EKSKLUZIVE/ “Na duhet shumë kjo Kupë”, presidenti i Egnatias: Sezon madhështor, të mundim Tiranën
Se çfarë ecurie ka pasur Egnatia për këtë sezon që mbyllet sot, kjo tashmë dihet nga të gjithë. Në këto lartësi e ka ngritur një “timonier” i zoti siç është prej më shumë se tri vitesh, presidenti Agim Demrozi.
Me thjeshtësinë e korrektësinë e tij shembullore, Agimi, që nuk i ndahet skuadrës në asnjë hap që hedh, e ka treguar me vepra tashmë se çfarë investimesh të jashtëzakonshme ka bërë në shumë drejtime. Që pasi eliminuan Vllazninë në gjysmëfinale, presidenti i Egnatias kishte deklaruar se Kupën e donte në Rrogozhinë. Dhe ora për ta bërë realitet këtë premtim erdhi, mes emocioneve, ngarkesës e përgjegjësive. Demrozi dje në mesditë ka dhënë këtë përgjigje për pyetjet që i ka drejtuar “Panorama Sport”.
Z.Demrozi, si është atmosfera tek Egnatia për finalen e parë në historinë e saj?
Madhështore, do ta quaja. E kemi pritur shumë këtë ditë. Duam të lumturojmë Rrogozhinën, të cilën e kanë quajtur gjithnjë të vogël për futbollin. Por ne tanimë jemi vërtetë ndryshe.
Nëse fitoni trofeun e Kupës kujt do t’ia dedikoni?
Skuadrës dhe stafit drejtues, të cilët më besuan dhe u angazhuan e realizuan qëllimet e objektivat. Kjo skuadër po përfaqësohet shumë denjësisht. Ky sezon që mbyllet me finalen e Kupës, ka treguar se sa mirë kemi arritur të përshtatemi. Sponsorëve e bashkëpunëtorëve të mi të afërt. Ata kanë qenë miqtë e mi të urtë, por edhe kritikët e mentorët e mi të besuar.
Luhet me tifozë, të cilët e kanë ëndërruar shumë një çast si ky. Keni ndonjë apel për ta?
I ftoj të gjithë në Elbasan. Të jemi së bashku për ta shijuar mrekullinë e fitimit të një trofeu. Apeli im është i thjeshtë. Na përkrahni, jo dhunë, jo fyerje dhe të mos provokohen nga asnjë faktor. Kam bindjen se ata me korrektesë shembullore e pa cenuar frymën e “fair play”- it, do të jenë mbështetja më fantastike që do të ketë skuadra sot në fushë. Lojtari i 12-të për mua merr gjithmonë vlerësimet tona më maksimale. Tifozëve ne ua kemi krijuar të gjitha kushtet që të bëhen pjesë e festës sonë kur skuadra me kupën me vete të vijë drejt Rrogozhinës pas finales.
Mbyllja me sukses e kampionatit duke u renditur në vendin e 3-të dhe gjendja e mirë e skuadrës, sa do të ndikojnë, sipas jush, në këtë finale?
Ndikimi themelor besoj do të vijë nga ky fakt që ne Europën e arritëm me shumë meritë nga kampionati. Skuadra po kalon një gjendje shumë të mirë fizike e psikologjike. Trajneri ka punuar shumë dhe mendoj se jemi në rrugë të mbarë. Kupën e duam, sepse si skuadër na duhet një kupë e madhe, ngaqë më parë kemi fituar veç disa kupa të vogla si kampionë të Kategorisë së Dytë dhe të Parë. Tani është radha ta konfirmojmë këtë gjendje. Shefi i klubit, Kledi Zenelaj, që është fjalëpakë e punëshumë po më thoshte: “Të jemi të përqendruar dhe skuadra me përgatitjen e saj të gjithanshme do t’ia dalë edhe për fitimin e kupës”.
Përballë është Tirana me një përvojë fantastike në fitimin e trofeve. Ndaj saj asnjëherë nuk është e lehtë?
Tirana është simboli i futbollit shqiptar. Një skuadër mjaft e mirë, shumë ambicioze dhe asnjëherë nuk ngopet me trofe. Ajo skuadër ka kualitete pa fund dhe na duhet përqendrim maksimal e të japim, jo 100, por 200 për qind në fushë që te kemi sukses karshi tyre. Por në këtë situatë ku ndodhemi diferencat janë të papërfillshme, përjashto historinë. Fitoftë më i miri, fitoftë futbolli.
Kur eliminuat Vllazninë në gjysmëfinale, ju deklaruat: “Kupën e dua në Rrogozhinë”. Do të bëhet realitet tani ky premtim?
Mbas fitores ndaj Vllaznisë, jo vetëm duartrokitjet e tifozëve shkodranë për lojën tonë të mrekullueshme, por edhe nga shumë specialistë e opinionistë është folur me superlativa për Egnatian. Prandaj them se është pikërisht dita jonë për të fituar sot Kupën e Shqipërisë. Këtë rast nuk duam ta humbasim kurrsesi. E dua shumë këtë kupë, kam investuar shumë, jam lodhur shumë. Njëkohësisht jam shpresëplotë se do të jetë një finale shumë e bukur. U them gjithë rrogozhinasve të jenë në stadium, sepse nuk do t’i zhgënjejmë.
FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"