sjellë edhe krizë në ekip…
Mund të themi që kemi pasur një krizë të vogël të rezultatit, por këtë gjë nuk mund ta them për lojën, pasi ne krijojmë raste dhe jemi duke u shprehur mirë në fushë.
Në Korçë, për atë që dhatë në fushë, fituat një pikë të merituar apo latë dy pikë?
Ndeshja me Skënderbeun ishte e sikletshme. E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë, pasi ata janë një ekip me djem të rinj që kanë dëshirë të vrapojnë. Janë agresivë, por ne u munduam që të bënim ato çfarë kishim përgatitur që t’i godisnim. Dhe në pjesën më të madhe të lojës, arritëm t’i bëjmë siç duhet gjërat. Mund ta kishim fituar ndeshjen, njëkohësisht patëm dhe vështirësi në disa momente ku mund ta kishim humbur ndeshjen. Pra mund të them që në këtë ndeshje mund të kishim dalë dhe me 3 pikë ose dhe me asnjë pikë.
Mendoni se në gjendjen e Tiranës ka ndikuar ndryshimi i drejtuesit të skuadrës apo dëmtimet?
Çdo ndërrim i trajnerit ndikon në ekip, pasi çdo trajner ka filozofinë e tij të lojës. Siç e thashë dhe më sipër, dëmtimet dhe pezullimet me kartonë na ka bërë që të kemi një organikë më të varfër dhe kjo gjë ndikon sadopak.
Përse Tirana pëson më shumë gola këtë sezon sesa në sezonet e tjera krahasuar me vjet dhe parvjet?
Tirana pëson më shumë gola, pasi është krijuar një ekip me tipare shumë sulmuese dhe s’po arrijmë që të jemi në bllok për në fazën e mbrojtjes. Shpesh lexoj dhe kam dëgjuar që të flitet për këtë dhe etiketohet mbrojtja ajo që nuk po funksionon dhe po pësohet shumë, por në futboll nuk janë vetëm 4 mbrojtësit përgjegjës për fazën e mbrojtjes. I gjithë ekipi është përgjegjës, siç është i gjithë ekipi i suksesshëm kur shënojmë.
Ju shqetëson fakti që ekipet e kreut janë përpara me pikë dhe e kanë mundur Tiranën?
Duke e parë që si Egnatia dhe Partizani janë 8 pikë, duket sikur janë shumë larg dhe s’mund të rikuperohen. Por duhet të shohim që jemi akoma në javën e 13-të ku ka edhe 23 javë të mbyllet kampionati. Prandaj ne duhet të fokusohemi javë pas jave dhe të bëjmë kampionatin tonë, sepse kampionati mbaron në javën e 36-të.
Çfarë i mungon kësaj skuadre për të fituar titullin kampion apo është e kompletuar?
Unë mendoj se s’na mungon asnjë gjë. Thjesht sa të kalojmë këtë moment që çdo ekip do ta ketë në kampionat. Dhe shpresoj ta kemi lënë pas dhe tani të vazhdojnë të vine dhe rezultatet e shumëpritura nga të gjithë.
Titulli nuk vendoset në javën e 36-të. Duket sikur ky fakt ka vënë në gjumë shumë skuadra përfshirë edhe Tiranën?
Nuk e mendoj që “Final Four” ka ndikuar, pasi kampionati është i njëjtë si vjet. Ne duhet të luftojmë që të jemi sa me lart në 36 javë. Pastaj fillon ai kampionati i 2-të ose “Final Four” për është ngërçi i momentit.
Tifozët ku do ta shohin Tiranën në fund të sezonit. Me trofeun e 27-të apo në Europë?
Tiranën do ta shohim ditën e diel që të luftojë për ta fituar ndeshjen me Kukësin. Sfida ndaj Kukësit është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, pasi na çon në pauzën e kombëtares më të qetë. Dhe më pas vazhdojmë e përgatisim sa më mirë ndeshjet pasardhëse. Nuk duhet të mendojmë fundin e kampionatit, pasi asgjë nuk mund të vendoset që tani. E vetmja gjë që ne duhet të bëjmë është përgatisim ndeshjen e radhës që e ka emrin Kukësi.
OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"