EKSKLUZIVE/ Lirohet stoli i Partizanit, largohen dy ndihmësit e Zekiçit dhe i shtrohet rruga… Shehit
Partizani pëson sërish ndryshime në stol, pasi së fundmi janë larguar edhe dy pjesëtarë të stafit teknik. “Panorama Sport” mëson se kroatët, Mario Kuic dhe Marko Matijeviç, i kanë dhënë lamtumirën klubit të kuq, pas një aventure prej më shumë se gjashtë muajsh. Kjo dyshe ishte pjesë e stafit të Zoran Zekiçit në momentin që kaloi te Partizani, por bashkë me klubin, u vendos që Kuic dhe Matijeviç të qëndronin te të kuqtë edhe pas largimit të shefit të tyre, për ta bërë më pak të dhimbshëm ndryshimin e papritur në stolin e kampionëve.
Në prononcimin e tij ekskluziv për gazetën pas largimit nga Partizani, Zekiç la të kuptohej se Kuic dhe Matijeviç do të qëndronin te Partizani deri në momentin që drejtuesit do të gjenin trajnerin e ri.
“Unë i kërkova Marios (Kuic) dhe Markos (Matijeviç) të qëndrojnë te Partizani dhe të ndihmojnë me kontributin e tyre. Por shpresoj që klubi të gjejë shpejt trajnerin dhe stafin e ri, sepse unë ua kam nevojën atyre dy djemve. Do të doja të punonim së bashku tek Osijeku. Në fund kjo është normale, pasi ata kanë qenë pjesë e stafit tim prej 7 vitesh”, shprehej Zekiç për “Panorama Sport”.
E në fakt në këtë moment ai ua ka vërtet shumë nevojën asistentëve të tij, pasi Osijek numëron pesë ndeshje pa fitore dhe Zekiç së bashku duhet të punojnë për të ringritur skuadrën kroate në nivelet e pritshme.
Burime për gazetën pranë klubit bëjnë me dije se Kuic dhe Matijeviç janë lënë të lirë nga Partizani, duke zgjidhur kontratën në mënyrë konsensuale. E shkuara na ka treguar se te ky Partizan asgjë nuk bëhet pa u menduar mirë dhe pa e pasur një plan.
SHEHI PO VJEN – Aktualisht stafi përbëhet vetëm nga Abilaliaj dhe Kalari, por Orges Shehi duket çdo ditë e më pranë Partizanit. Pavarësisht konfirmimit të Abilaliajt nga ana e presidentit Demi, ky i fundit, por edhe vetë drejtori, e kanë pasur të qartë që në fillim planin për të rikthyer ish-portierin në kampin e kuq.
I kushtëzuar nga një kontratë aktive me Tiranën, Shehi e ka pasur të pamundur t’i bashkohet Partizanit, por burime për gazetën bëjnë me dije se fjalën e tij te presidenti Demi e ka dhënë. Pavarësisht ofertave të tjera nga Superiorja, ish-trajneri bardheblu ka vendosur për Partizanin dhe bashkimi me të kuqtë është thjesht çështje kohe, ditësh, ndoshta edhe orësh. Bashkë me të, te të kuqtë do të kthehen edhe dy ishlojtarë të tjerë të Partizanit, Artan Karapici dhe Sebino Plaku.
GJYQI – E sotmja pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e Shehit, pasi “Panorama Sport” mëson se do të zhvillohet gjyqi me Tiranën në Dhomën Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, ku trajneri ka denoncuar çështjen. Gjasat janë që Shehi të lirohet nga kontrata me Tiranën dhe të jetë i gatshëm për të firmosur kontratën me Partizanin.
DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"