EKSKLUZIVE/ “Mungon një 6-sh i fortë”, ish-kapiteni Bitri: Partizani ia di vlerën derbit, është momenti i Rrapajt (E PLOTË)
Që kur është larguar ai, mbrojtja e kuqe ka vuajtur dhe nuk ka gjetur stabilitet në lojë dhe emra. Eneo Bitri prej dy vitesh vijon të jetë pjesë e futbollit europian, teksa së fundmi është bashkuar me ekipin Giori, ku në harkun e pak ndeshjeve ka gjetur vend në 11-she dhe dalëngadalë po hyn si duhet në ingranazhet e futbollit hungarez.
Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ish-kapiteni i kuq analizon Partizanin dhe bën një prognozë për derbin e së shtunës. Bitrin e gëzon prodhimtaria në sulm, por nuk i pëlqen brishtësia në fazën mbrojtëse. Beratasi shprehet se derbin e fiton Partizani dhe se ky është momenti i Rrapajt.
Eneo, po e kapni shpejt vendin e titullarit në Hungari. Si po shkon aventura në ekipin e ri?
Po adoptohem me futbollin dhe idetë e trajnerit këtu, pasi jemi ekip i rindërtuar nga e para dhe na duhet koha e nevojshme që të bëjmë atë që kërkohet dhe të thithim idetë e trajnerit. Na duhet edhe pak kohë për tu ambientuar taktikisht me stafin, por edhe me njëri-tjetrin në fushë, pasi jemi plot 14 lojtarë të ardhur gjatë kësaj vere dhe na nevojitet pak durim për të treguar veten.
Po Partizanin, si e keni parë? Çfarë ju pëlqen dhe çfarë jo?
E kam ndjekur Partizanin dhe më ka pëlqyer fakti që ka shënuar thuajse në çdo ndeshje. Nuk ka arritur te goli vetëm në sfidën kundër Vllaznisë. Nga ana tjetër, më shqetëson fakti që pëson gola shumë lehtë. Sa herë shënojnë dhe gjejnë avantazhin, sikur mendojnë se ndeshja ka mbaruar, por është e kundërta, aty duhet më shumë përqendrim.
Barazim në ndeshjen e fundit me Laçin. Çfarë mungoi?
Partizani kishte gjithë mundësitë që të merrte tri pikë në Laç, pasi gjeti avantazhin, por ndodhi ajo që përmenda më lart. Nuk duhet humbur përqendrimi dhe duhet të jenë më shumë vlerësues ndaj situatave në ndeshje. Të luftojnë për çdo top të parë e të dytë që të mos e vënë veten në vështirësi nga sulmet e kundërshtarëve.
U larguan lojtarë të afirmuar dhe u afruan të rinj, të cilët nuk zënë ende vend titullari. U dobësua disi Partizani gjatë kësaj vere?
Është e vërtetë që ka pasur largime të rëndësishme, por mendoj se Partizani i ka ende në ekip kualitetet që mund të zgjidhin ndeshjet në çdo moment, sido që të luajë ekipi. Ata mund të zëvendësojnë këdo që është larguar apo mungon për shkak dëmtimesh.
Në këto javë kemi parë Rrapajn të jetë vendimtar. Nga cili lojtar prisni ta bëjë të njëjtën gjë?
Mendoj se ky është viti i Rrapajt, pasi ka gjithë eksperiencën e duhur. Tani s’mund të quhet më djalë i ri, u bënë shumë vite që luan në Kategorinë Superiore. Kualitetet në sulm te Partizani duhet të bëjnë diferencën dhe të marrin më shumë përgjegjësi. Të shënojnë më shumë, pasi ndihmojnë ekipin dhe veten e tyre.
Sa i pengon mungesa e një lojtari të fortë para mbrojtjes? Kishin Matondon dhe Magetin…
Është konstatim i drejtë ky i juaji. Partizani në pesë vitet e fundit ka pasur numrat 6 më të fortë në Shqipëri, përfshij këtu edhe Telushin. Tani shoh që Partizani po e vuan pak largimin e Magetit, pasi ai ishte lojtari i vetëm që kishte cilësinë ta nxirrte me thjeshtësi topin përpara.
Partizani sfidon të shtunën Tiranën e ribërë. Kush është favorit? Beson se të kuqtë e ruajnë ecurinë e dy viteve pa humbje?
“Derbi nuk luhet, por fitohet”, është një frazë e thënë nga njerëz më të mëdhenj sesa ne. Mendoj se fiton Partizani, edhe pse ajo ndeshje mbetet gjithnjë e paparashikueshme, sepse i mban të tria rezultatet brenda. Por fakti është se Partizani ka në ekip lojtarë që ia dinë mirë rëndësinë asaj ndeshjeje.
Cili prej lojtarëve mund ta vendosë këtë ndeshje? Kush i ka cilësitë?
Mendoj se do të shfaqet sërish Rrapaj. Po kalon momentin e tij më të mirë dhe pres që të shënojë edhe në derbi.
Si përgatitej derbi kur ju ishit te Partizani? Na tregoni dot ndonjë detaj?
Mund t’ju them se gjatë javës nuk e përmendnim asnjëherë në stërvitje faktin që përpara kishim derbin, thjesht përgatiteshim për ndeshjen e radhës që na dilte përpara. Ama, ditën e ndeshjes karikoheshim në dhomat e zhveshjes me muzikën e “Ultras Guerrils”, pasi ata ishin energjia jonë më e madhe në të tilla ndeshje.
DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"