EKSKLUZIVE/ Matondo akuzoi për biletat, reagon agjencia: Udhëtoi me “business class”, ja pse gënjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2023 | 22:22

EKSKLUZIVE/ Matondo akuzoi për biletat, reagon agjencia: Udhëtoi me “business class”, ja pse gënjen

Intervista e Masanga Matondos, e dhënë vetëm para pak ditësh për “Panorama Sport”, nuk mund të kalonte pa “zhurmë” dhe hatërmbetje, por edhe njëfarë acarimi nga ana e atyre me të cilët Matondo ka punuar dhe ka pasur më së shumti marrëdhënie, që pretendojnë të kundërtën në lidhje me një pjesë të deklaratave të kongolezit.

Matondo

Pavarësisht kësaj “revolte” të brendshme, klubi ka zgjedhur të heshtë. I vetmi që ka thyer heshtjen është menaxheri i agjencisë, me të cilën Partizani ka bashkëpunuar për prerjen e biletave të Matondos. Demir Progri ka treguar për gazetën detajet mbi biletat e mesfushorit kongolez, duke pretenduar se Matondo nuk është treguar i sinqertë.

“Së pari, pjesën e shoqërimit nga policia nuk e di se sa është e vërtetë. Nuk besoj se policia të arreston për punën e biletës. Në lidhje me biletat, janë dy pjesë. E para është rezervimi dhe e dyta, lëshimi. Çdo biletë udhëtimi ka një numër.

Në momentin që rezervimi kalohet në biletë, ajo automatikisht ka një numër, që del nga sistemi i kompanisë ajrore. Kështu që nuk mund të kalosh dot në “check-in” për të vazhduar udhëtimin, nëse nuk ke një biletë. Kështu që, kjo nuk qëndron. Në asnjë vend nuk mund të ndodhë kjo.

Nëse ti merr një biletë të transportit ajror, ajo është e shoqëruar me një numër, ku tri shifrat e para janë kodi i kompanisë, pastaj janë 10 numrat e tjerë, që janë të biletës.

Çdo biletë që i është dhënë Matondos është çuar në dy drejtime. Agjencia ia çon drejtorit dhe menaxherit të ekipit. Më pas ata ia përcjellin lojtarit, i cili nuk mund të udhëtojë dot pa pasur një biletë të rregullt. Nëse është biletë, është me numër”, shprehet fillimisht Progri.

ANULIMI- Më pas ai flet edhe në lidhje me pretendimin e Matondos, që ka deklaruar se gjatë një udhëtimi nga Kongo për në Tiranë, përmes Stambollit, i është anuluar bileta në segmentin e dytë Turqi-Shqipëri. Progri pretendon se edhe kjo është e pamundur.

“Nëse Matondo do të udhëtojë nga Kongo në Tiranë përmes Stambollit, bileta është me dy segmente. Në momentin që ti e pret si biletë, janë të vlefshëm të dy segmentet brenda një numri bilete, kështu që nuk mund të anulohet një nga këto segmente. Nuk mundet që ti të udhëtosh deri në një pikë të caktuar dhe të anulohet pjesa tjetër. Duhet të fshihet komplet bileta dhe jo të udhëtosh deri në Stamboll dhe të të anulohet pjesa tjetër e udhëtimit të parashikuar në biletë”, shton Progri.

PRAPASKENAT- Ai më pas tregon edhe disa prapaskena në lidhje me marrëdhënien mes klubit dhe Matondos. Ai pretendon se Partizani e ka ndihmuar Matondon në disa raste, pa e pasur detyrim.

“Matondos, në dijeninë time, i është bërë bujari nga Partizani, pasi ai nuk e ka pasur në kontratë fare që atij t’ia paguante biletat klubi. Ato çfarë Matondo ka thënë në gazetën tuaj në lidhje me këtë pjesë janë të gjitha të pavërteta. Madje për Matondon nuk ka pasur vend në avion dhe vetëm që të vinte në Tiranë i është prerë biletë në klasin e biznesit. Në klasin ekonomik nuk kishte vend dhe Partizani ka vendosur të paguajë në klasin e biznesit vetëm për ta sjellë Matondon”, përfundoi Progri.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"