EKSKLUZIVE/ “Me këmbë në tokë për te titulli”, Xhahysa: Ju tregoj problemet e Vllaznisë (E PLOTË)
Ish-sulmuesi kampion me Vllazninë, Altin Xhahysa, ka folur së fundmi në një intervistë për “Panorama Sport”.
Ai ndalet te kampionati shqiptar dhe zhvillimet e javës së fundit. Duke veçuar Vllazninë, Xhahysa thekson se kuqeblutë po bëjnë një kampionat pozitiv dhe e cilëson të drejtë barazimin 1-1 kundër Egnatias. Po ashtu, shkodrani tregon edhe për një “defekt” që kanë shfaqur këtë edicion 9 herë kampionët e vendit.
Xhahysa, Vllaznia nuk shkoi më shumë se barazimi në ndeshjen e fundit kundër Egnatias. Ishte rezultat i drejtë?
Po, them se ishte një rezultat i drejtë për atë çfarë ekipet dhanë në fushën e lojës. Ishin dy tablo të ndryshme në dy pjesët e lojës për të dyja ekipet. Besoj se gjithçka ishte e drejtë në fund mes dy prej skuadrave më cilësore të këtij edicioni, që nga java në javë po shfaq një garë më të ashpër sportive.
Mund të bënte diçka më tepër Vllaznia duke qenë se e barazoi shpejt ndeshjen me fillimin e pjesës së dytë?
Mënyra sesi e interpreton skuadra lojën në avantazh, disavantazh apo edhe barazim, është një e drejtë ekskluzive e trajnerit. E zgjedh ai sesi skuadra duhet ta marrë ndeshjen dhe ta luajë atë. Në mendimin tim, në momentin që Vllaznia e barazoi ndeshjen, mori kontrollin e lojës kundër Egnatias. Ndoshta duhej të tentonte ta godiste portën më shumë, por edhe një pikë në transfertë nuk është keq, sepse ekipi vijon me serinë e rezultateve pozitive.
Ka pasur diçka që nuk ka shkuar te kjo Vllazni në këtë sezon?
E thashë edhe pak më sipër, por e kam vënë re disa herë edhe gjatë këtyre javëve. Vllaznia nuk është e njëjtë në të dyja pjesët e lojës. Herë zhvillon një pjesë të parë të shkëlqyer dhe bie ritmi në të dytën e gjithashtu e kundërta kur bën pjesë të parë nën ritëm e pjesë të dytë fantastike. Duhet të gjendet një ekuilibër, ku besoj se edhe Brdariç e ka të qartë se ku duhet të ndërhyhet dhe se çfarë duhet bërë.
Mbrojtja më e mirë është sulmi për Vllazninë? Shkodranët kanë pësuar shumë gola këtë sezon, por konfirmohen si sulmi më i mirë…
Gjithmonë kështu ka qenë për Vllazninë (qesh). Është në mentalitetin e ekipit loja sulmuese, duke lënë ndoshta ndonjë deficit mbrapa. Por patjetër një ekip që pretendon, si Vllaznia, nuk duhet të pësojë kaq shumë, pasi disa gola janë më tepër “dhurata”, sesa meritë e kundërshtarit dhe duhet të ketë një vëmendje që këto gabime të mos ripërsëriten në të ardhmen.
Deri ku mund të mbërrijë kjo Vllazni?
Besoj se skuadra është ndërtuar për gjëra të mëdha në këtë edicion. Ka lojtarë me eksperiencë, që e njohin mirë kampionatin shqiptar, prandaj ekipi është ndër skuadrat e kreut momentalisht. Totalisht e merituar, por unë pretendoj akoma më tepër nga kjo Vllazni, sepse i ka lojtarët e duhur për të zhvilluar edhe lojëra apo të arrijë objektiva më të mëdhenj.
Me këtë doni të thoni titullin kampion?
Ai titull ka 24 vite që mungon në Shkodër. Si ekipi, ishlojtarët, por edhe tifozët e vuajnë këtë fakt, sepse janë shumë vite pa titull. Patjetër, dëshira ime si shkodran është fitimi i titullit dhe siç e thashë mundësitë janë. Por skuadra duhet të qëndrojë me këmbë në tokë, të vlerësojë çdo kundërshtar dhe situatë dhe pse jo të pretendojë titullin. Fillimisht duhet siguruar “Final 4” e më pas në ato 2 ndeshje “play-off” gjithçka mund të ndodhë.
Kush mund të jenë kundërshtarët më të fortë në rrugën e Vllaznisë?
Shoh disa ekipe, janë sërish Egnatia dhe Partizani siç ishin sezonin e kaluar, por nuk përjashtoj as Dinamon, pasi përveç futbollistëve, ka edhe një trajner ekspert si Daja. Mund të them edhe Elbasani, pavarësisht se javët e fundit nuk ka pasur rezultate pozitive. Pra janë disa skuadra të barabarta ose me pak diferenca, që po e bëjnë këtë kampionat shumë “të luftuar” nga java në javë.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"