EKSKLUZIVE/ “Miku im, mos bjer pre e intrigave. Nuk merrem me këto mesele”. Bizhdili i përgjigjet Idrizit: Të paska bërë dëm darka në Vorë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2024 | 18:52

EKSKLUZIVE/ “Miku im, mos bjer pre e intrigave. Nuk merrem me këto mesele”. Bizhdili i përgjigjet Idrizit: Të paska bërë dëm darka në Vorë!

Presidenti i Flamurtarit Sinan Indrizi, gjatë prononcimit të djeshëm në “Panorama Sport”, për të dytën herë aludoi për ndërhyrje nga ana e presidentit të Besës në takimin Lushnja–Flamurtari. Madje, ai hapur kërkoi edhe reagimin e presidentit Nexhat Bizhdilit.

bIZHDILI QOSJA

Presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, dhe kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja

Gazeta ka komunikuar dhe me presidentin e Besës, i cili në reagimin e tij ka kujtuar marrëdhëniet e përhershme mes Flamurtarit e Besës, duke iu drejtuar me shprehjen: Miku im Sinan Idrizi. Bizhdili preferoi të sqaronte gjithçka lidhur me këto momente të kampionatit. “Miku im, jemi 2 klube nga më të vjetrat në Shqipëri dhe nuk jemi fatkeqësisht rishtas në Kategorinë e Parë. Nuk e di nëse të ka bërë dëm darka me kryetarin e Bashkisë Vorë. Pas atyre ankesave tuaja për situatën me tifozët, mungesën e VAR-it apo golin me dorë siç tregojnë pamjet, gjete qetësinë të darkoje me kryetarin e Bashkisë Vorës dhe paske arritur në konkluzionin se fajin e paska Besa. Është shumë herët miku im të biesh pre e intrigave.

Të kujtoj, se gjyqtari që arbitroi sfidën Vora – Flamurtari, ka qenë në VAR në takimin tonë Vora – Besa, që na mohoi një 11-metërsh të pastër. Sa u përket aludimeve për ndeshjen në Lushnjë, edhe mua më thanë se edhe Idrizi kishte vënë premio për ta fituar, por unë nuk e besova e as e besoj. Nëse ju keni informacion për 15 milion lekë premio të dhëna nga unë, ju siguroj se nuk është Bizhdili në këtë mesele, por dikush tjetër dhe atë kërkojeni ju. Ti po ankohesh për premion në 1 takim, çfarë duhet të them unë për 11-metërshin dhe golin 1 metër brenda vijës fatale të mohuar ndaj Pogradecit, që VAR nuk e pa? Madje, së fundmi ndaj Pogradecit, edhe mua më informuan se ishin dhënë 15 milionë për fitoren dhe 10 milionë për barazimin ndaj ndesh.

Unë nuk u besoj, pavarësisht se mua dha si informacion i saktë. Besa është ekipi më i dënuar nga gjykimi, pasi përtej Pogradecit na u mohuan dy penallti të pastra ndaj Vorës dhe një 11-metërsh në Shijak. Me drejtësi, Besa sot duhet të ishte kryesuese së paku me katër pikë para Vorës. Së fundi, keqardhje që miku im Idrizi ka rënë pre e intrigave të të tjerëve. I kujtoj se gjithnjë mes Besës e Flamurtarit, si në Kavajë edhe në Vlorë është luajtur ‘fair play’ dhe këto vitet e fundit edhe Idrizi është dëshmitar. Ndaj, ashtu si unë për 5 barazimet e Besës kam kërkuar llogari vetëm te lojtarët e mi, edhe ju mos u besoni intrigave që kërkojnë të cenojnë një miqësi e ‘fair play’-in mes Besës e Flamurtarit”, u shpreh presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, për “Panorama Sport”.

Për “Panorama Sport”

Çfarë tha Sinan Idrizi pas humbjes në Vorë dhe kërkesa për Bizhdilin

Gjatë shpërthimit në intervistën e botuar dje në “Panorama Sport”, Sinan Idrizi priste edhe një përgjigje nga presidenti i Besës në lidhje me premiot e pretenduara në favor të kundërshtarëve që luajnë me Flamurtarin. Ja çfarë tha Idriz mes të tjerash: “Pas ndeshjes, në darkë, unë isha me drejtuesit e Vorës, me kryetarin e Bashkisë së Vorës. Vetëm një temë diskutuam. Ju thashë, ju lutem ka një thashetheme ku thuhet që u keni dhënë premio kundër ekipeve që luajnë me Flamurtarin. Në mënyrë të drejtë dhe burrërisht më thanë që te ne nuk ndodh një gjë e tillë. Përkundrazi, presidenti i Vorës më tha, se e dinte se është  Flamurtari ai që jep premio për kundërshtarët e tyre. Ne këtë nuk e kemi strategji. Unë tani flas në aspektin burrëror dhe jo në aspektin mashkullor të drejtuesve. Ju lutem, ju si gazetë shumë e lexuar, drejtojuni edhe presidentit të Besës. A ka ndërmarrë ai ndonjë iniciativë të tipit të tillë që të financojë Lushnjën dhe Burrelin kundër Flamurtarit? Nëse burrërisht thotë që mua ligji ma lejon dhe do ta sponsorizojë, atëherë Flamurtari në këtë moment do të japë trefishin e asaj çfarë ata japin kundër nesh. Unë nuk e di kush e bën. Mua më kanë ardhur lojtarët e Lushnjës dhe më kanë thënë që na është ofruar një premio prej 15 milionë lekësh, që të luajmë kundër Flamurtarit. Kjo është ana e errët e futbollit shqiptar”.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"