EKSKLUZIVE/ Klubi i Kategorisë së Parë ndërron mendje, emëron në pankinë trajnerin korçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2022 | 22:22

EKSKLUZIVE/ Klubi i Kategorisë së Parë ndërron mendje, emëron në pankinë trajnerin korçar

Nuk zgjati më shumë se dy javë qëndrimi i Hasan Hoxhës në krye të pankinës së Besëlidhjes.

NIKOLIN COCLLI

Edhe pse presidenti Gjok Noka pati thënë që do t’ia besonte këtë rol të paktën deri në fund të fazës së parë, nuk ka ndodhur kështu.

Prej të enjtes, lezhjanët kanë tjetër trajner. Zyrtarisht ka nisur punën Nikolin Çoçlli, ndërsa Hasan Hoxha është rikthyer ndihmës.

Korçari e merr skuadrën në dorëzim dy ditë para transfertës me Tomorin, prej së cilës pritet vetëm maksimumi i pikëve.

Tekniku i ri ka nisur tashmë punën, ndonëse e pranon që ditët e para nuk do t’i ketë aspak të lehta.

E megjithatë, është optimist.

Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai tregon se ka pasur edhe më herët informacion për organiken që sot e drejton dhe flet me superlativa për lojtarët.

”Këto ditë pata një ftesë nga presidenca e Besëlidhjes dhe duke e njohur pak a shumë në distancë ekipin lezhjan, e pranova. Tani jam në fazën e njohjes së elementëve.

Fatmirësisht disa lojtarë i njoh, pasi i kam pasur në ekipet që kam drejtuar dhe kjo do të më ndihmojë që shumë shpejt të kem një shkrirje me psikologjinë dhe huqet e të gjithë lojtarëve.

Ekipi është i përbërë nga lojtarë me eksperiencë dhe lojtarë të rinj që janë gërshetuar me njëri-tjetrin.

Më duket një grup i mirë, të paktën si fillim”, kështu e nisi deklaratën e tij 54-vjeçari, që së fundmi kishte rol drejtuesi te klubi i Apolonisë.

TRANSFERTA

Nikolin Çoçlli e di se çfarë kërkon nga transferta e kësaj fundjave. E cilëson të vështirë, por jo të pakalueshme.

“Për transfertën ndaj Tomorit është shumë herët për mua që të flas. Gjithsesi, do të mundohem të bëj më të mirën e mundshme.

Në këto dy ditë stërvitje unë nuk mund të ndryshoj gjë. Pozitive për mua është se ekipi ishte mirë si fizikisht ashtu edhe teknikisht.

Në pjesën e mbetur deri te ndeshja ndaj Tomorit, unë do të punoj kryesisht në aspektin taktik dhe psikologjik. Shpresoj shumë se do të marrim rezultat pozitiv, çka do të na jepte krah drejt objektivave”, e ka mbyllur trajneri i sapoemëruar i lezhjanëve.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"