EKSKLUZIVE/ Leonard Tase tregon historinë e eliminimit të Dinamos: Zarfi nga CEV u gjet i mbyllur në zyrën e Federatës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2023 | 22:05

EKSKLUZIVE/ Leonard Tase tregon historinë e eliminimit të Dinamos: Zarfi nga CEV u gjet i mbyllur në zyrën e Federatës

Pas kaq shumë vitesh Leonard Tase u rikthehet atyre takimeve ku Dinamo e volejbollit të meshkujve u eliminua nga kompeticioni ndërkombëtar, situatës së krijuar, veçanërisht në Stamboll, tensionit, presionit të tifozërisë me fotografinë e Enver Hoxhës, ndërhyrjen e forcave të rendit, ndeshjen, setin e fituar dhe skualifikimin e papritur e të pamenduar në fushë.

Dy kapitenët para ndeshjes Ekzacibasi- Dinamo në Stamboll, Leonard Tase (djathtas)

Dy kapitenët para ndeshjes Ekzacibasi- Dinamo në Stamboll, Leonard Tase (djathtas)

“Një anomali e krijuar për mungesë të dokumentacionit zyrtar, kjo nga mënyrat e vjetra të komunikimit, fakseve të vjetruara, jashtë kohe, etj., që vështirësonin ardhjen e shpejtë në Shqipëri të çdo informacioni, ndryshimeve të rregulloreve”. Pa përjashtuar edhe trukun e turqve para ndeshjes, që u përdor si argument për të përfituar nga ajo mangësi shkresore e klubit shqiptar”.

Z. Tase, bëhet fjalë për disa ndryshime në aspektin administrativ në veprimtaritë ndërkombëtare, apo jo?
Bëhet fjalë për licencimet e lojtarëve. Nuk e dinim që për herë të parë aplikohej në atë sezon në Kupën e Kampioneve. Duhej që federata të na informonte. Ne si lojtarë, por as drejtuesit e Dinamos, si në Tiranë dhe në Turqi, nuk kishim fare dijeni për atë proces. Nga Federata Shqiptare, për mungesë informacioni nuk ishin përgatitur federimet dhe në Stamboll kur zyrtarët e ndeshjes i kërkuan, ne nuk i kishim. E pafalshme kjo për zyrtarët e federatës sonë. Është fakt se jo ne, por as drejtuesit e klubit e të federatës nuk ishin të qartë për këtë dokument të domosdoshëm. Nëse do të kërkoheshin në takimin e parë…, sigurisht ishim të papërgatitur. E pashpjegueshme është se në Tiranë, FSHV, ne nuk kishim dijeni, por si mundet që vëzhguesi, arbitrat e takimit që ishin ndërkombëtarë nuk i kërkuan ato dhe e zhvilluan lojën? Normalisht që në mungesë të tyre, ndeshja e parë nuk duhej të zhvillohej.

Ndeshja në Tiranë… Një rezultat, fitore, që i befasoi stambollasit, apo jo?
Kam mendimin se kampionët e Turqisë, drejtuesit e saj, e kishin parashikuar të lehtë ndeshjen dhe nuk i dhanë rëndësi, nisur edhe nga fakti se në takimin e kthimit e kishin në Stamboll para publikut të tyre. Për këtë arsye nga ata nuk u tregua interes për një verifikim të librezave të licencimeve dhe të lojtarëve tanë. Por ndeshja këtu u mbyll 3-0, me vetëm 18 pikë të tyre dhe që Dinamo kishte mundësi të madhe për kualifikim. Nuk e prisnin, u befasuan, por prapë nuk reaguan. Edhe pas takimit, nëse do të kishin bërë reklamim, askush nuk e dinte si do të vijonte, pra se si do të veprohej.

Drejt Turqisë me autobus dhe shpresë për kualifikim?
Për në Turqi, pas një jave kemi udhëtuar me autobus dhe me shpresën e madhe për një rezultat pozitiv. Kishte entuziazëm në skuadër, te lojtarët. Akomodimi ishte rezervuar në hotelin “Bebek”, modern, në një zonë interesante, afër pallatit të sportit, me pishinë, me akuariume të mëdha brenda tij. Dinamo, trajneri Koja, kishte krijuar një grup të mirë dhe ishte në kërkim të kthimit të famës.

Kishte entuziazëm dhe shumë shqiptarë në mbështetje të Dinamos…
Një ditë para zhvilluam stërvitjen njohëse, pa asnjë problem. Të nesërmen ndeshje, mbrëmje, ora 19.00, në sallë kishte shumë shqiptarë të Kosovës, kurdë, rreth 1000 që brohorisnin “Shqipëri, Shqipëri”, “Dinamo, Dinamo”, mbanin një flamur të verdhë dhe një foto e madhe e Enver Hoxhës. Deri edhe fraza për të drejtat e Kosovës dëgjoje. Pas ndeshjes i kapi policia, i goditi, duke i gjakosur. Disa prej tyre hipën në autobusin tonë që shpëtuan. Kujtoj se shoqërues ishte një bullgar, pasi turqit ishin në Ramazan dhe për këtë arsye kishin caktuar një person jo vendës.

