EKSKLUZIVE/ “Kur s’funksionojnë gjërat, duhet ndryshim”, Keko: Ky është sezoni i Partizanit, ne do jemi kampionët (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2024 | 8:23

EKSKLUZIVE/ “Kur s’funksionojnë gjërat, duhet ndryshim”, Keko: Ky është sezoni i Partizanit, ne do jemi kampionët (E PLOTË)

Albers Keko kthehet sërish të jetë pro tagonist me Partizanin, këtë herë në miqësoren kundër Apolonisë, e fituar nga “demat” me përmbysje 2-1. Sulmuesi nga Divjaka shënoi golin e dytë të të kuqve, dhe të dytin personal në këtë sezon pas rrjetës kundër Marsaslok.

KEKO

Pas ndeshjes, në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi shprehet se në sezonin e ri kërkon të jetë protagonist absolut, teksa është i bindur se ky sezon i ri do të jetë i Partizanit dhe do të finalizohet me titullin kampion.

Shënuat në Europë golin vendimtar me Marsaslok, ktheheni të shënoni edhe në miqësore. Duket se e keni nisur mirë këtë sezon, apo jo?
Për mua si sulmues është shumë e rëndësishme që të shënoj. Dua gjithnjë të gjej golin në çdo ndeshje, qoftë ajo miqësore apo ndeshje vendimtare në Europë.

Sipas jush, çfarë i mungoi skuadrës në ndeshjet në Ligën e Konferencës, ku nuk arritët objektivat e vendosura?
Mungoi finalizimi i aksioneve. Nëse ti shënon, rrit ndjeshëm vetëbesimin e skuadrës dhe në fund e ke më të lehtë të shkosh te fitorja e ndeshjes. Ne nuk ia dolëm si duhet.

Si ndikojnë te ju personalisht dhe te skuadra ndryshimet e shpeshta të trajnerëve?
Unë në karrierën time më ka qëlluar të punoj me disa trajnerë. Të ndryshosh shpesh trajner nuk është pozitive për asnjë lojtar, por nëse nuk funksionon, atëherë do të thotë se duhet ndryshim.

Ju personalisht do të donit një trajner të huaj apo shqiptar. Me cilët punohet më mirë?
Nuk kam ndonjë preferencë, gjithashtu është diçka që u takon drejtuesve. Ajo që ka rëndësi për mua është të jem në formën e duhur dhe gjithnjë gati.

E shihni Partizanin edhe në këtë sezon si pretendent për titullin?
Partizani pretendon gjithnjë për titullin, për ne s’ka dhe nuk duhet të ketë asnjë justifikim. Ky sezon është i yni, ne do të jemi kampionët.

Si u ndiet në fushë kundër Apolonisë? E keni hedhur pas eliminimin nga Liga e Konferencës?
Unë personalisht u ndjeva shumë mirë. Luajta për 45 minuta, çka janë edhe ajo që unë kam nevojë për të rritur vetëbesimin. Skuadra funksionoi shumë mirë, duke pasur parasysh se kishim shumë mungesa për shkak të dëmtimeve.

Luajtët vjet një sezon me pak minuta. Do të donit të kishit më shumë hapësira dhe të ishit protagonist në sezonin e ri?
Padyshim. Unë dua të jem protagonist absolut në këtë sezon dhe jam gjithnjë gati për të bërë sa më mirë me fanellën e Partizanit.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"