Leonard Tase

Leonard Tase

Ndërsa përgatiteni për fillimin e lojës, ajo vonon të nisë, pasi në tavolinën e gjyqtarisë ka debate. Çfarë mbani mend?
Ndërsa skuadrat po bënin nxehjen, pra ishte plotësuar protokolli, pritej të fillonte loja. Në tavolinën e gjyqtarisë ka debate, te ne vjen vëzhguesi i ndeshjes, një turk, i cili pasi u informuam më vonë ishte edhe zv/ president i CEV-it. Kërkonin dokumentacionin tonë, licenca, që për ne ishte befasi. Në një komunikim anglisht nga unë dhe frëngjisht nga Kiço Lena, ata u informuan se ne na mungonin librezat e licencimeve. Ai që ishte në favorin tonë, ishte arbitri hungarez, që listën e federimit, protokollin me emrat tanë i konsideronte të vlefshëm. Por, kjo nuk mjaftonte.

Diçka nuk shkon dhe mungon një akt zyrtar. Çfarë ndodhi më pas?
Nisur nga dokumentacioni i klubit shqiptar, që sipas tyre rezultonte i mangët, na thonë se ndeshja nuk do të zhvillohet. U habitëm, ndaluam, nuk po kuptonim asgjë. Shkuam te stoli, i treguam Kojës, që edhe ai nuk kuptonte se çfarë pretendonin turqit. Folëm edhe me Çlirim Hysin, shoqëruesin tonë. Ata e kishin menduar e studiuar hilen që do të përdornin dhe u shfaqën shpejt dhe agresivë. Nga ana sportive, për ta ishte e rëndësishme fitorja aforfe dhe kalimi në turin e dytë.

Jeni para një vendimi që i shtang të gjithë, apo jo?
Nëpërmjet qendrës së zërit u informuan edhe spektatorët, se për një parregullsi të tillë, ndeshja nuk do të zhvillohej. Trajneri Koja, Lena si kapiten, kërkuan sqarim për këtë situatë të krijuar, tejet absurde dhe delikate. Nuk u përdor alternativa për ta shtyrë derisa ne të gjenim një rrugëzgjidhje, por aty e deklarua 3-0. Vëzhguesi, pavarësisht nga kërkesat e Kojës dhe Lenës, ishte i vendosur. Ndërsa ne bënim pyetjen: “Si mundet të mbyllet një takim në këtë mënyrë?”

E vërtetë është që pati tension në pallatin e sportit dhe reagim të ashpër nga tifozët?
U krijua një pakënaqësi që u shpreh edhe në qëndrimin, pretendimin e tifozërisë shqiptare. Kishte prej tyre që tentuan të futen në fushë. Në këtë situatë, policia turke futi në pallatin e sportit forcat e ndërhyrjes së shpejtë, që me skafandra ndërhynë duke marrë nën kontroll situatën, për të ulur tensionin e krijuar e shmangur gjithçka që mund të ndodhte, nga organizatorët u gjet një zgjidhje.

Cila ishte ajo?
Takimi të zhvillohej për publik, rezultati nuk do të kishte rëndësi. E pranuam. Filloi loja, ne fituam setin e tretë, sigurisht të paimpenjuar edhe pse një shpresë, ajo e fundit, që nga CEV mundet të kishte tjetër vendim. Ndonëse, drejtuesit turq kishin komunikuar para ndeshjes. Dhe, ishin ata që sugjeruan zhvillimin formal të ndeshjes.

Në FSHV pati konfuzion, por jo fajtorë… A u informuat më pas se çfarë ndodhi?
Kthehemi në hotel, të mërzitur. Çlirim Hysi, Xhel Koja komunikuan me Tiranën, folën me drejtues të Ministrisë së Brendshme, që ishin të interesuar për rezultatin e ndeshjes, duke informuar për atë që ngjau. Të habitur, diçka e pakuptueshme, situatë e panjohur ishte edhe për ta. Përgjegjësia ishte e dikujt sigurisht, por jo e sportistëve. Të nesërmen, siç na treguan më vonë, drejtuesit e dikasterit, të shqetësuar shkuan në FSHV, ku u informuan se zarfi i sjellë nga CEV me postë nga postieri, që përmbante informacion të plotë me dokumentet e nevojshme, kishte përfunduar në një qoshe dhe të painteresuar as që e kishin parë e hapur. Një pakujdesi e pafalshme, ndonëse secili kërkonte të justifikohej pas asaj që ndodhi. Kujtoj se pati reagime, largime të zyrtarëve. Nuk funksiononte komunikimi bashkëkohor, mungesa e gjuhës nga drejtues, ishin edhe këto disa nga arsyet e mosmarrjes së informacioneve në përgjithësi, kur marrëdhëniet me botën në atë periudhë ishin mediokre.

Në pritje, ka shpresë nga CEV, por…
Qëndruam në pritje atë javë, nuk pati asnjë reagim publik zyrtar nga federata jonë apo shteti. Edhe për ta ishte e mbyllur. Ndërkohë, në mungesë të dokumentacionit të duhur për ato përballje, CEV e përjashtoi skuadrën tonë nga turneu i atij edicioni. Por jo në atë vijues, pasi shorti e caktoi Dinamon të ndeshet me Klipan të Torinos, kampionët e Italisë. Më parë kishte luajtur duke u kualifikuar Dinamo-Virtus, pastaj Dinamo-Ruini dhe Partizani-Ruini, që regjistron një tjetër kualifikim të klubit shqiptar. Në këtë rast, sërish me një klub italian. Edhe kjo përballje do të ofrojë një rivalitet të madh. Ka qenë seti i pestë vendimtar në dy takimet, që vendosi fatin. Të dyja takimet e humbura 2-3, ndonëse në Tiranë ne komandonim 2-1 me sete.

INTERVISTOI: UVIL ZAJMI

LEXO EDHE

Historia që u mbajt e fshehtë/ 25 vite më parë, kur Dinamo e volejbollit eliminohej vetëm për një licencë

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"